Familjet e ISIS-it: Dilema e madhe e Evropës – KOHA.net

Kur Belgjika njoftoi në fillimin e marsit se do t’i riatdhesonte disa gra që i ishin bashkuar Shtetit Islamik, bashkë me fëmijët e tyre, Jessie van Eeatvelde e mirëpriti vendimin me një ndjenjë lehtësimi – ani pse e dinte se kjo mbase nënkuptonte që të kalonte ca kohë në burg.

Ajo dhe fëmijët e saj kanë jetuar për të paktën dy vjet nëpër kampet e burgimit në Siri. Ëndërr e saj, thotë ajo për “New York Times”, është që fëmijët e saj, babai i të cilëve kishte luftuar për Shtetin Islamik, të vijonin shkollimin në Belgjikë. Për këtë ajo thotë se është e gatshme ta paguajë çmimin e duhur se iu bashkua grupit militant më 2014, nëse Belgjika e pranon prapa.

“Mbase e kanë kuptuar se ata që duan të kthehen janë penduar dhe duan një shans të dytë”, ka thënë 43-vjeçarja Van Eetvelde, duke shkëmbyer mesazhe zëri nëpërmjet WhatsAppit me “NYT”.

Shumë shtete evropiane kanë hezituar të lejojnë kthimin e personave të lidhur me ISIS-in, megjithëkëtë disa syresh, si Belgjika dhe Finlanda, tani po u përmbahen këshillave të ekspertëve të sigurisë dhe grupeve të së drejtave të njeriut që pretendojnë se riatdhesimi është opsioni më i sigurt.

“Evropa prej kohësh kishte kritikuar SHBA-në rreth Guatanamos, por tani e keni një Guantanamo në shkretëtirë”, ka thënë Chris Harnisch, ish-zyrtari për kundërterrorizëm i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili ka organizuar riatdhesimin e shtetasve amerikanë gjatë viteve 2019 dhe 2020.

Po apo jo?

Dy vjet pasi që Shteti Islamik ka humbur edhe territorin e fundit të kontrolluar në Siri, më shumë se 200 gra nga 11 shtete të Evropës dhe 650 fëmijët e tyre janë duke jetuar në dy kampe siriane – Al Hol dhe Roj, kanë treguar të dhënat e përpiluara nga Thomas Renard, një studiues në Institutin Egmont me seli në Bruksel.

Ndonëse evropianët përbëjnë një fraksion të vogël të 600.000 personave, shumica irakianë dhe sirianë, të mbajtur në kampe, qeveritë evropiane po përballen me presion të shtuar për t’i kthyer të rriturit me qëllim të gjykimit të tyre midis argumentit se mosveprimi i shteteve përbën shkelje të zotimit të tyre karshi të drejtave të njeriut, ka raportuar “New York Times”.

Ekspertët e sigurisë, grupet e të drejtave dhe avokatët e atyre që kanë udhëtuar drejt territoreve të ISIS-it kanë bërë të ditur se qeveritë evropiane po përballen me shqetësime legjitime të sigurisë, shkaku i frikës së vendeve nga sulmet terroriste. Por tani një numër përherë më i madh i qeverive dhe zyrtarëve të Inteligjencës pretendojnë se braktisja e qytetarëve evropianë në Siri ngërthen rreziqe më të mëdha, përfshirë faktin se ata mund t’u bashkohen grupeve terroriste që vënë në shënjestër Evropën.

Në analizën rreth problematikës, NTY ka numëruar vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kazakistanin dhe Turqinë që kanë riatdhesuar shumicën e shtetasve të tyre me qëllim të përndjekjes penale dhe, në disa raste, riintegrimin e tyre në shoqëri. Por shumica e vendeve evropiane pretendojnë se nuk kanë kurrfarë obligimi ligjor që t’i ndihmojnë qytetarët e tyre nëpër kampe dhe se të rriturit që i janë bashkuar ISIS-it duhet të persekutohen në Irak dhe Siri.

Megjithëkëtë, ministri belg i Drejtësisë, Vincent van Quickenborne, ka thënë se Qeveria do ta organizojë riatdhesimin e 13 grave dhe 27 fëmijëve të tyre brenda muajsh, pasi shërbimet vendore të Inteligjencës raportuan se ISIS-i është duke e marrë kontrollin nëpër kampe. Ai ka thënë se autoritetet kanë marrë “këshilla të qarta” se kthimi i grave dhe fëmijëve në Belgjikë është opsioni më i sigurt.

“Minikalifati”

Një dokument i brendshëm i BE-së ka përshkruar kampin Hol si një “minikalifat”.

“Një i kthyer përherë do të përbëjë rrezik, disa prej tyre të ulët e disa tepër të lartë”, ka thënë Renard, duke shtuar se të kthyerit mund potencialisht t’i radikalizojnë të burgosurit në burgje apo të provojnë sulme. “Megjithëkëtë, pasojat e mosriatdhesimit peshojnë jashtëzakonisht më shumë se këto rreziqe”.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë bërë të ditur se fëmijët nuk kanë bërë asgjë të gabuar dhe po vuajnë nga sëmundjet, kequshqyerja dhe sulmet seksuale. Me qindra kanë vdekur dhe me dhjetëra syresh janë prekur nga koronavirusi në kampe, ka bërë të ditur organizata joqeveritare “Save the Children”.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime për djelmoshat e rinj, të cilët udhëtuan në territoret e ISIS-it sa ishin ende fëmijë. Mes tyre ka të tillë që i kanë nënat evropiane. Pikërisht këta paraqesin rrezik më të madh për radikalizim. Kjo ngase ata janë anashkaluar teksa vendet evropiane i kanë pranuar vetëm fëmijët më të vegjël, ka shkruar e përditshmja amerikane.

Letta Tayler, një studiuese e lartë e kundërterrorizmit në “Human Rights Watch”, ka thënë se qeveritë evropiane janë duke “krijuar një lloj seleksionimi të fëmijëve”. Ka shtuar se “më të dëshirueshmit janë bonjakët – më të padëshirueshmit djelmoshat adoleshentë”.

Grupi i të drejtave të njeriut “Reprieve” ka bërë të ditur se shumë gra në kampe janë trafikuar, përdhunuar dhe shtrënguar në martesa apo shërbime shtëpiake.

“Përkundër kësaj, në shumë vende të Evropës riatdhesimet janë të diskutueshme”, ka thënë një zyrtar i Inteligjencës franceze që ka folur për “NYT” nën kushtin e anonimitetit shkaku i ndjeshmërisë së çështjes. Një pjesë e hezitimit, sipas analistëve të sigurisë, ka të bëjë me faktin se gratë e riatdhesuara mund të marrin dënime më të buta apo të mos dënohen fare me burgim.

Britania e Madhe ua ka revokuar shtetësinë britanike afro 20 grave që iu bashkuan ISIS-it. Franca i ka hedhur poshtë thirrjet për riatdhesim, ani pse disa prej grave kanë hyrë në greva mujore të urisë. Holanda dhe Suedia kanë njoftuar se do t’i pranojnë fëmijët, por pa nënat e tyre.

Ndryshimi i qëndrimeve

Van Eetvelde, ish-arkëtare e lindur afër Antwerpit në veri të Belgjikës, kishte udhëtuar në territoret e ISIS-it më 2014, bashkë me burrin e saj. Tani ndodhet në kampin Roj, e shpreson që të kthehet në Belgjikë për të mirë të sajën dhe të fëmijëve, tani 3 dhe 5 vjeç.

Mbahet kryesisht e shkëputur nga bota dhe madje edhe avokati i saj, Mohamed Ozdemir, thotë se nuk ka mundur të komunikonte me të gjatë muajve të fundit. Telefonat celularë nuk janë të lejuar, andaj Van Eetvelde komunikoi me “New York Times” nëpërmjet mesazheve me zë të dërguara nga telefoni i një gruaje tjetër në kamp, të cilën gazeta e kontaktoi nëpërmjet familjes dhe avokatit të saj.

Në janar një gjykatë belge e dënoi atë në mungesë për pjesëmarrje në aktivitetet e një organizate terroriste, ka thënë Ozdemik. Ia shqiptoi dënimin me pesë vjet burgim.

Tani një numër përherë më i madh i vendeve evropiane janë duke ndërmarrë veprime.

Në Danimarkë autoritetet kanë thënë se gjatë këtij muaji do të riatdhesojnë tri gra dhe 14 fëmijë. Gjermania dhe Finlanda kanë riatdhesuar pesë gra dhe 18 fëmijë në dhjetor, ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane ka njoftuar muajin e shkuar se vendi është duke punuar “me shpejtësinë më të madhe” për t’i marrë nga kampet fëmijët, nënat e të cilëve janë gjermane.

Në anën tjetër, prindërit e një gruaje franceze në kampe kanë ngritur rast kundër Francës në Gjykatën Evropiane të së Drejtave të Njeriut për riatdhesimin e saj dhe fëmijëve të saj. Dhe tre avokatë francezë kanë kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare që të shqyrtojë nëse politika e vendit e bën presidentin, Emmanuel Macron, bashkëfajtor për krime lufte, ka shkruar “New York Times”.

Jussi Tanner, një diplomat nga Finlanda që i menaxhon riatdhesimet në vend, ka thënë se kthimi i grave dhe fëmijëve nëse është çështje “për nëse, por kur dhe si”.

“Riatdhesimi i tyre sa më parë që të mundemi është më mirë në aspektin e sigurisë, sesa që të shtiremi se problemi zhduket kur kthejmë sytë prapa”, ka thënë ai për gazetën. “Mund t’i lini aty, por ata gjithsesi do të kthehen”.

Përgatiti: Nita Lleshi

Burimi i lajmit: Koha.net