Historiku i injorimit të “Pfizerit” nga Kosova – KOHA.net

Shtatë vjet para se marrëveshja me “Pfizerin” për vaksinat anti-COVID të sillte shpresë në Kosovë se përballjes me koronavirusin po i vjen fundi, shteti e kishte injoruar këtë kompani kur ajo donte të bënte donacion në vlerë prej gjysmë milioni eurosh të preparatit somatotropinë. Historiku i injorimit të “Pfizerit” nga Kosova rëndohet edhe më shumë, pasi që menjëherë pas injorimit të donacionit, Qendra Klinike Universitare e Kosovës pati hapur tender në vlerë prej 300 mijë eurosh për të blerë të njëjtat barna.

Më 4 shtator të vitit 2015, KOHA Ditore pati shkruar se si “QKUK-ja e dështoi donacionin e barnave prej gjysmë milioni euro”. Në artikull përshkruhej se si QKUK-ja e pati injoruar në vitin 2014 një donacion barnash prej “Pfizerit”, të ia pati dedikuar Klinikës së Pediatrisë. Menaxhmenti i QKUK-së as që i kishte kthyer përgjigje donatorit për ofertën, pavarësisht disa tentimeve.

Kompania farmaceutike “Pfizer” planifikonte që me donacionin prej 500 mijë eurove të mbulonte nevojat me preparatin somatotropinë që përdoret për fëmijët të cilët kanë ngecje në rritje. Në kohën kur QKUK-ja e pati injoruar këtë donacion, Klinika e Pediatrisë kishte lënë për tre muaj fëmijët pa ampula somatotropinë. Në mungesë të tyre prindërit qenë detyruar ta blinin këtë preparat në barnatore private.

Çmimi për një ampulë të këtij lloj bari në vitin 2014 ka qenë rreth 130 euro.

Gazeta pati siguruar korrespodencën e ndërmjetësuesit të donatorit “Pfizer” me Ministrinë e Shëndetësisë dhe QKUK-në. Nga këta emaila shihej se tre persona, të cilët qenë kontaktuar nga ndërmjetësuesi i donacionit “Pfizer” nuk patën kthyer përgjigje kurrë, madje as një letër me të cilën do të dëshmohej se ky donacion bën pjesë në barnat që përdor QKUK-ja. Një letër pranimi nga QKUK-ja ka qenë e domosdoshme që donacioni të hyjë në vend.

Që nga janari e deri në fund të marsit 2014, Barnatorja Qendrore e QKUK-së nuk e kishte në stok asnjë ampulë somatotropinë. Sasi të këtyre lloj ampulave nuk kishte as Klinika e Pediatrisë. Sipas të dhënave të Barnatores Qendrore, Klinika e Pediatrisë brenda një muaji në vitin 2014 ka shpenzuar mbi 300 ampula.

Në të njëjtën kohë kur ky produkt në QKUK mungonte, tre personave përgjegjës për furnizim me këtë produkt disa herë radhazi u kishte mbërritur në email oferta për donacion. Në emailat të cilat i ka siguruar gazeta shihet se oferta u ishte dërguar drejtorit të atëhershëm të QKUK-së, drejtorit të asaj kohe të Klinikës së Pediatrisë, dhe ud. së shefes së Repartit të Endokrinologjisë në Klinikën e Pediatrisë. Për asnjërin email dhe ndërmjetësuesi i donacionit pati deklaruar se nuk kanë marrë përgjigje.

Pasi QKUK-ja “e ka injoruar”, donatori i pati shkruar edhe Ministrisë së Shëndetësisë, për ta shpjeguar situatën rreth injorimit të donacionit. I ishte konfirmuar se do të ketë verifikim dhe shqyrtim të dokumentacionit për donacione, por as pas rreth një viti e gjysmë pas rastit, MSH-ja “s’dinte ta sqaronte” pse saktësisht s’u pranua ky donacion.

Ndërmjetësuesi ishte ankuar se QKUK-ja nuk po ua dorëzon në formë të shkruar nevojën për këtë donacion. Njëra nga kërkesat e MSh-së për të pranuar dokumentacionin ishte që të sillnin një fletë pranimi të QKUK-së për këtë donacion. Donatori kishte kërkuar edhe ndihmën e MSH-së për marrjen e aprovimit nga QKUK-ja. Pasi edhe një email kishte hasur në vend të shurdhër, “Pfizeri” ishte tërhequr nga donacioni.

Ndërkaq pas disa muajsh MSh-ja ka hapur tender për produktin e njëjtë. Vlera e tenderit ka qenë rreth 300 mijë euro, ndërkaq fitues është shpallur kompania “Meditech”.

Tash, shtatë vjet më vonë, “Pfizer” është kompania e parë nga e cila Kosova ka blerë vaksina kundër koronavirusit. Të premten, Qeveria njoftoi se ka arritur marrëveshje për blerjen e 1.2 milionë vaksinave, që pritet të vijnë deri në fund të vitit.

Kosova vaksina ka marrë deri tash vetëm përmes donacioneve nga aleanca COVAX dhe Bashkimi Evropian. Nga to, janë vaksinuar mbi 61 mijë qytetarë.

Burimi i lajmit: Koha.net

Author: admin