Hoxhaj zyrtarizon kandidaturën e Totajt për kryetar të Prizrenit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sot ka zyrtarizuar kandidaturën e Shaqir Totajt për kryetar të komunës së Prizrenit.

Në një konferencë për media të mbajtur në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, Hoxhaj ka thënë se sot po nisë një epokë e re për Kosovën dhe për Prizrenin, sepse ky qytet që është ndër më të rëndësishmit pas Prishtinës dhe urë lidhëse mes dy kryeqyteteve shqiptare udhëhiqet nga një kryetar që gjumin nuk e bën këtu.

Ai ka thënë se Prizrenit i duhet një kryetar që punon 24 orë për qytetin pa u ndalur, pas katër vitesh stagnim, degradim, ankesa dhe asnjë punë e mirë për Prizrenin.

“Së bashku, pa frikë dhe me mendje të hapur sot mund të krahasojmë dy modele të qeverisjes këtu në Prizren sepse dallojnë si nata me ditën. E këtë gjë nuk mund ta bënin para 4 vitesh, kur Vetëvendosja nuk ishte provuar në pushtet. Por sot pamjet janë të qarta si kristali sepse PDK ndërton e punon, kurse VV-ja rrënon e abuzon! Kurrë nuk ka qenë më i degraduar arsimi në Prizren, me dhjetëra shkolla që ankohen çdo ditë për mungesë arsimtarësh e organizimi për ofrimin e mësimit të mirëfilltë. Kurrë nuk ka qenë më i dergraduar se sot mjedisi, me më shumë bërllog e papastërti në rrugët e lumenjtë e qytetit. Qendra Historike e Prizrenit është kthyer në një Qendër Kaotike dhe të parregullt ku përzihen nga ky pushtet i mashtrimit edhe ata pak turistë për shkak të parkingjeve të shtrenjta dhe mungesës së hapësirës. Dhjetëra aktakuza për drejtorët komunal e shumë denoncime për afera milionëshe e abuzime me paratë e qytetarëve të Prizrenit”, ka theksuar Hoxhaj.

Ai ka thënë se Prizrenit i duhet një kryetar si Shaqir Totaj që ka jo vetëm vullnetin e vizionin për të punuar, por që nuk shantazhohet nga askush dhe për asgjë, një kryetar që jeton dhe i ndan bashkë me qytetarët e Prizrenit të mirat dhe të këqijat.

“Unë jam garancia e kësaj kandidature – që Shaqa do ta ketë gjithë mbështetjen për të qeverisur i papenguar nga askush. Sepse para 4 vitesh, Shaqa ishte vërtetë kandidat i PDK-së për kryetar por sot ai është një kandidat i qytetit dhe i të gjithëve pa dallim. Shaqa është pakrahasimisht alternativa më e mirë. Ai është një personalitet që tejkalon kufijtë partiak dhe një mundësi e mirë për bashkim qytetar për ti dhënë  Prizrenit kryetarin që ka nevojë dhe atë që e meriton. Shaqa është një figurë që është rritur bashkë me Prizrenin dhe më mirë se secili ia di dhimbjen, traditën, historinë por edhe kërkesat. Prandaj, Shaqa, kryetari ynë i ardhshëm, është garancia ime, garancia e të gjithë neve, për ta kthyer Prizrenin në rrugën e drejtë të zhvillimit e përparimit”, ka përfunduar Hoxhaj.

Ndërsa, kandidati për kryetar të komunës së Prizrenit nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në Prizren dhe nënkryetari i partisë, Shaqir Totaj ka falënderuar kryetarin Hoxhaj dhe partinë për besimin e dhënë.

Ai ka thënë se nën udhëheqjen e PDK-së, Prizreni do të jetë një model i një qeverisjeje të mirë lokale për qytetarët e tij.

Burimi i lajmit: Epoka e Re

Author: admin