January 20, 2022

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

KEDS ka investuar mbi 28 milionë euro në rrjet nëntokësorë gjithandej vendit – KosovaPress

4 min read

KEDS po vazhdon të investojë fuqishëm në shtrirjen e rrjetit nëntokë gjithandej vendit. Deri më sot, mbi 28 milionë euro janë investuar në rrjet nëntokë në 7 distrikte të KEDS në kuadër të 140 projekteve.

[embedded content]

Tashmë shumica e qendrave të qyteteve janë me rrjet nëntokësor, derisa synimi i KEDS-it, është që brenda një të ardhme të shkurtër t’i përfshijë të gjitha në nivel Kosovë. Këto investime po bëhen në bashkëpunim edhe me komunat.

Zyrtari për komunikim në KEDS, Adlum Ramadani, tha se këto investime janë duke u rritur në mënyrë që të gjitha qendrat e qyteteve të Kosovës të kenë shtrirje të rrjetit tokësor.

“Përgjatë këtyre 8 viteve të operimit, KEDS ka investuar fuqishëm në shtrirje të rrjetit tokësor gjithandej vendit. Nga mbi 140 projekte, të cilat tashmë janë realizuar në qendrat e qyteteve të Kosovës, shifra e këtyre projekteve kap vlerën prej 28 milionë euro. Këto investime janë duke u rritur dhe brenda një kohe, KEDS synon që të gjitha qendrat e qyteteve të Kosovës të kenë shtrirje të rrjetit tokësor. Përmes këtyre investimeve, KEDS po u kthen pamjen e merituar këtyre qendrave të Kosovës, pasi që shtyllat po largohen, këto kabllo ajrore të gjitha po largohen, dhe i gjithë rrjeti po shtrihet nëntokë dhe elementet përcjellëse që po vendosen po iu përshtaten këtyre zonave duke ua ruajtur pamjen e tyre të merituar, e cila pa dyshim që në të kaluarën ka qenë e shëmtuar”, tha ai.

Me shtrirjen e rrjetit elektrik nëntokë, KEDS po krijon infrastrukturë të re energjetike derisa me qindra shtylla po largohen duke i kthyer pamjen e merituar zonave turistike, qendrave të qyteteve dhe vendeve historike.

Krijimi i infrastrukturës së re po i bënë zgjidhje njëherë e mirë rrjetit të stërvjetruar që KEDS ka trashëguar. Kështu, po rriten kapacitetet duke rritur sigurinë e furnizimit me energji të qëndrueshme e kualitative dhe po zëvendësohen me qindra kilometra kabllo.

Përmes këtyre investimeve nëntokësore, po krijohen edhe linjat alternative, të cilat do të mundësojnë furnizim alternativ në raste avari. Kjo pasi nëse një dalje e asaj linje është në defekt, menjëherë furnizimi kalon në daljen alternative dhe kësisoj konsumatori nuk ballafaqohet me ndërprerje të energjisë elektrike.

Lidhur me këtë, Ramadani tha se nënstacionet krijojnë lidhje unazore, të cilat mundësojnë këtë furnizim.

“Investime të tilla të KEDS-it, me shtrirje të rrjetit nëntokësor, po mundësojnë që krahas të mirave që tashmë i kam përmendur, të krijohet mundësia e furnizimit alternativ, pasi që kësisoj nënstacionet po lidhen ndërveti dhe po krijojnë lidhje unazore, të cilat mundësojnë furnizim alternativ në rast në njërën dalje apo në njërën linjë është nevoja të intervenohet, furnizimi automatikisht bartet në linjën tjetër, në mënyrë që konsumatorët tanë të mos afektohen nga ndërprerja e energjisë elektrike. Kjo do të rrisë edhe kënaqshmërinë e konsumatorëve”, u shpreh ai.

Ndër qytetet e para që pati fatin të gëzonte këtë investim të KEDS-it, ishte Gjakova.

Tashmë qendra e këtij qyteti ka marrë një pamje krejtësisht tjetër, ku ormanët elektrik në të cilët janë vendosur njehsorët janë përshtatur me infrastrukturën e qendrës, gjë që ka bërë që banorët dhe bizneset të jenë shumë të kënaqur.

Për biznesmenin Dukagjin Boshnjaku, një investim i tillë në qendrën e Gjakovës ka rëndësi të madhe, jo vetëm në aspektin estetik, por edhe për atë se ka evituar rrezikun që shkaktonin dikur kabllot e vendosura në shtylla.

“Ka qenë e kahmotshme kjo. Mirë është bërë, sepse kanë qenë rrezik kabllot. Tash janë eliminu këto, si për qytetarët, si për bizneset. Kabllo nuk kemi, të gjitha janë nën tokë dhe veç është jeta më e mirë dhe pa frikë”, tha ai. 

Fatin e njëjtë do të ketë edhe qendra e qytetit të Prizrenit, ku janë duke u zhvilluar punimet për largimin e kabllove të energjisë elektrike nga shtyllat. Një pjesë e punës tashmë është kryer dhe pritet që së shpejti projekti të marrë formën e vet finale.

I kënaqur me këtë investim është qytetari Bajram Shehu, i cili tha se kabllot janë të rrezikshme dhe është mirë që po futen nëntokë.

“Kabllot janë për me u hek, jo vetëm këtu në shatërvan por edhe në qytet… Kabllot janë të rrezikshme po shyqyr ka ardhur dita me u ndreq këto… Bukur ka me u bë, më bukur se që ka qenë”, tha ai.

KEDS për 8 vite të operimit në Kosovë ka investuar mbi 170 milionë euro në modernizim të rrjetit. Investime në rrjetin elektrik po vazhdojnë çdo ditë anekënd Kosovës, që tregon përkushtimin e kompanisë për përmbushjen e premtimeve dhe vendosmërinë për të qenë sa më afër konsumatorit.

Burimi i lajmit: Kosova Press