Koordinimi SHBA-BE për dialogun, mesazhi i Palmerit e Lajçakut në Kosovë – KOHA.net

Takime me krerët e shtetit do të zhvillojnë zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, në vizitën dyditore, që nis të hënën.

Krahas tyre, Palmeri dhe Lajçaku gjatë vizitës do të takohen edhe me liderët e partive opozitare në vend.

Në ditën e fundit të vizitës së tyre, të martën, Palmeri dhe Lajçaku do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Vizita e përbashkët e dy përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së, është duke u konsideruar mesazh për bashkëpunimin ndërmjet tyre karshi dialogut Kosovë-Serbi.

Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se me vizitë të përbashkët, pak javë para nisjes së bisedimeve, Matthew Palmer dhe Miroslav Lajcak do të insistojnë në rëndësinë dhe urgjencën e procesit të dialogut.

“Ata po përpiqen të projektojnë një mesazh, se BE-ja dhe ShBA-ja janë tani në të njëjtën faqe. Sigurisht që amerikanët dhe evropianët nuk e pranuan kurrë se ishin në faqe të ndryshme, por ata ishin gjatë administratës Trump. Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë shumë nga ato që unë di, por sigurisht që po përpiqen shumë të projektojnë imazhin se janë duke e mbështetur Bashkimin Evropian. Por, problemi që BE-ja dhe SHBA-ja kanë në të vërtetë është se Beogradi nuk është i gatshëm të vazhdojë me njohjen e Kosovës. Kjo do të kufizojë gatishmërinë e Prishtinës për t’iu përgjigjur pozitivisht Serbisë për çështje të rëndësishme. Por, ka çështje si personat e zhdukur dhe pretendimet financiare mbi të cilat përparimi mund të jetë i mundur. Unë do të shpresoja të shoh njëfarë progresi edhe në tregti”, është shprehur Serwer.

Në anën tjetër, Augustin Palokaj nga Brukseli, thotë se BE-ja ka nevojë për rolin amerikan, në mënyrë që ta rrisin besimin e palës kosovare në këtë proces.

“Ndonëse në BE thonë se kanë qëllimin e njëjtë me SHBA-në, një dallim është se Bashkimi Evropian nuk mund të pohojë se qëllimi i dialogut është njohja e ndërsjellët përderisa amerikanët e thonë një gjë të tillë. Siç dihet, BE-ja nuk mund të këtë qëndrim të qartë për statusin e Kosovës përderisa 5 vendet anëtare nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar korrespodenti i KOHËS në Bruksel.

Derisa konfirmojnë bashkëpunimin me SHBA-në lidhur me dialogun, nga BE-ja thonë se mezi presin takimin e ardhshëm të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu Beograd – Prishtinë është një proces i lehtësuar nga BE-ja, i cili është i lidhur me rrugën e BE-së, të Kosovës dhe Serbisë. BE-ja është mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme e KB për ta lehtësuar dialogun për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më pranë Bashkimit Evropian. Partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, e respektojnë atë. Lehtësuesi i BE-së bashkëpunon ngushtë me partnerët tanë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare mezi po e presin takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut në qershor”, ka thënë Peter Stano nga BE-ja.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen gjatë muajit qershor, duke shënuar kështu vazhdimin e bisedimeve me Serbinë në kuadër të dialogut.

[embedded content]

Burimi i lajmit: Koha.net

Author: admin