Limaj: Kosova dhe SHBA të lidhin marrëveshje në fushën e sigurisë – KosovaPress

Fatmir Limaj është rizgjedhur kryetar i subjektit politik të Nismës Socialdemokrate.

Limaj mori besimin e të gjithë delegatëve të cilët ishin prezent në Kuvendin e II-të zgjedhor të Nismës.

Në fjalën e tij pas rizgjedhjes, Limaj ka falënderuar delegatët për besimin e dhënë duke u zotuar se do të vazhdojë angazhimin në promovimin e vlerave tona kombëtare.

“Nisma si parti e moderuar e qendrës së majtë, të vazhdojë me politikat sociale, në promovimin e politikave sociale. Në promovimin e vlerave demokratike në Kosovë, në promovimin e avancimin e të drejtave të qytetarëve pa dallim feje e etnie. Në mbështetje të fuqishme asaj kategorie që më së shumti kanë nevojë…. Nisma Socialdemokrate e Kosovës është thekësish e angazhuar, e vendosur që të promovojmë atë që askush mos të cenojë historinë e lavdishme mbi të cilën është ndërtuar ky shtet. Ne jemi krenar si trashëgimtar, qytetar që vimë nga një e kaluar e lavdishme dhe historike”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ai shtoi se do të jenë zë i fuqishëm opozitarë dhe nuk do të lejojnë që Kosova të rrëshqas në autokraci e despotizëm.

“Do të ekspozojë në vazhdimësi si opozitë çdo dukuri negative ngado që vjen. Nisma Socialdemokrate si forcë opozitare duhet të jetë zëri i fuqishëm opozitar dhe do të mbikëqyrë dhe korrigjoj qeverisjen dhe mazhorancën. Ne do të jemi këtu si garancë që Kosova mos ta lejojmë të rrëshqas në autokraci, me despotizëm dhe me degjenerim politik e moral“, tha ai.

Sipas tij, marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri nuk duhet të varen nga personat, pasi fati ynë është i përbashkët dhe ashtu duhet të ecim përpara.

Limaj u ndal edhe te integrimet evropiane dhe liberalizimin e vizave, duke thënë se BE duhet ta mbaj fjalën.

Ai shtoi se duke parë tendenca që kanë objektiva jo të mira për Ballkanin, por edhe që kanë qëllim destabilizimin dhe ndërprerjen e rrugëtimit euro-atlantik të vendeve të rajonit, Kosova duhet të ketë një marrëveshje bilaterale me ShBA-të.

“Mendoj që është momenti që shteti i Kosovës të fillojë të diskutojë e të bëjë kërkesë zyrtare që Kosova dhe SHBA të lidhin marrëveshje bilaterale në çështjen e sigurisë. Një marrëveshje e tillë është kruciale, e jashtëzakonshmen për Kosovën por jo vetëm për Kosovën edhe për rajonin. Më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për një marrëveshje të tillë bilaterale në fushën e bashkëpunimit të sigurisë kombëtare. Kjo do t’i jepte fund një herë e mirë të gjitha përpjekjeve atyre të cilët nuk e njohin shtetin e Kosovës, ata që me armiqësi e shohin në drejtim të Kosovës. Kjo do t’i jepte mesazh të qartë atyre që vazhdojnë ta kontestojnë ekzistencën tonë si popull dhe si shtet“, tha ai.

Sipas tij, ShBA marrëveshje të tilla i ka me disa vende, sidomos ato që i konsideron si mike.

Ai foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se Serbia duhet ta njoh krimin dhe gjenocidin që kanë bërë në vendin tonë dhe pastaj të bëhet marrëveshja e njohjeve reciproke, pasi nuk do të lejohet të humb gjitha ajo që është bërë deri tash në Kosovë.

[embedded content]

Burimi i lajmit: Kosova Press

Author: admin