Paralajmërohet shfuqizimi i qarkores që pamundëson aplikimin në organizata ndërkombëtare – KosovaPress

Qarkorja e lëshuar vitin e kaluar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila pamundëson aplikimin e gjitha institucioneve në organizata ndërkombëtare për një periudhë 1 vjeçare, pritet të shfuqizohet nga Qeveria Kurti II.

[embedded content]

Ani pse nga MPJD nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë, në Lëvizjen Vetëvendosje paralajmërojnë rishikimin e saj. Megjithatë, nuk bëjnë të ditur se a do të aplikojnë para muajit shtator, atëherë kur edhe  përfundon moratoriumi 1 vjeçar, sipas marrëveshjes së Uashingtonit. Por, thonë se fillimisht do të përgatiten mirë, e më pas të aplikojnë në organizata ndërkombëtare.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi thotë për KosovaPress se qarkoren e lëshuar vitin e kaluar nga ish-qeveria Hoti e kanë kundërshtuar dhe si të tillë do ta rishikojnë.

Ajo  thotë se fillimisht do të përgatiten mirë, e më pastaj do të aplikojnë, pasi sipas saj kanë plan për anëtarësim në Interpol, Këshill të Evropës dhe organizata tjera.

Ajo do të rishikohet, do të shikojmë mundësinë sepse ne e kemi kundërshtuar. Nuk ka logjik një shtet i pavarur me heq dorë nga anëtarësimi ne organizata ndërkombëtare. Është në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Çka është në kundërshtim me kushtetutën tonë nuk mundet të respektohet…15:38 Ne duhet të duhet të përgatitemi mirë para se të bëjmë aplikimin për anëtarësim, sepse është në pyetje reputacioni i shtetit të Kosovës. Në momentin kur aplikon dhe nuk pranohesh është dështim dhe nuk duhet t’i ndodhë Kosovës. Ne duhet të jemi  të sigurt që në ato organizata që aplikojmë pranohemi. Prandaj ne nuk po ngutemi që të dërgojmë aplikacione në organizata të caktuara. Ne kemi plan për anëtarësim në Interpol, anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe plotë organizata të tjera. Por ne do të përgatitemi aq mirë, sa momentin kur aplikojmë nuk refuzohemi”, thotë ajo.

Një gjë të tillë nuk po e sheh, anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Teuta Sahatqija, e cila thotë për KosovaPress se Qeveria Kurti II nuk ka strategji për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Sipas saj, qarkorja dhe moratoriumi 1 vjeçar përfundon edhe tre muaj, derisa për katër vitet e ardhshme qeverisëse nuk ka asnjë fjalë për anëtarësim në Interpol, Këshill të Evropës e UNESCO.

“Në programin i cili mëtohet të jetë katër vjeçar, nuk përmendet anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Interpoli nuk ekziston si fjalë, Këshilli i  Evropës nuk ekziston si fjalë. UNESCO dhe anëtarësimet tjera nuk shihet dhe shihet që ky program është pa strategji, pa afate kohore dhe është një program ku mungojnë masat që do të ndërmarrën konkretisht….me marrëveshjen e Uashingtonit është dhënë afati 1 vjeçar, i cili përfundon në shtator të këtij viti, ndërsa programi qeveritar nuk është program deri shtator, por që duhet të jetë 4 vjeçar”, thotë Sahatqija në një përgjigje përmes telefonit për KosovaPress.

Por anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, sipas drejtorit të institutit EPIK, Demush Shasha nuk është varur asnjëherë nga Kosova.

Ai potencon për KosovaPress se anëtarësimi në këto organizata multilaterale e ka vetëm një shteg, e ai është dialogu me Serbinë.

“Anëtarësimi në këto organizata asnjëherë nuk është varur nga Kosova. Suksesi jonë, apo dështimi jonë në anëtarësimin në këto organizata është i varur me mbështetjen dhe sponsorizimin e aleatëve tanë strategjik ShBA dhe BE. Prandaj ajo çfarë dua të  them është se është me rëndësi që anëtarësimi ynë në këto organizata ndërkombëtare kalon nga Uashingtoni, Berlini, Parisi e kështu me radhë. Në këtë drejtim veprimet tona duhet të jenë të harmonizuara me veprimet e aleatëve  tanë. Në këtë kuptim mesazhi që na vije nga bashkëpunimi trans-atlantik, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, njohjet e reja kanë vetëm një shteg, i cili është dialogu me Serbinë”, thotë Shasha.

Për ta konfirmuar tërheqjen e qarkores, KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mirëpo të njëjtin nuk janë përgjigjur.

Vitin e kaluar, nën ish-qeverinë Hoti në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit MPJD lëshoi qarkoren për të gjitha institucionet, ku kërkohej të tërhiqen të gjitha aplikimet dhe ku theksohet se për një periudhë 1-vjeçare Kosova nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare.

Burimi i lajmit: Kosova Press

Author: admin