Punimet në “Vicianum”, përplasen Albulena Haxhiu dhe Xhafer Tahiri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në lidhje me punimet në pronën “Vicianum” në Vushtrri, duke thënë se kompana së cilës iu shkëput kontrata rifilloi punimet. Madje, ajo tha se kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Tahiri duke thënë se vetë ministrja ka refuzuar që t’ia kthejë pronën ish-motel “Vicianum” komunës së Vushtrrisë sikurse në mandatin e saj të parë, njofton Klan Kosova.

“Prandaj ktheja pronën Komunës së Vushtrrisë që të bëjmë Stacionin e Autobusëve. Tani, mos kërko nga unë, e as mos ushtro presion publik e përmes telefonit, për të zgjedhur problemet juridike të Ministrisë që vetë i keni krijuar, problemet tuaja zgjidhni vetë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Haxhiu sërish i është kundërpërgjigjur Tahirit duke thënë se sot ai ka refuzuar që të ndërmarrë veprime në mbrojtjen e pronës publike.

“Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, Policia e Kosovës nuk ka mundur të veprojë sepse Tahiri nuk ka lejuar Inspektoratin të shkojë në vendin e ngjarjes me arsyetimin se “ne i kemi dhënë leje kompanisë”, duke e injoruar kështu vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për shkëputje të kontratës i cili është mbi çfarëdo vendimi tjetër të komunës.

“Shpifjet e Xhafer Tahirit se kinse unë paskam refuzuar që pronën t’ia jap Komunës, shtojnë dyshimet që mosveprimi i tij është i qëllimshëm. Unë nuk kam mundur të ndërmarrë asnjë veprim sepse rasti është duke u trajtuar nga Gjykata. I bëj thirrje edhe njëherë që të mbrojë pronën publike dhe jo interesin privat”.

Burimi i lajmit: Klan Kosova

Author: admin