Thaçi merr për avokat Misetiqin, me kompaninë e të cilit pati kontrata sa ishte kryeministër | FM Images

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para Zyrave të Dhomave të Specializuara do të mbrohet edhe me një avokat.

Me kërkesën e avokatit kryesor të tij, Gregory Kehoe, ZPS-ja ka aprovuar kërkesën që Kehoe të asistohet nga avokati Luka Misetiq.

Misetiq është partner i kompanisë ndërkombëtare juridike “Squire Patton Boggs”, kompani kjo e cila vazhdimisht ka pasur kontrata me Qeverinë e Kosovës sa në krye të saj ishte Thaçi. Ndërkaq, Patton Boggsi do ta përfaqësojë Kosovën në tri raste të arbitrazheve ndërkombëtare.

Në raportet që KOHA i pati siguruar, tregohej për raportimet e bëra nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në lidhje me kontratat-marrëveshjet dhe shpenzimet që kanë lidhje me lobim të Kosovës nga viti 2010 të lidhura ndërmjet MPJ-së dhe ndër tjerash, me kompaninë “Squire Patton Boggs”, teksa periudha e lidhjes së kontratave është e ndryshme dhe detyrimet financiare janë të ndryshme lidhur me kryerjen e shërbimeve.

Komisioni Hetimor Parlamentar më 2018 pati hartuar raportin në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës dhe fokus kishte keqpërdorimin e buxhetit të shtetit në rastin e lidhjes së kontratave për lobim nga viti 2010 deri më 2018.

Komisioni në lidhje me Patton Boggsin pati konkluduar se kontrata e pranuar nga kjo kompani ishte në vlerë prej 1,331,407.8 dollarë. Për kontratën e lidhur me kompaninë, komisioni pati thënë se çështja është më serioze pasi pati pranuar raporte të punës vetëm për 7 muaj të kontratës, kurse për 27 muajt tjerë raportet nuk qenë dorëzuar fare.

Dikur, kjo kompani i ka mbrojtur edhe vëllezërit Blerim dhe Shkëlqim Devolli, të akuzuar për korrupsion për marrëveshjen me Telekomin.

Burimi i lajmit: FMImeges.net

Author: admin