Tuchel: Nuk është sfidë mes meje dhe Guardiolës, lojtarët duhet të japin gjithçka nga vetja – Telegrafi

Chelsea dhe Manchester City do të përballen në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve në Porto.

Trajneri i Chelseat, gjermani Thomas Tuchel fillimisht ka thënë se nuk është sfidë mes tij dhe Pep Guardiolës.

“Unë kurrë nuk do të mendoj se jam unë kundër Pep, ne nuk kemi një ndeshje tenisi nesër. Pep do të përgatisë ekipin e tij dhe unë do ta përgatis timin në mënyrën më të mirë të mundshme.”

Chelsea e ka mposhtur Manchester Cityn në dy ndeshjet e fundit, por ai thotë se finalja dallon nga ato.

“Ne kemi pasur dy përvoja në dy gara të ndryshme kundër Cityt. Dy ndeshje të ndryshme me dy formacione të ndryshme. Ne kemi përvojën se sa të guximshëm duhet të luajmë në zona të caktuara të lojës”, tha gjermani në një konferencë për media.

Tutje tekniku gjerman ka thënë se futbollistët e tij duhet të mbrojnë mirë dhe të sulmojnë me agresivitet.

“Dua t’i inkurajoj lojtarët e mi, ata nuk duhen të bëjnë llogari, duhet të marrin iniciativën dhe të jenë gjatë gjithë kohës aktivë në fushë. Të mbrojmë dhe sulmojmë me agresivitet”.

“Duhet të japim gjithçka nga vetja, në mënyrë që të mos kemi asnjë peng në fund të ndeshjes”, deklaroi Thomas Tuchel.

Finalja e madhe mes Chelseat dhe Manchester Cityt zhvillohet sonte me fillim nga ora 21:00. /Telegrafi/

Burimi nga Telegrafi

Author: admin