23 Tetor, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Hitzfeld: Xhaka lider i lindur, Shaqiri futbollist i shkëlqyeshëm me shumë potencial – KOHA.net

3 min read

Basel, 7 qershor – Ish-përzgjedhësi i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, ka vlerësuar lart dy futbollistët kosovarë, Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin.

Për dy yjet e Zvicrës, legjenda Hitzfeld ka theksuar se janë lojtarë të klasës botërore. Për Xhakën, gjermani ka thënë se është lider i lindur, ndërsa Shaqiri, sipas tij, është lojtar me shumë potencial.

Xhaka e Shaqiri pritet të jenë bartës të lojës së Zvicrës në Kampionatin Evropian, që nis të premten. Zvicra është në grupin A së bashku me Italinë, Turqinë dhe Uellsin. Me këtë të fundit, Zvicra do ta ketë ndeshjen e parë, të shtunën nga ora 15:00.

Hitzfeld ka arsyetuar deklaratën e dhënë ditë më parë nga Xhaka, se Zvicra ka ekip për të shkuar deri në finale të Evropianit.

“Ai mund ta thotë këtë si lojtar. Ju nuk do të arrini asgjë pa qëllime dhe ëndrra. Graniti është zhvilluar shumë në aspektin pozitiv, ai nuk ishte ende 18-vjeçar kur e solla në ekipin kombëtar. Ai gjithmonë ka qenë një udhëheqës me një nivel tepër të lartë inteligjence në lojë, e cila është e lindur. Mund ta inkurajoni pak, por nuk mund ta zhvilloni. Për mua ai është një lojtar i klasës botërore sot”, ka thënë Hitzfeld në intervistën dhënë të hënën për “Blick”.

Xhaka është futbollist i Arsenalit, por ai nuk ka përjashtuar mundësinë t’i bashkohet pas “Euro 2020” trajnerit Jose Mourinho në Romë. Edhe Hitzfeld këshillon Xhakën të transferohet te Roma.

“Lojtari duhet ta ndiejë veten kur është koha për një sfidë të re. Ai ka qenë tek Arsenali për pesë vjet dhe çdo ndryshim i klubit është një motiv shtesë në moshën e tij. Në Itali do të shtoheshin një gjuhë e re dhe një mjedis i ri. Do të ishte emocionuese për sa i përket futbollit. Italianët janë të fokusuar te taktika, që i përshtatet atij. Përveç kësaj, Jose Mourinho është një trajner emocionues, i cili gjithmonë mbron lojtarët e tij me shumë forcë dhe ka përvojë të madhe. Lojtarët e pëlqejnë atë, gazetarët ndoshta më pak. Shkurtimisht: Unë do ta këshilloja Granitin ta bënte atë”, ka theksuar Hitzfeld, që në krye të Zvicrës ka qenë prej vitit 2008 deri në vitin 2014.

Me iniciativë të Hitzfeldit, si Xhaka ashtu edhe Shaqiri janë ftuar herët në përfaqësuese të Zvicrës. Të dy futbollistët kanë luajtur në kampionate evropiane e botërore.

Hitzfeld ka thënë për Shaqirin se është lojtar i shkëlqyeshëm, por i vjen keq që nuk e ka treguar gjithë potencialin që ka.

“Xherdani ka qenë gjithmonë lojtari i preferuar i tifozëve, sepse ai është një futbollist i shkëlqyeshëm. Ai e ka futbollin në gjak, por deri më tani nuk i ka shfrytëzuar mjaft mundësitë e tij. Ai ka potencial për të bërë më shumë. Ai është duke mbushur 30 vjet dhe është ende një budalla i dashur, por gjithsesi pritet më shumë prej tij në një moment. Pyetja është nëse Liverpooli është klubi i duhur për këtë. Unë do të preferoja që ai të transferohej në një klub tjetër ku luan rregullisht 90 minuta dhe është një performues i shkëlqyeshëm”, ka thënë Hitzfeld.

Ai edhe sot nuk pajtohet me largimin e Shaqirit nga Bayern Muencheni në drejtim të Interit në vitin 2015.

“E kam thënë edhe më herët se ai do të pendohej për një lëvizje të shpejtë nga Bayern Muencheni. Robben dhe Ribery ishin në moshë të shtyrë dhe nëse ai do të kishte durimin për një ose dy vjet të tjerë, do të kishte qenë pasardhësi i tyre. Nuk ishte vendim i mirë për ta lëshuar Bayernin kaq herët dhe për të shkuar në Inter”, ka thënë Hitzfeld për futbollistin e Liverpoolit.

Burimi i lajmit: Koha Net