23 Tetor, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

“Lëvizja Fol” kërkon përsëritjen e konkursit për Komisoner të Agjencisë të Informimit dhe Privatësisë

4 min read

“Lëvizja Fol” kërkon përsëritjen e konkursit për Komisoner të Agjencisë të Informimit dhe Privatësisë.

Organizata joqeveritare “Lëvizja FOL” e cila angazhohet për të fuqizuar ndikimin qytetar në vendimmarrje, për qeverisje të përgjegjshme dhe efikase, ka dal kundër panelit intervistues të Komisionit për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Kuvendit të Kosovës, për shkak të vlerësimit që kanë bërë për zgjedhjen e një Komisionerit/es për Agjencinë e Informimit dhe Privatësisë dhe për këtë arsye kërkon përsëritjen e konkursit.

Përmes një reagimi të postuar në rrjete sociale, “Lëvizja Fol”, ka ngritur shqetësim rreth panelit intervistues të cilët, sipas saj, të gjithë janë nga partia e pushtetit dhe konsideron se mazhoranca ka dështuar ku bëhet fjalë për përfshirjen e opozitiës në këtë proces, njofton Klankosova.tv.

“Ne gjithashtu ritheksojmë shqetësimin tonë në lidhje me përbërjen e panelit intervistues. Me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, paneli është përbërë nga të gjithë anëtarët e komisionit e jo vetëm nga një përfaqësues i partive politike, siç është praktika parlamentare deri tani”, thuhet në reagim.

FOL të dështuar e konsideron edhe opozitën, pasi këta të fundit nuk kanë përmbushur obligimin që të përfaqësojnë interesat e votuesve të vetë, sipas saj.

“Njëkohësisht ne konsiderojmë që opozita ka dështuar ta përmbushë obligimin që të përfaqësojë interesat e votuesve të vetë duke marrë pjesë në kuvend dhe duke dhënë kontributin e saj”, vlerëson “Lëvizja Fol”.

Mirëpo shqetësimi kryesor për organizatën është se paneli intervistues nuk ka përfillur metodologjinë e ekspertëve britanikë e cila ishte pranuar nga kuvendi për të siguruar meritokraci, integritet dhe legjitimitet të proceseve të përzgjedhjes.

Paneli intervistues kishte zgjatur procesin e përzgjedhjes dhe kishte vlerësuar me notën më të lartë, Enver Bujarin, i cili , sipas FOL, kishte dhënë biografi të ndryshme gjatë tre herëve që është intervistuar.

“E para, nga analiza e biografive të të gjithë kandidatëve kemi vërejtur që biografia e dorëzuar në këtë proces nga z. Bujari nuk është e njëjtë me biografitë që ai ka dorëzuar në proceset e mëparshme në disa pika. Sipas biografisë së dorëzuar në vitin 2019 në Kuvendin e Kosovës, z. Bujari kishte deklaruar që ka punuar si shef i njësisë për hetimin e narkotikëve në periudhën 2006-2019, në biografinë e dorëzuar në vitin 2020 ai kishte deklaruar se kishte punuar në atë pozitë në periudhën 2009-2020 ndërsa në biografinë e dorëzuar në vitin 2021 ai ka deklaruar se kishte punuar në atë pozitë në periudhën 2009-2019. Po ashtu, në biografitë e dorëzuara ka shpërputhje në datat e studimeve. Sipas biografisë së dorëzuar herën e parë dhe të dytë, ai e ka kryer fakultetin për shkenca politike dhe administratë publike në kolegjin “Fama” për dy vite (2010-2012) ndërsa sipas biografisë së dorëzuar herën e tretë ai ka kryer fakultetin për tri vite në një periudhë tjetër kohore (2007-2010). Po ashtu, ai ka ndryshuar tri herë datat në të cilat ka bërë studimet në fushën e inxhinierisë, përfshirë emrin e institucionit arsimor. Ne shprehim shqetësimin tonë që paneli rekrutues nuk i ka verifikuar këto informacione”, thuhet më tutje në reagim.

Organizata i ka bërë thirrje deputetëve ta përsërisin konkursin, që kësi lloje gjërash të mos përsëriten.

“Duke e konsideruar procesin tashmë në një fazë shumë të avancuar për të pasur mundësi të përmirësimit të këtyre problemeve, ne i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit që përsërisin konkursin duke siguruar që parregullsitë e tilla të evitohen në të ardhmen dhe Kosova të bëhet me Komisioner/e për Informim dhe Privatësi në baza meritore”.

Zvarritja për emërimin e një Komisionerit/erës për Agjencinë për Informim dhe Privatësi, e cila ka dështuar disa herë në Kuvend t’i marrë 61 votat e duhura, ka detyruar Ambasadën e Britanisë, t’i tërheqë ekspertet e vet që kanë ndihmuar për vlerësimin e kandidatëve nga Komisioni për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Burimi i lajmit: Klan Kosova