September 27, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Trafot e rrymës po shndërrohen në objekte artistike në Drenas – Telegrafi

3 min read

Në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Drenas, trafo e energjisë elektrike ka marrë një pamje krejt ndryshe. Dikur, kjo trafo ishte e mbushur me mbishkrime, por tash e tutje ajo do të jetë pikë referuese.

Kjo pasi ky trafostacion është shndërruar tashmë në një objekt modern artistik nga arti grafik i artistëve vendor. Njëjtë sikurse kjo trafo, edhe disa të tilla po shndërrohen në objekte artistike në lagje të ndryshme të Drenasit.

E gjithë kjo po mundësohet fal bashkëpunimit të KEDS me Komunën e Drenasit, në kuadër të projektit Art n’Trafo. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që trafostacionet e KEDS të shndërrohen në objekte urbane, duke i dhënë gjallëri lagjeve ku ato janë të alokuara dhe njëkohësisht të mundësohet promovimi i artit dhe artistëve të rinj.

Se këto projekte po kanë ndikim pozitiv në komunitet e thotë edhe Drejtoresha e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, Flutra Avdiu.

“Përmes këtij bashkëpunimi me KEDS, ne po bëjmë transformimin e trafove në vepra urbane artistike. Kësisoj, po i japim ngjyra qytetit të Drenasit. Padyshim që e gjithë kjo reflekton në pozitivitet për secilin që kalon andej pari. Ne synojmë që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe me tutje, në mënyrë që artistëve tanë t’u japim hapësirën e nevojshme për të shfaqur veprat e tyre artistike në komunitet”, tha Avdiu.

Ndërkaq, drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Pajaziti-Arifaj thotë se KEDS është i përkushtuar që krahas ofrimit të shërbimeve me energji elektrike, të jetë në shërbim edhe të komunitetit përmes aktiviteteve në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës.

“KEDS që na fillimi i operimit ka qenë i përkushtuar që krahas ofrimit të shërbimeve me energji elektrike, të përkrah komunitetin përmes aktiviteteve të ndryshme në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës. Ndër to është edhe projekti Art n’Trafo, të cilin e kemi nisur në Prishtinë, po e vazhdojmë në Drenas dhe synojmë ta realizojmë në tërë Kosovën. Trafostacionet po i shndërrojmë ne objekte moderne, urbane e artistike. Artistët tanë po promovohen ndërkaq lagjeve po u kthehet gjallëria.”, theksoi Pajaziti-Arifaj.

Kjo nuk është iniciativa e parë për pikturimin e trafostacioneve nga KEDS. Projekte të tilla janë zhvilluar edhe para disa muajve në Prishtinë, ku dhjetëra trafo kanë marrë pamje artistike.

Projekti Art n’Trafo është nismë e KEDS, ku përmes bashkëpunimit me Komunat synohet shndërrimi i trafostacioneve në objekte urbane. KEDS, duke qenë pjesë e këtyre projekteve, shpreh vendosmërinë dhe gatishmërinë që të luajë rol të madh edhe në aktivitetet e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës, që ndikojnë direkt në kualitetin e jetës së komunitetit.

Burimi i lajmit: Telegrafi