November 26, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Historia e Arijan Ademit – tregim për makthin, famën dhe besnikërinë – KOHA.net

4 min read

Historia e Arijan Ademit është e ndarë në dy pjesë. Para nëntorit të vitit 2015 dhe më pas.

Ademi është një nga përfitimet më të mëdha për ekipin përfaqësues të Maqedonisë së Veriut. Është një nga futbollistët më të rëndësishëm që përfaqësuesja e Maqedonisë ka pasur ndonjëherë. Ai në vitin 2014, megjithëse lindi në Kroaci, vendosi ta përfaqësonte Maqedoninë e Veriut, vendin e paraardhësve të tij.

Ademi filloi të luante futboll në moshën 5-vjeçare. Shpejt përparoi në ekipin nga qyteti i lindjes, FC Shibenik, për të kaluar në “Maksimir” te Dinamo në verën e vitit 2010 si 18-vjeçar. Bëri debutimin për Shibenikun në moshën 16-vjeçare, ndërsa do të mbahet mend përgjithmonë si kapiteni më i ri në kampionatin kroat. Në vitin 2009 ai shënoi një gol në ndeshjen e parë me shirit të kapitenit dhe u përjashtua.

Interesante është se në Shibenik ai kishte një rol shumë më sulmues në ekip, por më pas në Dinamo të Zagrebit ai profilizoi veten si lojtar mbrojtës për të pasur më shumë liri, dhe në atë rol ai mbyll “vrimën” e nevojshme në ekipin përfaqësues të Maqedonisë.

Para se të zgjidhte Maqedoninë, pasi u bind nga Agim Ibrahimi, luajti 33 ndeshje për kategoritë e reja të Kroacisë, duke u paraqitur në mesfushë së bashku me Milan Badelin dhe Ivan Rakitiqin. Ademi regjistroi tri ndeshje për ekipin A të Kroacisë, por vetëm miqësore, gjë që ia mundësoi edhe kalimin te Maqedonia. Niko Kovaq nuk e donte atë në radhët e Kroacisë për Kupën e Botës në Brazil. Dhe, për shkak të kësaj, Maqedonia përfitoi duke marrë një prej lojtarëve më të mirë të saj.

Nëse nuk do të ishte kështu në vitin 2014, mbase tani në “Euro 2020” ai do të ishte me fanellën e Kroacisë.

“Por unë nuk pendohem aspak për vendimin tim. Jam vërtet i lumtur me fanellën e Maqedonisë. Kurrë nuk do ta harroj pezullimin tim dyvjeçar, menjëherë u thirra në ekipin përfaqësues nga Igor Angelovski dhe në duelin ndaj Lihtenshtajnit në Strumicë luajta dhe shënova një gol”, tha Ademi për “ekipa.mk”.

Para kësaj Ademi kaloi dy vjet në një makth. Më 22 nëntor të vitit 2015 ai e priti ditën më të errët në jetën e tij. Ditën kur për shkak të një testi pozitiv të dopingut pas duelit në mes të Dinamos dhe Arsenalit në kuadër të Ligës së Evropës, u pezullua për katër vjet nga fushat e futbollit. Ademi më vonë u deklarua i pafajshëm për atë që i ndodhi, kështu që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ia zbriti dënimin në dy vjet.

“Ishte vërtet e vështirë që nga dita e parë e pezullimit, por unë besoja se dënimi do të ulej dhe unë do të kthehesha në fushë. Kam stërvitur, punuar shumë dhe kam pritur. Më duhet të falënderoj të gjithë njerëzit në Dinamo Zagreb, duke filluar nga Zdravko Mamiq që ishte pas meje gjatë gjithë kohës. Të them të drejtën isha duke pritur ditët e fundit të pezullimit, si ushtar. Isha duke i numëruar ditët e fundit të shërbimit tim ushtarak”, kujton Ademi.

Megjithatë, ai kaloi më shumë se një periudhë të vështirë në jetën e tij. Njeriu me zemër luani nuk harroi kurrë se Maqedonia ishte gjithnjë mbështetëse e fortë gjatë dy vjetëve më të vështirë. Më 9 tetor të vitit 2017, ai u kthye në fushë për një ndeshje zyrtare me fanellën e Maqedonisë së Veriut kundër Lihtenshtajnit, në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës për vitin 2018. Ai zëvendësoi Goran Pandevin në minutën e 63-të dhe menjëherë shënoi gol. Ai kurrë nuk e harron atë moment.

“Unë me të vërtetë nuk isha fajtor për atë që ndodhi. Golin e festova me lot sepse edhe sot do të thotë shumë për mua, për Maqedoninë që më dha mbështetje në momentet e vështira. ‘Faleminderit Maqedoni!’”, tregon Ademi.

Dhe që nga ajo ditë ai ndihet i rilindur. Ai kaloi vite fenomenale, të suksesshme si kapiten i Dinamo Zagrebit, që gjithashtu e mbështeti fort gjatë asaj periudhe. As atë nuk e harron.

Kishte një ofertë serioze nga Lille, por e refuzoi duke shfaqur ndershmëri, besnikëri dhe mirënjohje.

Ai tani do të luajë me Maqedoninë e Veriut në “Euro 2020”. Pa dyshim që fokusi i klubeve evropiane këtë verë do të jetë tek Arijan Ademi. Nuk do të jetë befasi nëse lëviz nga Dinamo Zagrebi në një nga pesë ligat më të forta evropiane.

Burimi i lajmit: Koha Net