September 27, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

#Profili – Euro 2020: Çekia kërkon vendin e dytë në grupin e fortë – KOHA.net

5 min read

Përfaqësuesja e Çekisë është kualifikuar për çdo Kampionat Evropian që nga viti 1996, pas ndarjes së saj nga Sllovakia. Ekipi çek hyn në turneun e kësaj vere pas një paraqitjeje të dobët që e pati në “Euro 2016”, ku nuk arriti ta fitojë asnjë ndeshje dhe u eliminua në fazën e grupeve me vetëm një pikë të mbledhur.

Pasi Çekia mungoi në Kampionatin Botëror të vitit 2018 që u mbajt në Rusi, nuk ka dyshim se i gjithë kombi do të jetë i etur për të parë një paraqitje dukshëm më të mirë këtë Evropian, turne në të cilin ka përvojë dekadash. Me një përzierje të lojtarëve me përvojë që bëjnë karrierë në liga të mëdha evropiane dhe talenteve të rritur në shtëpi, repartet e Çekisë janë të kompletuar.

Ndërsa forma e çekëve ka qenë e luhatshme së fundi, promovimi në Ligën A të Ligës së Kombeve në edicionin 2020-21, pa dyshim se i ka motivuar futbollistët për të dhënë një shfaqje të mirë në “Euro 2020”.

Përzgjedhësi dhe taktika

Jaroslav Shilhavy ka qenë në krye të Përfaqësueses së Çekisë për më shumë se tr3 vjet, pasi ka mbajtur më herët rolin e ndihmëstrajnerit për gati një dekadë. Ai ka qenë një trajner i rregullt në krye të skuadrave të elitës së futbollit të Çekisë, përfshirë këtu edhe Slovan Liberecit, ekip me të cilin pati siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në vitin 2012.

Shilhavy e përdor vazhdimisht sistemin e lojës 4-2-3-1, i cili mund të ndryshohet në 4-1-4-1, varësisht prej kundërshtarit që e ka përballë. Me një bërthamë të fortë në mesfushë dhe pasurinë sulmuese në dispozicion të Shilhavyt, çekët kanë një shans për të bërë përparim të mirë në turne.

Shilhavy pothuajse nuk e ndërron përbërjen e parë dhe nuk do të ketë telashe në Evropian. Problemi i vetëm për të mund të jetë portieri, përkatësisht cili do të jetë titullar. Për një vend në portë në garë janë Tomash Vaclik dhe Jiri Pavlenka.

Ylli i ekipit

Tomas Soucek është mesfushori më i rëndësishëm aktualisht te Çekia, duke pasur parasysh paraqitjet e tij në edicionin 2020-21 në Premier League me fanellën e skuadrës së West Ham Unitedit. Ai ka shënuar dhjetë gola në kampionatin anglez dhe do të jetë kyç te Çekia. Dominimi i 26-vjeçarit në luftën në ajër dhe ndërprerja e aksioneve kundërshtare, do të jetë thelbësore në fitimin e betejës në mes të fushës për çekët në Evropian. Ai gjithashtu siguron një prani të fortë mbrojtëse gjatë goditjeve nga këndi dhe gjuajtjet e lira. Ka qenë një nga lojtarët më të ndritshëm te West Hami, që ka siguruar pjesëmarrjen në kupat e Evropës. Kështu që Soucek pa dyshim do të jetë një nga njerëzit më të mbështetur në përfaqësuesen çeke.

Lojtari i së ardhmes

Alex Kral ka qenë një titullar i padiskutueshëm te skuadra ruse Spartak Moska, duke filluar në 29 prej 30 ndeshjeve të luajtura në edicionin 2020-21. Ai gjithashtu ka siguruar edhe pesë asistime për Spartakun, ekip të cilit iu bashkua verën e vitit 2019 nga Slavia e Pragës.

Pasi ka bërë debutimin e tij për Çekinë në vitin 2019, Kral është vendosur në qendër të mesfushës së bashku me emra të tjerë të njohur. Në eliminatoret për “Euro 2020”, Kral ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Çekinë pasi ka shënuar një gol dhe ka asistuar një tjetër në fitoren e rëndësishme kundër Kosovës (2:1). Me lëvizjen e tij të shpejtë, me sy për pasim të saktë dhe shpërndarje të mirë të topave, Kral patjetër do të jetë në mesin e emrave më të rëndësishëm në “Euro 2020”. Partneriteti i tij me Soucekun do të jetë një tjetër tipar intrigues i ekipit që duhet të mbahet nën vëzhgim.

Bilanci

Çekia do të futet në Kampionatin Evropian e motivuar nga katër pikët e mbledhura në tri ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”. Kjo ka bërë që Çekia të renditet e dyta në grupin E. Duke siguruar përfundimin më të mirë si nënkampione e Evropianit, në debutimin e saj në “Euro 1996”, Çekia pa dyshim se do të shpresojë të ketë paraqitje dukshëm më të mirë sesa në Kampionatin Evropian të mbajtur në Francë.

Gjasat

Skuadra e përzgjedhësit Shilhavy në “Euro 2020” bën pjesë në Grupin D së bashku me Kroacinë, Anglinë dhe Skocinë. Me Anglinë që e mposhti Çekinë 5:0 në kualifikimet për këtë Evropian, është e natyrshme që konsiderohet jo vetëm favorite e grupit, por edhe për ta fituar trofeun. Kështu që Çekisë i mbetet të luftojë për pozitën e dytë në grup, në mënyrë që të avancojë në fazën e nokautit. Synimi i Shilhavyt është që të mos eliminohet shpejt nga Evropiani, sikurse në vitin 2016 kur Çekia nuk regjistroi asnjë fitore në fazën e grupeve.

Lista e Çekisë për Evropian

Portierë: Tomash Vaclik, Jirí Pavlenka, Alesh Mandous

Mbrojtës: Vladimir Coufal, Pavel Kaderabek, Ondrej Çelustka, Tomash Kalas, David Zima, Jan Boril, Alesh Mateju, Jakub Brabec

Mesfushorë: Lukash Masopust, Vladimir Darida, Tomash Soucek, Antonin Barak, Alex Kral, Tomash Holesh, Petr Shevçik, Jakub Jankto, Adam Hlozhek, Jakub Peshek, Michal Sadilek

Sulmues: Patrik Schick, Michael Krmençik, Matej Vydra, Tomash Pekhart

Ndeshjet e Çekisë në “Euro 2020”

14 qershor: Skocia – Çekia (15:00, Glasgow)

18 qershor: Kroacia – Çekia (18:00, Glasgow)

22 qershor: Çekia – Anglia (21:00, Londër)

Burimi i lajmit: Koha Net