September 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Zgjedhja e kryetarit e PDK-së para zgjedhjeve lokale konsiderohet e gabuar – KOHA.net

2 min read

Paralajmërimet se këtë muaj do të zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës nuk janë mirëpritur nga anëtarë të kësaj partie.

Mbajtja e konventës zgjedhore në prag të zgjedhjeve lokale është duke u konsideruar e gabuar dhe e dëmshme nga anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj.

Ai madje thotë se procesi i paralajmëruar është duke u bërë vetëm sa për të legjitimuar udhëheqësin aktual.

“Unë mendoj se është koha më e gabuar që të merremi me gjëra të tilla, aq më shumë çka kam mujt me nënkuptu është se bëhet fjalë për një farsë, gjoja për t`i dhënë legjitimitetin ushtruesit të detyrës aktual. Një konventë do të duhej të mbahej pas zgjedhjeve të cilat duhet të organizohen në të gjithë strukturën e PDK-së dhe besoj se duhet të ketë më shumë se një kandidat në këto rrethana”, ka thënë Çelaj.

Por, mbajtjen e kësaj konvente, Imer Mushkolaj, thotë se PDK-ja është duke e bërë me një synim tjetër.

“PDK-ja do të përpiqet që këto dallime ose mospajtime t`i kalojë me sa më pak dhimbje, për shkak se nuk i konvenon që këto dallime të thellohen edhe më shumë e të ndikojnë edhe më shumë për keq në rezultatin e zgjedhjeve lokale të vjeshtës”, ka deklaruar Mushkolaj.

Sipas tij, partisë së drejtuar tash nga Enver Hoxhaj i nevojitet mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në të gjitha strukturat.

Të mërkurën, Hoxhaj nuk ka pranuar të tregojë nëse do të kandidojë për postin e të parti të PDK-së, me arsyen se në pozitën që aktualisht ka duhet të sigurojë kushte që gara të jetë e hapur dhe demokratike.

Lidhur me këtë çështje, edhe gjatë së enjtes KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga PDK-ja, por zyrtarë të saj kanë qenë të paqasshëm.

Ushtrimin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, është duke e bërë që nga arrestimi i Kadri Veselit, në nëntor të 2020-s.

[embedded content]

Burimi i lajmit: Koha.net