September 27, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

#Profili – Euro 2020: Bale e Ramsey, garancia e Uellsit për të befasuar sërish në Evropian – KOHA.net

5 min read

Uellsi hyri në histori në vitin 2016 duke arritur në gjysmëfinale të Evropianit pasi u kualifikua në këtë garë për herë të parë, ku u eliminua nga Portugalia, që u shpall kampione. Sidoqoftë, ishte kjo një arritje e madhe për një ekip që kryesisht ishte llogaritur si autsajder para fillimit të “Euro 2016”. Këtë herë, “dragonjtë uellsian” janë kualifikuar sërish në këtë turne duke përfunduar në pozitën e dytë në grup. Kështu që, Uellsi në “Euro 2020” e ka edhe një rast tjetër për të vjedhur shfaqjen.

Shpresat do të ishin të mëdha përsëri këtë herë, me përfshirjen e shumë të talentuarve të rinj në ndeshjet e fundit. Me gjithë problemet e Ryan Giggsit, Uellsi do të kërkojë të vazhdojë formën e mirë edhe në Evropian nën urdhrat e përzgjedhësit të përkohshëm, Robert Page. Uellsi u kualifikua në “Euro 2020” duke fituar katër nga tetë ndeshjet eliminatore dhe bën pjesë në Grupin A, së bashku me Turqinë, Zvicrën dhe Italinë. Uellsit do t’i duhen lojtarët e moshuar si Gareth Bale dhe Aaron Ramsey të jenë në formë të mirë nëse do të tejkalojnë ecurinë që e patën në vitin 2016. Një skuadër e re dhe energjike mund të jetë e frytshme për Uellsin, me kusht që të jetë e stërvitur mirë dhe e motivuar mirë për punë. Uellsi mund të shkaktojë shqetësime në Evropian, falë kundërsulmit shpërthyes.

Përzgjedhësi dhe taktika

Robert “Rob” Page është një ish-futbollist uellsian që aktualisht vepron si përzgjedhës i përkohshëm i Përfaqësueses së Uellsit. Ai ishte asistent i përzgjedhësit të përhershëm Ryan Giggs para se ky i fundit të arrestohej për akuzat e sulmit në nëntor të vitit 2020. Pas një akuze tjetër për sulm ndaj Giggsit, asistenti i tij, Page u njoftua nga Federata e Futbollit të Uellsit se do të jetë në krye të ekipit për “Euro 2020”. Përvoja e tij e kaluar si trajner, ishte në ligën angleze para se të merrte drejtimin e Përfaqësueses U21 të Uellsit. Dihet që Page preferon një futboll të bazuar në posedimin e topit, që mund të përshtatet me lojë sulmuese kundër skuadrave më të afta teknikisht. Do të jetë një punë e vështirë për Pagen, por ai ka një rekord të mirë deri më tani, pasi ka regjistruar katër fitore në gjashtë ndeshje me Uellsin.

Ylli i ekipit

Padyshim, mesfushorët Gareth Bale dhe Aaron Ramsey, do të jenë yjet e Uellsit, që kërkon t’i sfidojë skuadrat më të mira në të gjithë kontinentin për titullin. Të dy uellsianët, së fundmi u bashkuan për të shënuar kundër Hungarisë që e mposhtën me rezultatin 2:0 për të siguruar kualifikimin në Evropian për herën e dytë rresht. Pavarësisht një sezoni të ngarkuar me lëndime te Juventusi, Ramsey tani është në gjendje të mirë dhe do të jetë i rëndësishëm për Uellsin në fazën e grupeve kundër Turqisë, Zvicrës dhe Italisë. 31-vjeçari Bale e riktheu formën e tij pas huazimit te Tottenhami nga skuadra e Real Madridit që nuk llogariste në shërbimet e tij. Bale ka shënuar 16 gola në të gjitha garat sezonin e fundit për Tottenhamin dhe synon që këtë formë ta shfaqë edhe tek Uellsi në Evropian. Këta dy lojtarë me përvojë do të duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë në një skuadër relativisht të re, të cilën synojnë ta dërgojnë sa më larg në “Euro 2020”.

Lojtari i së ardhmes

Ethan Ampadu është një lojtar i ri, i cili do të tërheqë vëmendjen e shumë skuadrave në të gjithë Evropën kur do të luajë për Uellsin në “Euro 2020”. I riu i Sheffield Unitedit, mund të luajë në dy role, si qendërmbrojtës dhe mesfushor defensiv. Ai ka aftësi të mira si me top, ashtu edhe pa top.

20-vjeçari mund ta shtyjë topin përpara, si dhe të luajë me topa të gjatë me të dyja këmbët dhe është i mirë në ajër, gjë që e bën atë një zgjedhje të mirë për të ofruar mbrojtjen me tre lojtarë, të cilën e preferon përzgjedhësi Page. Ampadu bëri debutimin e tij për Uellsin në moshën 16-vjeçare, gjë që tregon potencialin që ka. Nëse ai mund të shkëlqejë në “Euro 2020” mbetet të shihet, por është e sigurt se Ampadu ka karrierë të ndritshme para vetes.

Bilanci

Duke fituar gjysmën e ndeshjeve të kualifikuese, Uells siguroi pjesëmarrjen në “Euro 2020” për herë të dytë në historinë e futbollit të vendit. Uellsi për herë të parë u kualifikua në Evropian në vitin 2016 duke i befasuar të gjithë pasi fazën e grupeve e përfundoi në pozitën e parë, dhe eliminoi Belgjikën e Irlandën për të arritur deri në gjysmëfinale. Uellsi ka fituar gjashtë nga dhjetë ndeshjet e fundit dhe në “Euro 2020” do të futet me një formë të mirë.

Gjasat

Shanset e Uellsit në “Euro 2020” konsiderohen mjaft të vogla duke pasur parasysh se është tejet vështirë që të përsëritet paraqitja e turneut të shkuar. Uellsi është në një grup të vështirë dhe padyshim se do të përpiqet që fillimisht ta kalojë me sukses fazën e grupeve përpara se të mendojë për më larg. Uellsi ka mangësi në skuadër dhe varet më shumë nga performanca e lojtarëve me përvojë – Bale e Ramsey – sesa performanca e përgjithshme e ekipit. Një skuadër e papërvojë dhe një përzgjedhës i papërvojë, mund të jenë befasia e këtij Evropiani dhe mund t’u shkaktojnë probleme të mëdha ekipeve favorite.

Lista e Turqisë për Evropian

Portierë: Wayne Hennessey, Daniel Ward, Adam Davies.

Mbrojtës: James Lawrence, Ben Davies, Joe Rodon, Chris Mepham, Chris Gunter, Rhys Norrington-Davies, Neco Williams.

Mesfushorë: Joe Allen, Joe Morrell, Ethan Ampadu, Matthew Smith, Jonathan Williams, Kieffer Moore, Aaron Ramsey, Harry Wilson, Gareth Bale, David Brooks, Tyler Roberts.

Sulmues: Tom Lawrence, Rabbi Matondo, Dylan Levitt, Tom Lockyer, Rubin Colwill, Mark Harris, George Thomas.

Ndeshjet e Turqisë në “Euro 2020”

12 qershor: Uellsi – Zvicra (15:00, Baku)

16 qershor: Turqia – Uellsi (18:00, Baku)

20 qershor: Italia – Uellsi (18:00, Romë)

Burimi i lajmit: Koha Net