September 20, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

#Profili – Euro 2020: Finlandezët duan të jenë befasia e Evropianit – KOHA.net

5 min read

Përfaqësuesja e Finlandës nuk kishte bërë asnjë lloj përparimi në skenën ndërkombëtare të futbollit deri vitin e kaluar, kur arriti suksesin më të madh duke siguruar pjesëmarrjen në “Euro 2020”.

Finlandezët më në fund arritën të kualifikohen në një ngjarje të madhe futbolli. Dhe, deri më tani, ky kualifikim mbetet arritja më e madhe e Finlandës në futboll. Finlanda është e vetmja përfaqësuese nordike, përveç Ishujve Faroe, që nuk është kualifikuar kurrë në Kampionat Botëror.

Megjithëse finlandezët kanë arritur të sigurojnë një vend të lartë në renditje të FIFA-s që nga fundi i shekullit të kaluar, paraqitja e tyre në turne të rëndësishëm, mungon.

Këtë verë, Finlanda do të ketë një rast të artë për të dëshmuar rritjen e saj si ekip i futbollit, kur do të paraqitet në Kampionatin Evropian që nis më 11 qershor.

Përzgjedhësi dhe taktika

Markku Kanerva mori rolin e përzgjedhësit të Finlandës në vitin 2016 dhe që prej asaj kohe është pjesë integrale e suksesit të ekipit. Shpesh i referuar si “Rive”, trajneri 56-vjeçar ka udhëhequr ekipin në suksesin historik, kualifikimin në Evropian. Kanerva është një ish-lojtar, i cili gjithashtu punoi si mësues gjatë karrierës së tij si futbollist. Qendërmbrojtësi ka 59 paraqitje me fanellën e Finlandës, kurse në elitën e futbollit finlandez ka regjistruar hiç më pak se 291 ndeshje. Pas daljes në “pension” si lojtar në vitin 1998, ai u fut në zejen e trajnerit dhe u thirr për të stërvitur ekipin U21 të Finlandës, në vitin 2009. Ai e drejtoi ekipin në turne final të Kampionatit Evropian të njëjtin vit, i cili i dha atij çmimin e trajnerit të vitit në Finlandë.

Përfaqësuesja A e Finlandës i ka humbur vetëm 11 ndeshje dhe i ka fituar 19 sosh nën drejtimin e Kanervas. Skuadra nuk ka një formacion të vendosur dhe zakonisht shihet se merr forma të ndryshme në ndeshje. Në ndeshjet e fundit, Finlanda ka luajtur me sistemin 4-4-2, 3-5-2 dhe 5-3-2. Pavarësisht nëse sistemi i lojës është 3-5-2 apo 5-3-2, theksi është më shumë në aspektin e mbrojtjes. Ndryshimi i vetëm është pozicioni i futbollistëve në pozita të caktuara në fushë.

Ylli i ekipit

Teemu Pukki është pa dyshim njeriu yll i Finlandës. Sulmuesi është golashënuesi më i mirë aktiv i vendit me 30 gola dhe është vetëm dy gola larg rekordit të mbajtur nga Jari Litmanen si shënuesi më i mirë i të gjitha kohëve. Megjithatë Pukki është në rrugën e duhur për ta thyer këtë rekord kombëtar pasi ka luajtur 40 ndeshje më pak se Litmaneni. Sulmuesi i Norwich Cityt ka qenë lojtari kryesor për ekipin që sezonin e fundit garoi në Championship dhe përfundoi në pozitën e parë me 96 pikë të mbledhura, duke siguruar promovimin në Premier League. Pukki 31 vjeçar, shënoi 26 gola dhe është i dyti në listën e golashënuesve. Në fakt golat e tij në kampionat e kanë ndihmuar Norwichin të rikthehet në elitën e futbollit anglez. Pukki shpesh luan si sulmues i vetëm dhe është njeriu që kërkohet në fushë nga bashkëlojtarët. Mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për kundërshtarët, pasi shkakton telashe të mëdha para portës. I aftë për të shënuar gola si me këmbë ashtu edhe me kokë, Pukki pritet të jetë forca lëvizëse për Finlandën në pjesëmarrjen e parë në Evropian.

Lojtari i së ardhmes

Një tjetër lojtar i Championshipit të Anglisë, Marcus Forss, është gjithashtu pjesë e Përfaqësueses së Finlandës. Vetëm 21 vjeç, Fross ka shënuar shtatë herë në edicionin e fundit për Brentfordin, duke e ndihmuar që të përfundojë në pozitën e tretë në tabelë. Ai gjithashtu ka shënuar një gol në tri paraqitjet e tij për Finlandën. Titullar i padiskutueshëm në ekipin e të rinjve të Finlandës, Forss ka marrë ftesën për të luajtur për Përfaqësuesen A pas disa paraqitjeve mbresëlënëse. Qendërsulmuesi i ka luajtur 38 ndeshje për Brentfordin dhe zakonisht është inkuadruar në lojë si një zëvendësues, për të ndikuar më vonë në rezultatin e ndeshjes. Ai ka qenë tetë herë titullar te Brentfordi, kurse te Finlanda është i rregullt. Paraqitjet e mira në sezonin 2020/21 i garantojnë atij një vend titullari te ekipi anglez për edicionin e ardhshëm.

Bilanci

Finlanda nuk ka një bilanc të mirë në skenën ndërkombëtare. Nuk ka arritur të kualifikohet në Kampionat Botëror e as Kampionat Evropian deri më tani. Finlanda pati ngritje të lartë në ranglistën e FIFA-s në vitin 2007 kur u rendit e 33-ta, por pa një rënie të ndjeshme që rezultoi në renditjen e saj më të ulët në vitin 2017, kur përfundoi në pozitën 110. Paraqitjet aktuale të Finlandës kanë bërë që ekipi të ngrihet dhe aktualisht të zërë vendin e 54-t. Këtë vit Finlanda ka një mundësi për ta përmirësuar renditjen nëse arrin rezultate të mira në “Euro 2020”. Aktualisht Finlanda ka katër ndeshje pa fitore dhe duhet ta marrë ritmin shpejt përpara se turneu të fillojë në muajin e ardhshëm. Në kualifikimet për “Euro 2020”, Finlanda ishte pjesë e Grupit J dhe përfundoi e dyta, pas Italisë. Në dhjetë ndeshje të luajtura, i fitoi gjashtë dhe i humbi katër, për të grumbulluar 18 pikë që i garantuan kualifikimin. Te Finlanda po shpresojnë që të njëjtën formë ta kenë edhe në Evropian.

Gjasat

Në Evropian, Finlanda është në Grupin B së bashku me Rusinë, Danimarkën dhe Belgjikën. Do të jetë një shpresë joreale që Finlanda të llogaritet se mund të shkojë larg në “Euro 2020”. Në fakt, pjesëmarrja e parë në këtë turne mund të përfundojë në fazën e grupeve për finlandezët. Belgjika është favorite për ta fituar grupin derisa Danimarka e Rusia pritet të luftojnë për pozitën e dytë pasi kanë ekipe më të mira se Finlanda. Megjithatë, Finlanda do ta ketë parasysh se katër skuadrat më të mira që përfundojnë në vendet e treta në fazën e grupeve do të kenë shansin për të avancuar në fazën e nokautit.

Lista e Finlandës për Evropian

Portierë: Lukas Hradecky, Jesse Joronen, Anssi, Jaakkola

Mbrojtës: Thomas Lam, Paulus Arajuuri, Jere Uronen, Juhani Ojala, Sauli Vaisanen, Nikolai Alho, Daniel O’Shaughnessy, Niko Hamalainen, Leo Vaisanen, Robert Ivanov

Mesfushorë: Jasin Assehnoun, Onni Valakari, Pyry Soiri, Fredrik Jensen, Joni Kauko, Glen Kamara, Rasmus Schuller, Tim Sparv

Sulmues: Teemu Pukki, Lassi Lappalainen, Marcus Forss, Joel Pohjanpalo

Ndeshjet e Finlandës në “Euro 2020”

12 qershor: Danimarka – Finlanda (18:00, Kopenhagë)

16 qershor: Finlanda – Rusia (15:00, St. Petersburg)

21 qershor: Finlanda – Belgjika (21:-00, St. Petersburg)

Burimi i lajmit: Koha Net