June 20, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

#Profili – Euro 2020: Zviceranët me Xhakën e Shaqirin synojnë të qëndrojnë gjatë në Evropian – KOHA.net

5 min read

Zvicra nuk është aq e njohur për futbollin e saj, sa është e njohur për produktin e çokollatës dhe djathit. Zviceranët kanë arritur në çerekfinale të Kupës së Botës në tri raste, por këtë e kanë bërë shumë dekada më parë.

Edhe pse mund të ketë prodhuar shumë talente të shkëlqyera si Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, Zvicra nuk ka qenë në gjendje të prodhojë cilësi të mjaftueshme për të sfiduar ekipet më të mëdha në Evropë dhe në botë.

Sidoqoftë zviceranët po formohen për të qenë konkurrentë të ndërlikuar në Kampionatin Evropian, siç bënë në edicionin inaugurues të Ligës së Kombeve. Zvicra e pati eliminuar Anglinë pas penalltive në gjysmëfinale të plejofit të Ligës së Kombeve. Ndërsa në “Euro 2020”, Zvicra do të përpiqet të përmirësojë bilancin e dobët që e pati në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Zviceranët synojnë gjysmëfinalen apo të paktën çerekfinalen.

Përzgjedhësi dhe taktika

Vladimir Petkoviq ka qenë njeriu në krye të Zvicrës tashmë shtatë vjet. 57-vjeçari filloi karrierën e tij të trajnerit vetëm në vitin 1997 dhe ka qenë në krye të ekipeve Young Boys dhe Lazio, përpara së të emërohej përzgjedhës i Zvicrës.

Ish-mesfushori ka udhëhequr ekipin deri në 1/8 e finales të “Euro 2016” dhe botërorit “Rusia 2018”. Ky edhe ishte suksesi më i madh i Zvicrës pas një kohe të gjatë në turnetë e mëdhenj të futbollit. Qëndrimi në krye të Zvicrës e ka ndihmuar Petkoviqin të identifikojë talentet që do t’i shkonin për shtati skuadrës. Petkoviq shquhet për taktikën e tij dhe kryesisht bazohet në formacionin 4-2-3-1. Kështu që prej Zvicrës pritet një paraqitje e mirë në “Euro 2020” nën drejtimin e Petkoviqit.

Ylli i ekipit

Zviceranët nuk kanë mungesë talentesh, por lojtari i tyre më i rëndësishëm pa dyshim se është kapiteni Granit Xhaka. Mesfushori është shumë i mirë në mbajtjen e topit dhe është një pjesë e rëndësishme e ndërtimit të lojës, si për Zvicrën ashtu edhe për Arsenalin. 28-vjeçari është i aftë të bëjë disa nga paraqitjet më magjepsëse në fushë, por ai në disa raste di të bëjë edhe gabime në veprimet e tij. Një pasues i mirë i topit dhe një specialist i gjuajtjes së lirë, Xhaka do të jetë forca lëvizëse e Zvicrës në mesfushë. Me lojtarët si Xherdan Shaqiri dhe Haris Seferoviq para tij, kapiteni duhet të jetë në gjendje të fillojë kundërsulmet për ekipin. Ai ka bërë paraqitje të mira me Zvicrën më shumë sesa që ka bërë me Arsenalin, dhe sytë e Petkoviqit për “Euro 2020” janë të kthyer kah kapiteni i tij.

Lojtari i së ardhmes

Ruben Estephan Vargas Martinez është një nga emrat më të rinj në ekip. Është edhe një nga lojtarët më premtues. Me vetëm 22 vjet, sulmuesi i krahut tashmë ka bërë emër për vete te Zvicra. Në 37 gjuajtjet e tij për ekipin e Bundesligës, Augsburgun, ai ka shënuar gjashtë gola. Ai është rritur në rolin e tij te klubi i ri dhe ngadalë po shndërrohet në idhull të tifozëve.

“Me Ruben Vargasin ne kemi arritur të sigurojmë njërin prej talenteve më të mëdha të Zvicrës, për të cilin edhe klubet më të mëdha të Evropës ishin të interesuara. Rubeni u zhvillua mirë te Luzerni dhe është gati për hapin e madh në karrierë. Ne jemi të bindur se ai është e ardhmja e ekipit tonë”, ka thënë drejtori sportiv i Augsburgut, Stefan Reuter.

Edhe pse luan me këmbën e djathtë, ai është më i përshtatshëm për krahun e majtë dhe është i aftë të luajë në çdo pozicion të sulmit. Ai ka luajtur si sulmues i qendrës dhe sulmues i krahut të djathtë. Zvicerani i ri i ka 12 gola në 61 paraqitje në Bundesligë dhe dy të tjerë në nëntë ndeshjet e tij me Përfaqësuesen A të Zvicrës.

Bilanci

Bilanci i Zvicrës në Evropian është më i keq se arritjet në Kampionatin Botëror. Prej vitit 1964 deri në vitin 1992, zviceranët nuk ishin në gjendje të kualifikoheshin as për një herë të vetme në këtë turne. Ndërsa, që nga viti 1996, ata janë kualifikuar pesë herë, përfshirë këtu edhe “Euro 2020”. Përfundimi i tyre më i mirë në Evropian është ai në “Euro 2016” kur arritën deri në 1/8 e finales kur u eliminuan nga Polonia pas penalltive. Prej 13 ndeshjeve të luajtura në këtë turne deri më tani, Zvicra ka fituar vetëm dy ndeshje. Paraqitja dukshëm më e mirë në vitin 2016 ishte barazimi pa gola kundër Francës në fazën e grupeve, me të cilin siguroi kalimin në fazën e nokautit.

Shanset

Do të ishte joreale të supozohet se Zvicra do të bënte një ndikim të madh në “Euro 2020”. Është pjesë e Grupit A së bashku me Turqinë, Italinë e Uellsin dhe sfida e Zvicrës do të jetë avancimi përtej fazës së grupeve. Por synimet janë për kalim në gjysmëfinale apo së paku çerekfinale. Në letër, Zvicra konsiderohet më e mirë se Uellsi derisa llogaritet të jetë e barabartë me Turqinë derisa Italia mbetet favoritja e padiskutueshme.

Ndeshjen e parë në Evropian, Zvicra do ta luajë më 12 qershor kundër Uellsit. Fabian Schar i Newcastle Unitedit do të jetë një mungesë e dukshme. Qendërmbrojtësi mungon për shkak të lëndimit, por është përfshirë në listë. Albian Ajeti, sulmuesi i Celticut, nuk është futur në listën e zgjeruar për shkak të formës së dobët derisa vend nuk ka pasur as për Michael Langun e Pajtim Kasamin, lojtarë që treguan formë të mirë me ekipet e tyre.

Lista e Zvicrës për “Euro 2020”

Portierë: Yann Sommer, Yvon Mvogo, Jonas Omlin, Gregor Kobel

Mbrojtës: Ricardo Rodriguez, Manuel Akanji, Nico Elvedi, Silvan Widmer, Loris Benito, Kevin Mbabu, Eray Comert, Beçir Omeragiq, Fabian Schar, Jordan Lotomba

Mesfushorë: Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Steven Zuber, Denis Zakaria, Remo Freuler, Edimilson Fernandes, Djibril Sow, Christian Fassnacht, Dan Ndoye

Sulmues: Andi Zeqiri, Haris Seferoviq, Admir Mehmedi, Breel Embolo, Mario Gavranoviq, Ruben Vargas.

Ndeshjet e Zvicrës në “Euro 2020”

12 qershor: Uellsi – Zvicra (15:00, Baku)

16 qershor: Italia – Zvicra (21:00, Romë)

20 qershor: Zvicra – Turqia (18:00, Baku)

Burimi i lajmit: Koha Net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *