August 1, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Kina duket se ka bllokuar aplikacionin Clubhouse

3 min read

Pas një periudhe të shkurtër miqësore, Kina duket se ka bllokuar aplikacionin e komunikimit me audio, Clubhouse, i njohur për stilin e funksionimit përmes ftesave.

Aplikacioni që funksionon vetëm në telefonat iPhone shënoi një rritje mes përdoruesve gjatë fundjavës, të cilët ishin në gjendje të diskutonin tema tabu si ribashkimi me Tajvanin dhe gjendjen e pakicës myslimane në provincën Xinjiang.

Por të hënën, përdoruesit në Kinë filluan të raportonin vështirësi në lidhje, duke nxitur spekulime se aplikacioni ishte bllokuar nga autoritetet.

“Clubhouse krijoi hapësirën që u mungon shumë kinezëve, mënyrën për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe botën përtej murit mbrojtës, të pakufizuar nga censura”, tha Angeli Datt, analist hulumtimesh me Freedom House. “Qeveria kineze bllokoi me shpejtësi Clubhouse sepse e di që mënyra më efikase për të kontrolluar fjalën e lirë është të mbyllësh kanalet dhe mjetet që përdoren për të komunikuar sesa të mbikëqyrësh bisedat e individëve.”

Shtimi i përdoruesve u rrit javën e kaluar kur Elon Musk i kompanive SpaceX dhe Tesla, mori pjesë papritur në një diskutim me Vlad Tenev, shef ekzekutiv i kompanisë Robinhood, aplikaconi kryesor që u përdor në shitblerjen e aksioneve të kompanisë GameStop. Media kineze e mbuloi diskutimin.

Sipas rrjetit mediatik Bloomberg, Clubhouse u bë një temë e nxehtë në median sociale kineze, ndërsa shumë njerëz shitën ftesa për aplikacionin në dyqanin elektronik të gjigandit Alibaba. Disa nga ftesat u shitën deri në 44.60 dollarë, sipas Bloomberg.

Sikurse me shumë aplikacione të ndaluara, përdoruesit kinezë ende mund të sigurojnë qasje në Clubhouse duke përdorur programe të rrjetit privat virtual (VPN). CNN ka njoftuar se shumë njerëz po veprojnë kështu. Një prej tyre ishte Susan Liang, 31 vjeçare nga qyteti Shenzhen.

“Është një mundësi shumë e rallë. Të gjithë kanë jetuar prej shumë kohësh pas murit mbrojtës, por përmes kësaj platforme ne mund të flasim për gjithçka”, tha ajo për kanalin televiziv CNN. “Është si dikush që po mbytet dhe përfundimisht mund të mbushet me frymë”.

Ajo tha se kishte frikë nga shtypja policore sepse programet VPN nuk janë të miratura nga qeveria dhe janë të paligjshme. Agjencia e lajmeve Reuters thotë se Clubhouse nuk u është përgjigjur kërkesave të medias për komente.

Gjatë kohës kur Clubhouse ishte plotësisht aktiv, shërbimi kinez i Zërit të Amerikës vëzhgoi disa kanale të gjuhës kineze ku përdoruesit diskutuan mbi një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë të drejtat e ujgurëve, origjinën e pandemisë së koronavirusit, pavarësinë e Tajvanit, identitetin kombëtar kinez dhe çështje gjinore.

Në një kanal të titulluar “Gazetarët Politikisht të Pasaktë” përdoruesit u përfshinë në një debat të nxehtë lidhur me ndikimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit Donald Trump. Në një tjetër kanal, njerëzit diskutuan mbi të drejtat e grave në vende të ndryshme.

Në kanalin “dhoma e heshtjes” ishte shkruar “Sot është përvjetori i vdekjes së Dr. Li WenLiang. E kujtojmë atë jo sepse ai është hero, por sepse të gjithë ne mund të ishin në vend të tij.” Li ishte mjeku sinjalizues kinez i cili vdiq nga koronavirusi një vit më parë.

Burimi i lajmit: Gazeta Lajm