July 30, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Analistët thonë se Asociacioni po e vë në vështirësi kryeministrin Kurti – Telegrafi

3 min read

Deklarata e Ambasadorit amerikan në Kosovë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të implementohet ka rikthyer vëmendjen e opinionit publik te kjo temë e ndjeshme.

Kosnett të mërkurën tha se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Kryeministri Kurti duke komentuar deklaratat e ambasadorit Kosnett, tha se Kosova nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike.

[embedded content]

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë partitë opozitare nuk kanë të drejtë ta kundërshtojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“LDK dhe PDK duhet ta lusin Albin Kurtin ta implementojë Asociacionin pasi ato vet e kanë nënshkruar atë”, tha Mushkolaj.

Ai thotë se do të ishte gabim nëse kjo temë hapet sërish në Bruksel.

“Asociacionin e kemi marrë obligim. Zoti Kurti nuk është se nuk e ka ditur që dialogu do të jetë prioritet, përfshirë këtu edhe Asociacioni. Atij i ka mbetur në dorë një patate e nxehtë”, shtoi Mushkolaj, përcjell Telegrafi.

Xhevdet Pozhari thotë se Albin Kurti nuk duhet ta mbështesë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ai duhet t’iu qëndrojë besnik parimeve që i ka proklamuar deri më tani. Mos të harrojmë se Asociacioni ishte mollë sherri edhe për rënien e Qeverisë Kurti 1 dhe qytetarët kanë pasur parasysh edhe qëndrimet për Asociacionin”, deklaroi Pozhari.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se versioni i Asociacionit të vitit 2013 nuk mund të kontestohet pasi sipas tij ajo është votuar si marrëveshje ndërkombëtare.

“Kur votohen marrëveshjet ndërkombëtare ato nuk pyesin fare as kushtetutën. Mirëpo Serbia nuk i ka zbatuar disa pjesë të saj, prandaj ne kemi të drejtë për anulimin e saj…Mirëpo çështja është nëse ne jemi të gatshëm për t’u futur në dialog për të bërë kompromise në mënyrë që të marrim njohjen nga Serbia”.

Ymeri megjithatë thotë se Kosova duhet të kërkojë nga ndërmjetësuesit të dijë se cili është ky kompromis për të ardhur njohja nga Serbia.

“Nëse kompromisi është diçka e madhe që pengon funksionimin e shtetit të Kosovës, atëherë Kosova nuk ka interes të vazhdojë me dialogun”, shtoi Ymeri.

Dardan Gashi thotë se ndërkombëtarët nuk janë më të gatshëm të vazhdojnë të mbështesin Kosovën nëse ne nuk jemi të gatshëm për të zgjidhur problemin me Serbinë.

“Realitetet nuk mund të refuzohen. Edhe Marrëveshjen e Vjenës nuk e pranoi Serbia, por ajo rezultoi me Pavarësinë e Kosovës”.

Gashi thotë se Kosova është e varur tërësisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Arton Demhasaj thotë se Kosova nuk ka nevojë domosdoshmërisht për njohjen nga Serbia, por sipas tij dialogu është i nevojshëm për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Dialogu është i domosdoshëm për të na njohur pesë vendet e BE-së. Ende nuk na njeh NATO e Bashkimi Evropian”, shtoi Demhasaj./Telegrafi/

Burimi i lajmit: Telegrafi