July 30, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Eksperimenti i pianistit Granjon sjell në Prishtinë botën e Bachut – KOHA.net

4 min read

Pianisti francez, Jérôme Granjon, është duke realizuar një projekt goxha serioz. Rrugëtimin e tij e ka nisur në Prishtinë. Të mërkurën mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në kuadër të “Chopin Piano Fest-it”, ka nisur interpretimin e 48 preludeve dhe fugave, kryevepra të kompozitorit gjerman Johann Sebastian Bach. Për afro dy orë e gjysmë ka interpretuar gjysmën e tyre. Pjesën tjetër e ka përfunduar të enjten mbrëma.

Se detyra që ai ka marrë është goxha e rëndë vërehet me të vendosur partiturën para pianos. Një interpretim i tillë erdhi për herë të parë në vend dhe ishte diçka e re edhe për publikun, por edhe për vetë pianistin.

Jérôme Granjon është fitues i çmimeve të para në piano dhe muzikë kamertale në “Conservatori National superieur de Musique” të Parisit ku ai studio me Jasques Rouvierin dhe Jean Hubeaun. Ka interpretuar në vende të ndryshme të Evropës, ShBA-së dhe ka viteve të fundit ka qenë i ftuar rregullisht në vendet aziatike. Ka regjistruar disa disqe, duke përfshirë një solo-album me kompozime nga Debussy, Janacek, Scriabin, Schoenberg. Ë në vitin 2019 bëri edhe incizimin e plotë të dy fletoreve të pianos të Bachut. Incizimi mori mjaft vlerësime pozitive nga revista të njohura të muzikës klasike si “Classica”. Këtë cikël të preludeve e fugave e solli premierë në Prishtinë.

Granjon ka thënë se ishte diçka sfiduese por që i pëlqen shumë pasi që krijon një lidhje të fuqishme me publikun.

“Është gjithmonë shumë prekëse që ta luaj këtë vepër të plotë, pasi që nuk është një koncert normal, është një eksperiment edhe për mua, një udhëtim shumë i gjatë. Po ashtu edhe për publikun. Për të nuk është diçka e lehtë, është i gjatë e kërkon shumë përqendrim dhe çdoherë jam i lumtur kur njerëzit bashkohen me mua nëpërmjet muzikës. Është sikurse kur ngjitesh në një mal të lartë, kënaqësia është ndryshe kur e bën vetë gjithë rrugën, në vend se të marrësh një teleferik. Prandaj kur e dëgjon gjithë këtë vepër fundi është gjithmonë shumë i veçantë”, ka thënë ai.

E publiku, i përbërë kryesisht nga të rinj, dukej sikur tentonte të kapte secilën notë. Një interpretim i gjatë por që merr vëmendjen e të pranishmëve që në notat e para. Ishte edhe si mësim për ata që kishin ardhur për të “vjedhur” nga zanati që ka mësuar Granjon, por edhe një përjetim i bukur për këdo që ishte i pranishëm.

[embedded content]

Loja e Granjonit dhe stili i tij, sipas pianistes Valbona Pula-Petrovci, janë diçka nga të cilët mund të mësohet shumë.

“Ato i takojnë epokës së barokut dhe janë pjesë obliguese edhe e studentëve në programet e tyre mësimore çdo vit. Po shoh që ka shumë studentë, ma merr mendja edhe nga kureshtja për t’i dëgjuar. Por të dëgjohen komplet 48 preludet dhe fugat është vërtet raritet dhe ishte një kënaqësi e veçantë, një performim i mrekullueshëm në stil, ashtu siç edhe kërkohet, një atmosferë e mrekullueshme”, ka thënë ajo.

E për drejtoreshën artistike të “Chopin Piano Fest-it”, pianisten Lejla Pula, ardhja e pianistit francez dhe interpretimi i tij ishin një nder.

Ka theksuar faktin se projekti i Jérôme Granjon ka nisur nga Prishtina.

“Ky është një projekt i veçantë, kjo po ndodh për herë të parë në Prishtinë, që të luhen të dy fletoret e preludeve dhe fugave të Bachut. Janë shumë të njohura, është literaturë pianistike obliguese për të gjithë studentët në të gjithë botën. Janë ‘ABC-ja’ e muzikës. Pianisti Jérôme Granjon, i cili ishte mysafir edhe në vitin 2018, është një pianist i jashtëzakonshëm, i cili është laureat i shumë çmime franceze, por edhe ndërkombëtare”, ka thënë ajo. Sipas saj, ky projekt është me rëndësi veçanërisht për studentët, por kap vëmendjen edhe të publikut që mund të mos ketë një shkollim për muzikë klasike.

“Është muzikë e vështirë për ta interpretuar, muzikë polifonike, shumëzërëshe dhe me mrekullinë e interpretimit të tij po na e hap botën e muzikës së Bachut”, ka thënë ajo.

Burimi i lajmit: Koha.Net