July 30, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Gërvalla: Republika e Kosovës është realitet që duhet të pranohet nga të gjithë

2 min read

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka potencuar gjithashtu faktin se Kosova është një realitet që duhet të pranohet nga të gjitha vendet.

Gërvalla këtë e deklaroi sot në takimin e ministrave për Punë të Jashtme në kuadër të Forumit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që po zhvillohet në Antalia te Turqisë.

“Republika e Kosovës, siç e kemi thënë shumë herë, është një punë e kryer dhe është një realitet. Kosova është e njohur nga 22 prej 27 vendeve anëtare të BE-së, dhe nga shumë më tepër vende anëtare të NATO-s, e të OKB-së. Pra, Kosova është një realitet që nuk zhbëhet dhe do të qëndroj gjithmonë. Andaj do të ishte një kontribut shumë i dobishëm, jo vetëm për stabilitetin e rajonit, por edhe për prosperitetin ekonomik të rajonit, nëse edhe ata që ende hezitojnë, do të vendosnin ta pranojnë ketë realitet”, ka thënë ministrja Gërvalla.

Tutje ka nënvizuar faktin që qytetarët e Kosovës janë mbështetësit më të mëdhenj të NATO-s dhe BE-së në gjithë rajonin. Teksa ka folur për Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, ajo ka nënvizuar se të rinjtë dhe të rejat e Kosovës janë përcaktuar për një Qeveri shprese që do të jetë e përkushtuar për sundim të ligjit.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për forcim të sundimit të ligjit dhe për bërjen e vendit tonë një vend anëtarë i respektuar dhe i besueshëm në familjen e kombeve të Evropës, si dhe një vend anëtar të besueshëm në NATO dhe BE. Ne e dimë që kjo nuk është një detyrë e lehtë. Por, ne nuk jemi këtu për tu ankuar për vështirësitë aktuale. Ne jemi këtu për të punuar shumë në mënyrë që të ndryshojmë situatën – për njerëzit tanë, për më të mirën për ta”, plotësoi ajo.

Ndër të tjera ka thënë se Kosova e mbështet bashkëpunimin rajonal jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe duke promovuar vlera siç është demokracia, sundimi i ligjit dhe mundësitë e barabarta për të gjithë, thuhet në njoftimin e dërguar MPJD.

Burimi i lajmit: Klan Kosova