August 1, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Mbyti gruan dhe fajësonte shqiptarët, arrestohet greku – Telegrafi

3 min read

Babis Anagnostopulos i cili i vrau bashkëshorten e tij,  20-vjeçaren britanike Caroline në Gryka Nera të Greqisë, duket që është një vrasës gjakftohtë dhe gjatë gjithë kohës së hetimeve është përpjekur të manipulojë provat e krimit dhe familjarët e 20-vjeçares.

Anagnostopulos pranoi para hetuesve pas tetë orësh marrje në pyetje se krimin e kishte kryer ai dhe më pas sajoi grabitjen.

Piloti 32-vjeçar ka rrëfyer se e mbyti me duart e tij gruan pasi kjo e fundit i kishte thënë se do të largohej nga shtëpia bashkë me vajzën dhe do të ndahej prej tij.

Babis u mor me urgjencë me helikopter në Athinë, ndërsa policia e cila kishte siguruar të gjitha provat i tha se do të jepte disa detaje si dëshmitar okular, pasi kishin arrestuar një person dhe se do ta identifikonte.

Për të mos e trembur, policia e lejoi gjithashtu që sot te merrte pjesë në ceremoninë përkujtimore 40 ditore të organizuar nga familja për Caroline.

Përpara se të largohej sot piloti 32-vjeçar i ka thënë vjehrrës së tij duke e informuar për zhvillimet e fundit se do të identifikojë një të dyshuar.

Në pamjet e publikuara nga mediat greke, Babis shfaqet duke përqafuar nënën e Caroline.

Babis ka treguar para autoriteteve  se pas konflikteve ka mbytur gruan e tij dhe më pas është përpjekur të manipulojë provat dhe të inskenojë grabitjen.

“Mbrëmjen e 11 Majit kemi patur një sherr tjetër. Ajo më nxorri nga shtrati dhe e pashë që po largohej për ta vendosur foshnjen në djep. M’u errësuan sytë dhe ndërsa ajo ishte duke bërtitur, shkova dhe i mbylla gojën me duart e mia. Kur kuptova që kishte vdekur, u përpoqa të mbuloja ngjarjen sepse është edhe një foshnje 11-muajshe. Nuk kisha asnjë bashkëpunëtor, gjithçka e bëra vetë dhe u mundova ta bëja sa më të besueshme”,-ka thënë Anagnostopoulos.

Pas 8 orësh marrje në pyetje, piloti 32-vjeçar pranoi të gjithë krimin pasi u detyrua për shkak të provave që hetuesit grekë i vunë në dispozicion.

Kanë qenë 2 oficerë të policisë greke që qëndruan për plot 8 orë në dhomën e marrjes në pyetje duke bërë që 32-vjeçari “të thyhej” dhe të pranonte krimin e tmerrshëm. Ai tha se kishte frikë që 20-vjeçarja do ta linte dhe se martesa e tyre nuk po funksiononte.

Provat e policisë greke ishin të pakundërshtueshme. Babis Anagnostopoulos kishte ngritur alibinë se gruaja e tij u vra nga grabitësit që hynë në shtëpinë e tyre.

Sipas dëshmisë që kishte dhënë në fillim, ai ishte lidhur nga autorët dhe kishte humbur ndjenjat. Kur ishte përmendur kishte parë gruan të vdekur dhe pranë trupit të saj qëndronte zgjuar foshnja e tyre 11-muajshe.

Madje ai kishte thënë se njëri prej grabitësve ishte shqiptar sepse e kishte dëgjuar të fliste gjuhën shqipe.

Por e gjithë kjo ka qenë një sajesë e tij. Nuk ka patur asnjë grabitje. Vetë ai rrëfeu vrasjen e gruas së tij 20-vjeçare me origjinë britanike. 

Burimi i lajmit: Telegrafi