August 1, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

“Për Romanin dhe Romanet” – testamenti i Dibrës për rrugëtimin letrar – KOHA.net

5 min read

Që kur i kishte dhënë jetë romanit të parë “Nudo”, këtu e 26 vjet më parë, shkrimtari Ridvan Dibra kishte ndier me krejt qenien e tij se fati letrar po i lidhej pazgjidhmërisht me romanin. Ky do të bëhej trualli shkrimtaresk ku do të derdheshin energjitë e tij krijuese “më të mëdhatë, më ambiciozet, më seriozet”. “Edhe përsiatjet, gjykimet, dyshimet e dilemat e mia tashmë kanë një kryefjalë: Romanin”.

Një stivë gati e pafundmë shënimesh vetjake, ndonjëherë edhe kundërthënëse mes vete, që prekin turlifarë trazimesh e problemesh të artit e ekzistencës, janë përmbledhur në librin me të ri “Për Romanin dhe Romanet” të shkrimtarit shkodran Ridvan Dibra.

Botim i shtëpisë botuese “Bard Books”, e cila me këtë libër ka vënë gur themelin e bashkëpunimit editorial me autorin, libri vjen si një lloj ditari që shëtit në prapaskenat e alkimisë së krijimit të shtatëmbëdhjetë romaneve në këta tridhjetë vjet shkrimtari.

Siç e paralajmëron lexuesin që në hyrje, libri është i bërë sipas mënyrës së tij “pa tjerrë teori e traktate” e duke u mbështetur në kujtimet e shënimet për përvojën me secilin roman.

“Rruga ime nisi nga Prishtina”

Duke iu përgjigjur një pengu të vjetër që të realizonte një takim me lexuesit nga Kosova, shkrimtari 62-vjeçar nga Shkodra ka promovuar të enjten mbrëma librin e tij më të ri në mjediset e librarisë “Dukagjini”.

Në këtë promovim që mori formë si dialog me shkrimtarin e kuvendim me dashamirët e letërsisë së autorit, Dibra fillimisht u ka kërkuar të falur të pranishmëve për “mungesë entuziazmi” për shkak të gjendjes së tij pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës kundër COVID-19.

“Rruga ime letrare drejt Tiranës ka kaluar përmes Prishtinës”, ka ftillëzuar rrëfimin e tij Dibra e për idenë që t’i përveshej këtij libri.

Me shënimet e nisura qysh në fillim të viteve ’90, gjendja e makthshme e pandemisë sikur ia kishte ngacmuar një lloj frike që mund t’i linte shëndenë kësaj bote duke marrë me vete ato që duheshin thënë.

Duke e përshkruar këtë libër si një risistemim të shumë mendimeve të lëna në gjysmë, observimeve e përsiatjeve ndër vite, Dibra kishte vendosur që “tepricën e energjisë” ta sendëzonte në një libër që sjell të panjohurat e çdo romani.

“Do ta quaja këtë si një lloj ‘testamenti’ në formë dëshmish për gjithë rrugëtimin tim krijues”, ka thënë Dibra.

“Në gjenezën e romaneve”

I vlerësuar si një nga pesë shkrimtarët më të lexuar shqiptarë të ditëve tona, Dibra ka lindur në Shkodër, aty ku dhe diplomoi në gjuhë dhe letërsi shqipe. Në mesin e shumë çmimeve, romani i tij “Legjenda e Vetmisë” më 2012 do të shpallej si romani më i mirë në botën shqipfolëse duke e bërë fitues të çmimit “Rexhai Surroi”.

Dhe që në faqet e para, “Për Romanin dhe Romanet” hapet si vënie në pah e faktit që për romanin flitet më tepër se çdo lloj tjetër letrar e përpunohen gjithfarë parashikimesh e pandehmash, “prej atyre kobzeza, që paralajmërojnë ‘vdekjen e romanit’, deri tek ato më optimistet, të cilat shenjtërojnë mbretërimin e tij. Si përherë, e vërteta rri diku në mes”.

“Sikur të ruhej velloja e misterit!”

Por si ishte sfida e tij me librin që zbulon sfondin e sa e sa romaneve dhe “shpërthimin e pavetëdijshëm” të tij?

“Nganjëherë them se është një sinqeritet i thellë për gjenezën e secilit roman. Pyes veten nëse romaneve do të duhej t’u lihej më mirë velloja e misterit”, ka thënë Dibra.

Kështu diptiku “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” (1999) dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë” (2003), për befasinë e të gjithëve, kishte nisur prej një problemi personal me një mik, ani pse kritika në këto romane pikasi demitizimin e figurës së Bajlozit.

“Vepra shkoi, pa dijeninë time, përtej problemit personal”, ka shtuar ai teksa ka nënvizuar se ka një lloj pendese që është treguar plotësisht i hapur e nuk ka qenë më diskret.

“Romani – një fëmijë i braktisur”

Teksa ka refuzuar të quhet “shkrimtar profesionist”, shkrimtari i njohur ka rrëfyer edhe përvojat e tij me romanin “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” (2018), por edhe reagimin irracional të drejtuesve të gjimnazeve në Tiranë e Shkodër që sakaq e kishin shpallur atë të “padëshiruar” në mjediset e tyre.

“Më trishton ky keqlexim e ngurtësi në gjykim”, ka theksuar Dibra.

Tutje, ai ka rrëfyer edhe për fatin e disa romaneve të papërfunduara, gjersa ka pëlqyer të bëjë krahasimin mes romanit dhe fëmijës së braktisur.

“Kështu është shkrimtari: shkruan veprën dhe e hedh në rrugë, ia lë atë lexuesit. Të gjithë romanet janë fëmijë të brakisur”.

Shkrimtari i njohur ka shprehur mospëlqimin ndaj sjelljeve të ndonjë kolegu të tij që ngarend të promovojë librin e tij, pavarësisht që “kjo është detyrë e lexuesit dhe kritikës”.

“Pritja që i bëhet romanit tim të parë, është e mirë. Edhe pse jam larg nga qendra, domethënë nga Tirana, jehonat vijnë deri te unë, në Shkodër. Romanin e lexojnë dhe e pëlqejnë sidomos të rinjtë. Botohen disa recensione e shkrime pozitive. Bëhet edhe një propozim për ekranizimin e tij, por që mbetet pa u realizuar. Megjithatë, unë ruaj vazhdimisht një shije të ithët pakënaqësie: kam pritur, ndoshta, diçka më shumë dhe druaj se romani im është keqkuptuar në ndonjë rast”, shkruan Dibra në librin e tij të fundit, teksa është duke evokuar romanin “Nudo” e përvojën e tij me lexues e kritikë.

Derisa për të pranishmit ka folur edhe për dramat e tij, si dhe ato pak sprova në poezi, ai e ka përshkruar veten si soj shkrimtari që pret t’i vijë frymëzimi i vërtetë në marrëdhënien e çdoditshme me letërsinë duke lexuar çdo ditë.

“Me të filluar vepra, unë ndihem mbret dhe fillon jeta ime e vërtetë. Kur shkruaj jam i vërteti”, ka shtuar Dibra.

Burimi i lajmit: Koha.Net