September 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Komuna propozon heqjen e taksës komunale, LDK-ja edhe faljen e borxheve – KOHA.net

4 min read

Komunarët e Podujevës kanë propozuar heqjen e taksës komunale për subjektet afariste që operojnë në këtë komunë. Kjo është bërë nëpërmjet kërkesës për plotësim-ndryshimit të Rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba komunale e cila është vënë në diskutim publik. Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj, ka thënë se këtë çështje e kanë pasur në plan ta sjellin në Kuvend edhe në një seancë të mëhershme.

“Por, meqë ka pasur mospajtime nga grupet parlamentare me propozimet që ne i kemi dhënë, ato i kemi marrë parasysh dhe kemi vendos që nenin 2 të kësaj rregulloreje ta ndryshojmë, ndërsa nenin 6 ta fshijmë dhe ta riformulojmë si në vijim: ‘Subjektet afariste që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Komunës së Podujevës lirohen nga taksa komunale vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste”, ka thënë në seancën e fundit të Kuvendit, Pajtim Balaj.

Kjo është mbështetur nga VV e PDK. Ndërsa, LDK e ka pasur edhe një kërkesë tjetër sa i përket plotësim-ndryshimit të kësaj Rregulloreje. Këshilltari Mehmet Gashi, ka thënë se do të ishte mirë sikur t’i falnin borxhet e kësaj takse që, sipas tij, kanë arritur në 3 milionë euro.

“Unë edhe në mbledhje të Komitetit për Politikë dhe Financa kam kërkuar që neni 6 të hiqet dhe të rifmormulohet me theks të veçantë që të gjitha bizneset të lirohen nga taksa komunale. E di që kjo rregullore është miratua në vitin 2018 edhe pse atë kohë është bë plotësim-ndryshimi dhe e kemi ulë për 50 për qind çmimin e taksave”, ka thënë Mehmet Gashi. “Mirëpo, përveç që kam kërkuar lirimin e të gjitha bizneseve nga taksat po e bëj edhe një sqarim: Kjo taksë e ka bazën nga Ligji mbi financat publike, mirëpo kjo është më problematike për me inkasua. Dhe për shkak se është problem me inkasua, janë mos gabofsha rreth 3 milionë euro borxhe nga vitet e kaluara”.

Këshilltari i LDK-së ka theksuar se në vitin e kaluar nga 150 mijë euro që janë paraparë të inkasohen nga kjo taksë, vetëm 5 për qind janë arkëtuar.

“Në këtë vit për 3-mujorin prej 120 mijë euro që kanë qenë të parapara nga kjo taksë, vetëm 3 për qind janë realizua. Në të ardhmen është mirë që Kuvendi të merret me këtë çështje e ndoshta edhe për shlyerjen e këtyre borxheve, sepse mbetet një performancë shumë e keqe e Komunës për mosinkasim tët ë hyrave vetanake. Pothuajse 95 për qind të subjekteve afariste nuk e kanë paguar këtë taksë”, ka thënë ai.

Në këtë dokument është propozuar që neni 6 të fshihet dhe riformulohet me tekstin si në vijim:

1. Subjektet afariste që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Komunës së Podujevës lirohen nga taksa komunale vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste.

Në pikën 2 të të njëjtit nen thuhet se subjektet afariste që pretendojnë shlyerjen e borxhit si pasojë e mosushtrimit të aktivitetit afarist mund t’i parashtrojnë kërkesë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik për shlyerjen e borxhit duke ofruar dëshmi nga Administrata Tatimor e Kosovës (formularët e qarkullimit tremujor zero-zero) për vitin apo vitet që pretendon sipas kërkesës ose dëshminë për pezullimin e aktivitetit të subjektit afarist për vitin përkatës lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Subjektet afariste të cilat kanë pësuar dëme si pasojë e fatkeqësive elementare, për ndonjë shkak tjetër madhor ose arsye tjera objektive pa fajin e tyre, në bazë të dëshmive të lëshuara nga organet kompetente dhe sipas kërkesës së parashtruar mund t’u shlyhet ngarkesa për vitin në të cilin kanë pësuar dëme. 4. kërkesa për shlyerjen e borxhit 10 euro. 5. Kërkesa për certifikatë si dëshmi për kryerjen e obligimeve 1 euro”, thuhet tutje në të njëjtin nen.

Këshilltarët komunalë e kanë miratuar vënien në diskutim publik të propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba komunale nr.01-431/04-0014941/18.

Burimi i lajmit: Koha.net