July 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Qytetarët në Ferizaj i kërkojnë kryetarit Aliu më shumë projekte infrastrukturore – KOHA.net

4 min read

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në një debat publik me qytetarë të enjten, ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e ekzekutivit për këtë periudhë të vitit.

Ndërkohë është debatuar mjaftë gjatë edhe rreth projekteve që pritet të realizohen nga korniza afatmesme buxhetore për vitin 2022-2024.

Banorët e fshatrave të ndryshme përveç falënderimeve ndaj kryetarit Aliu për realizimin e një varg projekteve, ata kërkuan edhe projekte të tjera duke i konsideruar si të rëndësishme dhe urgjente. Fehmi Ademi banor nga Ferizaj ka thënë se si “kancer” i qytetit është hekurudha e cila po kalon përmes qytetit, andaj propozimi është që kjo hekurudhë patjetër duhet të largohet nga qyteti.

“Po ashtu stacioni i autobusëve duhet të largohet nga ai vend dhe aty të hapet tregu ditor dhe jo të hapet parku sepse për qytetarët është më e rëndësishme mendoj se është ndërtimi i tregut. Po ashtu sa më urgjent duhet të ndërtohet shtëpia e pensionistëve pasi që ajo shtëpia e më hershme e pensionistëve është rrënuar. Po ashtu kemi nevojë për më shumë gjelbërim përgjatë rrugës “Kadri Zeka” e cila është shumë e gjerë por deri më tash nuk është mbjellë asnjë dru dekorativ”, ka thënë Ademi.

Rrahim Neziri, kryetar i fshatit Muhovc, me këtë rast ka sqaruar se banorët kanë bërë kërkesë disa projekte por ende nuk janë shqyrtuar. “Kemi kërkuar trotuar, zgjerimin e urës së fshatit dhe për ndërtimin e një rrethrrotullimi te tregu i kafshëve, mirëpo ende nuk janë shqyrtuar, andaj dua të dimë se kur do të realizohen këto projekte”, ka thënë Neziri.

Sabri Çerkini, përfaqësues i fshatit Koshare, ka thënë se gjatë kësaj kohe janë realizuar një varg projektesh por ka ende nevojë për disa projekte të tjera. “Jemi një fshat me mbi 500 familje, andaj kërkojmë nga komuna të ndërtohet një ambulantë sepse kemi nevojë të madhe për shërbime mjekësore. Urojmë që kërkesa jonë të shqyrtohet nga ekzekutivi dhe të realizohet ky projekt”, ka thënë Çerkini.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, para qytetarëve është zotuar se të gjitha këto projekte do të realizohen brenda një të ardhme të afërt, derisa një pjesë e tyre tashmë janë në fazën e implementimit. Sipas Aliut ndër projektet që po finalizohen gjatë këtij gjashtëmujori është edhe nënkalimi modern për vetura dhe këmbësor, pastaj avancimi i punimeve në prag të përfundimit në projektin transformues “Bashkimi i Qytetit”, fillimi i punimeve për vazhdimin e nënkalimit për këmbësore në rrugën “Emin Duraku” si dhe përfundimi i i punimeve për Fabrikën e Ujit në Talinovc të Muhaxherëve. “Nisi projekti madhor i ndërtimit të vijës rrugore 5.6 kilometërshe, me 4 korsi nga Fshati i Vjetër deri në Prelez të Jerlive si dhe rikonstruktimin e urës në Bibaj, me kosto prej 13.4 milion euro. Po ashtu ka filluam punimet për ndërtimin e Bulevardit të Ri, në shtegun e ngushtë mes Gjimnazit “Kuvendi i Arberit”, Shkollës së Agrobiznesit dhe Palestrës së Sporteve “Bill Klinton”.

Kemi nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit dhe Financimit për asfaltimin e rrugës Talinovc i Muhaxherëve-Rahovicë, shteg rrugore ky me gjatësi 6 kilometër, me shteg për çiklistet e trotuaret që kap vlerën buxhetore të 3.5 milionë eurove. Kemi avnacuar punimet në ndërtimin e Stacionit të Ri të Autobusëve si dhe kemi bërë edhe asfaltimin e rrugëve “Cen Dugolli”, “Sharrit”, “Mulla Idriz Gjilani”, “Lybeteni” dhe “Idriz Seferi” në zonën urbane”, ka thënë Aliu, përderisa ka shtuar se është bërë edhe riparimi i tërësishëm i infrastrukturës në rrugën ndër kryesore të qytetit atë të “12 Qershori”, por edhe rrugëve të tjera të cilat janë bërë me trotuare në fshatrat, por edhe asfaltime të tjera. “Asfaltuam edhe 4 kilometër rrugë në Gaçkë dhe mbi 4 kilometër rrugë në dardani, ndërkaq tashmë pritjes së gjatë të banorëve të fshatrave Bablak, Babush për infrastrukturën rrugore, po vjen fundi me asfaltimin e këtij segmenti rrugore. Rreth 700,000 euro buxhet po investojmë në ndërtimin e mbi 50 kilometrave rrjet të ujësjellësit për fshatrat Sojevë, Dardani, Zllatar, projekt ky që i jep zgjidhje pas sa vitesh mungesë, nevojës bazë të qytetarëve, nevojës për ujë”, ka njoftuar Aliu. Ai ka përmendur edhe projektet në arsim, në fushën e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik dhe turizmit, në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, në fushën e bujqësisë, por edhe në fushën e kulturës. Ndërkaq, sa i përket kornizës, Afatmesme Buxhetore 2022-2024, Aliu ka thënë se buxheti komunal është 34 milion euro, që është një ngritje në krahasim me vitin e kaluar, derisa 10 milion euro janë paraparë për investimet kapitale, 5 milion për mallra dhe shërbime dhe 1 milion për subvencione.

Burimi i lajmit: Koha.net