July 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Klinaku i reagon kryeprokurorit të Speciales: Ke filluar t’i zgjerosh armiqtë – KOHA.net

3 min read

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, i ka reaguar kryeprokurorit të Speciales, Jack Smith, në lidhje me arsyet se pse Kadri Veseli duhet të mbetet në paraburgim.

Sipas dosjes së dërguar te gjyqtari i Procedurës Paraprake të Hagës, Smith në argumentin se pse Veseli duhet të mbetet në paraburgim ka listuar edhe deklaratën e Klinakut i cili kishte thënë se ‘’do të publikojë përsëri dokumente të Gjykatës Speciale në rast se më bien në dorë’’, si dhe argument tjetër është përdorur fushata ‘’Liria ka emër, UÇK’’,

Këtij argumenti, Klinaku i është kundërpërgjigjur në profilin e tij në Facebook, duke shkruar se prokurori Smith ka filluar t’i zgjerojë armiqtë.

‘’Prokurori Smith i “Dhomave të Specializuara” në Hagë, ka filluar tani t’i zgjerojë armiqtë. Në rastin e Veselit, përveç që merret me mua, merret edhe me fushatën “Liria ka emër, UÇK”. E valla nuk kemi çfarë t’i bëjmë, sepse gojën nuk mund ta mbyllim dhe Liria ka emrin UÇK e krimi ka emrin Serbi’’, ka shkruar ai.

Por çfarë shkruan në dokumentin e Gjykatës Speciale, në argumentet e prokurorit për Klinakun?

“Më 4 qershor të vitit 2021, Faton Klinaku, kryetari në detyrë i Veteranëve, një organizatë e përbërë nga ish-vartës të të akuzuarve me një anëtarësi solide prej mbi 40 mijë ka dhënë një intervistë në të cilën premtoi se do të publikojë dokumente konfidenciale të Dhomave të Specializuara nëse i bien në dorë. Kjo është e jashtëzakonshme, duke vënë në spikamë se Klinaku është kryetar në detyrë, sepse kryetari i mëparshëm dhe nënkryetari i Veteranëve të UÇK-së po ndiqen penalisht në Dhomat e Specializuara për sjellje identike”, shkruhet në dokument.

Sipas Smith, kjo shihet si gatishmëri të “përkrahësve të akuzuarit (Kadri Veseli) që të pengojnë procesin”, ndërsa ‘’vazhdimi i paraburgimit është i domosdoshëm’’.

Kryeprokurori Smith ka përmendur edhe fushatën “Liria ka emër, UÇK”, që sipas tij ka bërë jehonë kohëve të fundit, teksa thotë se është e provuar që Veseli ka ndikim tek ish-vartësit dhe përkrahësit.

“Fushata ka qenë shumë e zëshme në muajt e fundit, duke demonstruar një rrjet konkret dhe aktiv mbështetës për të akuzuarin”, thuhet në dokumentin e Prokurorit Smith.

Smith ka listuar edhe argumente të tjera se pse Veselit duhet t’i vazhdohet paraburgimi.

Ndërkohë, Smith ka përshëndetur ‘’sjelljen shembullore’’ të Veselit gjatë vizitës së tij në Kosovë për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të babait të tij. Por sipas tij, kjo nuk e ndryshon nivelin e rrezikut nga argumentet e lartpërmendura.

Shkarko dokumentin 

Burimi i lajmit: Koha.net