September 27, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Sot zhvillohen këto ndeshje në Kampionatin Evropian

5 min read

Italia u bë përfaqësuesja e parë që garantoi pjesëmarrjen në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë dhe tani skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Mançini duhet të mendojë thjesht për të siguruar edhe vendin e parë në grup.

Të mërkurën, në mbrëmje, skuadra “azzurre” mundi thellë Zvicrën 3-0, falë një lojë vërtet shumë të mirë, për të vijuar rrugëtimin me 100% të pikëve, kështu që ndaj Uellsit, në takimin përmbyllës të Grupit A, vendësve iu mjafton edhe një pikë për të garantuar përfundimin e ndeshjeve të fazës hapëse pikërisht në vendin e parë.

5 vjet më pare, në Francë, Italia e Antonio Contes përshkoi në mënyrë identike po të njëjtën rrugë, por për hir të së vërtetës, pas fitoreve ndaj Belgjikës dhe Suedisë në takimin e fundit “azurri”-t u mundën minimalisht 1-0 nga Republika e Irlandës. Në vazhdim italianët eliminuan Spanjën 2-0 në fazën e 1/8, ndërsa në çerekfinale, siç dihet, aventura e tyre në Europianin francez u mbyll në Bordeaux nga Gjermania, pas gjuajtjeve të 11-metërshave.

Italia do të ketë pra sërish privilegjin për të luajtur në shtëpi dhe Stadiumi Olimpik i Romës mbetet një ogur i mirë për ta. Në takimin hapës të edicionit të 16-të të Kampionatit Evropian Turqia u mbajt mirë në pjesën e parë, megjithatë në fraksionin e dytë të lojës mjaftoi një autogol i mbrojtësit të Juventusit Merih Demiral për të zhbllokuar jo vetëm rezultatin por gjithashtu edhe skuadrën e Mancini-t, që shënoi më pas edhe dy herë të tjera me anë të dyshes Immobile – Insigne. Në sfidën e dytë nuk u kuptua shumë nëse u shfaq dobët Zvicra apo qëndronte shumë lart në aspektin e lojës skuadra italiane, sidoqoftë në mesjavë radhën për të shkëlqyer e pati mesfushori i Sasuolos Manuel Locatelli, që kishte gjetur rrjetën vetëm 1 herë në 11 takime me fanellën e ekipit kombëtar, ndërsa ndaj përfaqësueses helvete 23-vjeçari lombard shënoi dy gola, nga një për çdo pjesë. Rezultatin 3-0 e vulosi Ciro Immobile, kështu që Italia tani ka dy futbollistë në kuotën e dy golave në këtë evropian.

Ekipi uellsian konsiderohet si një “kockë e fortë”, duke patur parasysh faktin që “dragonjtë” ia dolën për të shkuar deri mes katër skuadrave më të mira, që në debutimin e tyre në fazën finale të një evropiani. Italia që mban aktualisht vendin e shtatë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s merr pjesë për herë të 10-të në një evropian. Vendësit krenohen me titullin e fituar në shtëpi në vitin 1968, ndërkohë përfaqësuesja “azzurre” numëron gjithashtu edhe dy finale të humbura në vitet 2000 e 2012, respektivisht me vende si Franca dhe Spanja, ndërsa Uellsi, për momentin, mban vendin e 17-të në renditjen botërore dhe me katër pikët që kanë “dragonjtë” në klasifikimin e Grupit A me shumë gjasa ekipi i drejtuar nga trajneri i përkohshëm Rob Page nuk duhet të ketë shumë probleme për të kaluar në fazën e knock out-it.

Nëse Italia nuk humbet takimin me Uellsin dhe ruan kreun e Grupit A atëherë sipas shortit të përcaktuar skuadra e Roberto Mancini-t do të udhëtojë drejt “Ishullit”, për të matur forcat në Wembley me përfaqësuesen që do të renditet në vendin e dytë në Grupin C, pra Ukrainën ose Austrinë.

Italia numëron plot 29 ndeshje pa humbje, madje skuadra “axurre” nuk ka pësuar qoftë edhe një gol të vetëm në 10 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet. Disfatën e fundit ekipi i Mançinit e ka pësuar në shtatorin e vitit 2018 në Ligën e Kombeve, në “Da Luz” të Lisbonës, falë golit të shënuar nga sulmuesi portugez, Andre Silva.

Në këtë mënyrë, Italia ka shënuar plot 31 gola radhazi pa pësuar, ndërsa Uellsi ka humbur vetëm duelin me Francën në 6 sfidat e fundit në të gjithë aktivitetet. Trajneri Rob Page i ka të gjithë në dispozicion, ndërsa te Italia mbetet për t’u parë formacioni që do të përzgjedhë Roberto Mançini.

Vendasit mund të ishin akoma më të fortë, nëse nuk do të humbnin mesfushorë të rëndësishëm si Nikolo Zaniolo, Lorenzo Pellegrini apo Stefano Sensi, gjithsesi para takimit me Uellsin Italia ka me probleme fizike dyshen e Paris SG Marco Verratti – Alessandro Florenzi si dhe kapitenin Giorgio Chiellini.

Në krahun tjetër Uellsi do të mundohet për të ruajtur vendin e dytë dhe një pikë do të ishte e mjaftueshme për t’i shortuar “dragonjtë” në Amsterdam, përballë ekipit që do të pozicionohet në vendin e dytë në Grupin B, pra me një nga treshja Rusi, Danimarkë, Finlandë. Dy vendet janë përballur gjashtë herë në sfida kompetitive dhe Italia kryeson 5-1, ndërkohë duke shtuar edhe tre ndeshjet miqësore bilanci i përgjithshëm shkon në 7-2 në favor të të kaltërve.

Për herë të fundit dy vendet janë takuar në shtatorin e vitit 2003 kur Italia triumfoi 4-0 në San Siro, falë tre golave të shënuar nga Filippo Inzaghi. Takimi do të mbahet në orën 18:00 në stadiumin “Olimpico” dhe do të drejtohet nga kryesori rumun Hategan, ndërkohë po në të njëjtën orë në Stadiumin Olimpik të Bakusë Zvicra do të përballet me Turqinë dhe përfaqësueses helvete i nevojitet patjetër fitorja, për të kaluar në fazën e ndeshjeve të tjera, me eliminim të drejtpërdrejtë. /Supersport/

Burimi i lajmit: Epoka e Re