23 Tetor, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Koci: Dhunimi si armë lufte – KOHA.net

3 min read

Avokati Arianit Koci vlerëson se dënimi i sotëm i kriminelit serb Zoran Vukotiq për dhunim të një gruaje shqiptare gjatë luftës në Kosovë, është triumf i drejtësisë, porse sipas tij, për dënimin e dhunuesve të tjerë, gratë kanë nevojë për përkrahjen e familjes dhe shoqërisë.

Në një postim në Facebook, të titulluar “Dhunimi si armë lufte”, Koci ka thënë se dhunim nuk ishte incident i izoluar, por ishte pjesë e sulmit sistematik dhe është përdorur si armë lufte kundër popullatës civile shqiptare – duke goditur gruan shqiptare, me qëllim të poshtërimit dhe degradimit të saj në familje dhe shoqëri.

Vukotiq u dënua sot më 10 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.

“Krimineli Zoran Vukotiq para luftës ka punuar si referent në Gjykatën Komunale në Vushtrri, andaj ishte i njohur për qytetarët e Vushtrrisë me rrethinë. Më 2016, me kërkesën e Kosovës ishte ekstraduar nga Mali i Zi, për shkak të krimeve të luftës të kryera në territorin e Vushtrrisë (masakra e Studimes dhe keqtrajtimet në burgun e Smrekonicës). Pasi filloi gjykimi në gjykatën e Mitrovicës, viktima e dhunës seksuale e ka parë në TV dhe e ka njohur si kryesin e dhunimit ndaj saj.

Me përkrahjen e plotë të bashkëshortit, ajo ka shkuar në Prokurorinë Speciale dhe e ka raportuar rastin. Pasi që Prokurorja Speciale Drita Hajdari i hapi hetimet, u kërkua pëlqim nga autoritetet e Malit të Zi, për procedimin penal të këtij rasti.

Mali i Zi e ka dhënë pëlqimin dhe krimineli Vukotiq është ekstraduar. Vendimi i sotëm është triumf i drejtësisë, në radhë të parë falë viktimës e cila nga fillimi deri në fund ka qenë e vendosur që kryerësi i kësaj vepre monstruoze të qitet para drejtësisë. Merite të madhe ka edhe bashkëshorti i saj, i cili vazhdimisht e ka përkrahur bashkëshorten e vet, në kërkim të drejtësisë”, ka shkruar Koci.

Sipas tij, menjëherë pas përfundimit te luftës, rasti është raportuar në UNMIK e më vonë edhe në EULEX. Nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

“Zoran Vukotiq gjatë luftës ka qenë pjesëtar rezervë i policisë dhe veprën e dhunimit e ka kryer në një shtëpi te varrezat myslimane në Vushtrri. Krimineli Vukotiq, dhunimin e ka kryer i ndihmuar nga një polic tjetër, në një dhomë ku ishin edhe 5 gra të tjera të dhunuara. Ky dhunim nuk ishte incident i izoluar, por ishte pjesë e sulmit sistematik dhe është përdorë si armë lufte kundër popullatës civile shqiptare – duke goditur gruan shqiptare, me qëllim të poshtërimit dhe degradimit të saj në familje dhe shoqëri. Gratë e dhunuara kanë nevojë për përkrahjen tonë; në radhe të parë duhet të përkrahen nga familja dhe shoqëria. Shumë raste të dhunimit, nuk po mund të procedohen penalisht, për shkak se viktimat nuk po e kanë përkrahjen e familjes dhe të shoqërisë, që t’i denoncojnë krimet monstruoze”, ka shkruar Koci.

Ai i ka quajtur heroina viktimën dhe prokuroren Drita Hajdari.

“Si zakonisht, gratë janë forca shtytëse e shoqërisë sonë. Hero është edhe burri i viktimës. Prej sot, asnjë kriminel serb nuk do të flejë rahat”, ka shtuar ai.

Burimi i lajmit: Koha.net