22 Tetor, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

“Qendra Multimedia” s’i merr 5 mijë eurot e Ministrisë së Kulturës: “Jua kthejmë mbrapsht me neveri” – KOHA.net

3 min read

“Qendra Multimedia” ka vendosur t’ia kthejë Ministrisë së Kulturës 5 mijë eurot që ia ka ndarë në kuadër të mbështetjes së projekteve kulturore. E ka bërë këtë në shenjë proteste e duke refuzuar të bëhet “pjesë e një procesi të komprometuar të ndarjes së fondeve publike”.

Kjo qendër, të enjten, nëpërmjet një letre të hapur drejtuar MKRS-së, ka renditur akuza të rrepta ndaj këtij institucioni. “5 mijë euro! Jo faleminderit, po jua kthejmë mbrapsht me neveri!”, shkruhet krejt në fillim të letrës.

“Qendra Multimedia”, në fillim të korrikut, në “Listën preliminare të projekteve përfituese në kulturë, rekreacion, sport” figuronte fituese e 5 mijë eurove si mbështetje për edicionin e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë që mbahet në Prishtinë, “Polip”. Reagoi edhe atëherë teksa MKRS-së iu drejtua me ankesë. Por nuk ndryshoi gjë as me listën përfundimtare që u publikua të mërkurën.

“Qendrës Multimedia kjo ministri ia kishte ndarë vetëm 5,000 euro për edicionin e 11-të të Polipit, Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë që mbahet në Prishtinë, ndërkohë që projekti ynë i rëndësishëm teatror ‘Balkan Bordello’ nuk ishte në atë listë. Duhet ta nënvizojmë: ky është bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Pra, edhe një herë: i vetmi bashkëprodhim ndërkombëtar në fushën e teatrit. Bashkëprodhim i ‘Qendrës Multimedia’ nga Prishtina dhe ‘La MaMa-s’ nga Nju Jorku, që është njëri prej teatrove më të njohur në botë”, shkruan në letrën e “Multimedias”, teksa bëhet me dije se në ankesë, duke “qenë të vetëdijshëm se ata mund të kapeshin për ‘kritere ligjore e administrative’”, kanë dhënë shembuj se ata në listën e publikuar preliminare të projekteve të mbështetura nuk kishin qenë striktë në përfilljen e këtyre kritereve “ligjore e administrative”.

“Mes projekteve të financuara sërish nuk është ‘Balkan Bordello’. Kjo na mbush me mllef e neveri. Por, në të njëjtën kohë, na mbush mend dhe na kthjell, se në Ministrinë e Kulturës në Kosovë nuk ka ndodhur kurrfarë ndryshimi. Ajo ministri vazhdon të prodhojë politika kulturore krahinore e lokaliste, politika të akraballëkut (që ndonjëherë peshojnë deri edhe 15,000 euro) dhe se kriteret e deridjeshme për njohje politike – si parakusht për qasje në fondet publike – vazhdojnë të jenë kritere edhe të sotme”, shkruhet në letër. Refuzimi i mbështetjes nga MKRS-ja për “Multimedian” nuk vjen vetëm si refuzim që “të bëhet pjesë e një procesi të komprometuar të ndarjes së fondeve publike”.

“Refuzon ta bëjë këtë me një ministri të këtillë të Kulturës, e cila ia shpërfill me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20-vjeçar në fushën e teatrit e letërsisë. Si rrjedhojë, 5,000 eurot të cilat MKRS na ka ndarë ne si ‘Qendra Multimedia’ i kthejmë mbrapsht – MKRS mund t’ia japë ‘Manifestës’, së cilës në kurriz të skenës kulturore ia ka ndarë 700,000 euro, pra me këtë ‘donacion’ tonin le t’i bëhen 705,000”, shkruhet në fund të letrës.

Burimi i lajmit: Koha.Net