July 30, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Uji në Deçan i kontaminuar, Komuna shkëputet nga “Hidrodrini” – KOHA.net

2 min read

Pas analizave mikrobiologjike Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë në përfundim se uji në Deçan ka qenë i kontaminuar.

Në një komunikatë për media nga ky institucion bëjnë me dije se janë identifikuar disa baktere.

“Në mostrat e ujit të marra më datën 12. 7. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK- Prishtinë, janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshme viralë, bakterorë dhe parazitarë”, thuhet në raportin e IKSHPK-së.

IKSHPK-ja ka dhënë edhe dhjetë rekomandime për menaxhim të situatës, ku kërkohet shtimi i punës së Inspektoratit Sanitar dhe atij Shëndetësor, furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije, pas rikthimit të ujit në rrjetë rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri.

Pas kësaj kryetari i Komunës së Deçanit ka dalë në konferencë për media, ku ka njoftuar për hapat e mëtutjeshëm.

“Kompania rajonale ‘Hidrodrini’ nuk do të ketë më nën menaxhim rajonin e Deçanit. Do të themelohet një kompani tjetër për furnizim me ujin e pijes”, ka thënë Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit.

Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar shkaqet.

Kontrolle për hulumtimin e shkaqeve në ujin e pijshëm në këtë komunë kanë kryer edhe Inspektorati Sanitar ai Qendror dhe Komunal.

Në një përgjigje me shkrim nga kryeinspektori Halil Tolaj bëhet e ditur se nuk ka asnjë konkludim.

“Kemi marrë mostra nga terreni të zarzavateve pasi na është rekomanduar nga Inspektorati Qendror dhe kështu po veprohet prapë në hulumtimin dhe inspektimet me qëllim të gjetjes apo eliminimit të këtyre problemeve tashmë të ndodhura. Janë inspektuar shumica e ujësjellësve dhe pusetave për identifikimin e mundshëm të shkaktarëve. Deri më tani nuk kemi ndonjë konkludim”, ka thënë Tolaj.

Për shkak të helmimit me ujë të pijshëm deri të enjten në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë mbi një mijë qytetarë. Për 24 orët e fundit 252 qytetarëve të kësaj komune u është ofruar shërbim mjekësor.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas një vizite të dytë në Deçan ka thënë se gjendja atje është nën kontroll.

Burimi i lajmit: Koha.Net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *