July 22, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Ish-ministri i Kulturës, tash kryetar partie, me premtime për “Agimin” – KOHA.net

4 min read

Ish-ministri i Kulturës, tash kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se shoqëria kulturore artistike “Agimi” në Prizren meriton përkrahje më të madhe institucionale, marrë parasysh kontributin e saj prej afro tetë dekadash në kultivimin e vlerave kombëtare. Duke pranuar moszhvillimin e takimeve që prej se ka lënë postin e ministrit të Kulturës, Krasniqi para drejtuesve të “Agimit” ka thënë se në rolin e tij të ri është interesuar që të mësojë për gjendjen e tanishme të kësaj SHKA-je.

“Njëra prej kërkesave të mia të para ka qenë me ardhë me vizitu ShKA ‘Agimin’ për shkak të respektit që duhet secili me pasë ndaj vlerave gati 8-dekadëshe që i ka prodhuar ky institucion… Një institucion si ky, meriton një mbështetje substanciale”, ka thënë Krasniqi, teksa ka kërkuar sqarime nga kryetari i shoqatës, Festim Bytyqi, për sfidat aktuale. Memli Krasniqi ka qenë ministër i Kulturës prej shkurtit të 2011-s deri në dhjetor 2014.

Kryetari i ShKA “Agimi”, Festim Bytyqi, e ka njoftuar mysafirin se kjo shoqatë ka një histori veprimtarie prej 77 vjetësh, gjatë së cilës periudhë si në vend ashtu edhe në botë i ka shpalosur vlerat e mirëfillta kombëtare. Ai ka përkujtuar se gjatë këtij historiku në këtë ShKA kanë defiluar mbi 5 mijë anëtarë, dhe se nga gjiri i saj kanë dalë emra të mëdhenj të kulturës dhe aktivizmit shqiptar, si të ndjerët Anton Çetta, Nexhmije Pagarusha, e të tjerë.

“Por edhe në këtë kohë ne po gjejmë fuqi që në mënyrë vullnetare ta mbajmë vazhdimësinë e aktiviteteve kulturore, me ç’rast funksionojmë në katër seksione: orkestrën me këngëtarë, seksionin e valleve, të korit si dhe të grupit letrar”, ka deklaruar Bytyqi, duke shtuar se kjo ShKA është themeluese e festivalit “Zambaku i Prizrenit”, dhe rishtazi i festivalit të këngës qytetare.

Si sfidë kryesore ai ka përmendur çështjen e papunësisë së anëtarëve të shoqatës, gjë që, sipas tij, krijon vështirësi në motivimin e tyre. “Prandaj apeloj që njerëzit që kontribuojnë me aktivitete kulturore në mënyrë vullnetare, të kenë përparësi në punësim, për të siguruar mirëqenien e tyre”, ka deklaruar Bytyqi.

Ish-ministri Krasniqi ka pohuar se në mesin e shumë vlerave që ka Prizreni bën pjesë edhe ShKA “Agimi”, pasi është “ndër shoqëritë më të rëndësishme që i ka dhënë më së shumti kulturës dhe traditës sonë kombëtare, veçanërisht në fushën e muzikës. Një qytet duhet me u mburr me një trashëgimi të tillë”, ka thënë ai. Me këtë rast ka pohuar se krahas nivelit qendror, edhe ai lokal duhet t’i kushtojë rëndësi një vlere të tillë.

ka risjellë në kujtim se si e ruan me xhelozi mirënjohjen e ndarë nga kjo shoqëri gjatë kremtimit të 70-vjetorit, për të vlerësuar punën e bërë e që njëherësh ka qenë obligim, në cilësinë e drejtuesit të MKRS-së.

“Sot nuk ndihem mirë kur e shoh gjendjen në të cilën është ShKA ‘Agimi”, sepse mendoj se meriton më shumë. Por pa dashur të kthehem në politikë, nuk është se jam i kënaqur edhe me gjendjen në të cilën është Prizreni, sepse edhe Prizreni meriton më mirë e më shumë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk dëshiron që të bëjë politikë në një tempull të kulturës, por ka kujtuar se legjislacioni mundëson mbështetje të qëndrueshme për këtë SHKA, meqë, sipas tij, përkrahja e kulturës është obligim.

“Nga pozicioni im si kryetar i PDK-së, ju ofroj dhe shpreh gatishmërinë e plotë me ju mbështet kudo ku mundemi”, ka përfunduar Krasniqi.

ShKA “Agimi” u themelua në nëntor të vitit 1994. Në fillim si ekip kulturor i Komitetit Shqiptar, ndërkohë që më 17 mars të vitit 1949 merr emrin ShKA “Agimi”. Me formimin e kësaj shoqërie fillon jeta e organizuar kulturore e amatore e shqiptarëve të Prizrenit. Në programin e saj gjithnjë janë kultivuar vlerat e mirëfillta shqiptare, duke i kushtuar rëndësi ruajtjes dhe zhvillimit të këngëve, valleve, krijimtarisë letrare, artit pamor dhe skenik.

Burimi i lajmit: Koha.Net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *