September 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Brooke Keesling: Animacioni, forma më superiore artistike – KOHA.net

6 min read

Është një prej animatoreve më me nam të ditëve të sotme. Ka ardhur në Kosovë për herë të parë. Qëllimi i saj është që të ndajë përvojën me ata që ia kanë mësyrë animacionit, e edhe me dashamirësit e kësaj forme të artit.

Brooke Keesling (52) i takon një bashkësie shtetesh, ShBA-së, ku investimi i shtetit në kulturë është diçka që nuk ekziston. Produktet që mbajnë autorësinë e saj, para se të nisin të realizohen, ekipi duhet të mendojë nëse do të shiten. Por të enjten u është drejtuar njerëzve të një shteti e kontinenti ku arti nuk bëhet krejtësisht me idenë e shitjes. Në festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar në Pejë, “Anibar”, ajo ka ndarë eksperiencën e saj. Qysh si e vogël nga prindërit do të përshkruhej si një fëmijë që në të ardhmen do të merrej me animacion. Ishte diçka si e paracaktuar. Dhe kanë pasur të drejtë.

E ulur përballë një audience të numërt, Keesling në kinemanë “Jusuf Gërvalla” ka thënë se në vendin ku jeton nuk e kanë një festival të karakterit të “Anibarit”. Këtë e kanë thënë në kuptimin e asaj që të rinjtë këtu një festival të këtij lloji e kanë si përparësi.

“Por unë e kam gjetur mënyrën të bëj atë që e dua. Jam e lumtur me atë që bëj tani”, ka thënë animatorja nga Los Angeles, e cila është e përfshirë edhe në filma të njohur që ishin fitues të çmimeve “Oscar” e “Emmy”, si “Inception”, “The Dark Knight” dhe “Pirates of the Caribbean”.

Me thjeshtësi maksimale, ajo ka treguar se në kohët e sotme janë shumë faktorë që ndikojnë në jetën e njeriut dhe paralelja midis së sotmes dhe kohës ku ka ndjekur studimet kanë dallim të madh.

Image

E ulur përballë një audience të numërt, Keesling ka thënë se në vendin ku jeton nuk e kanë një festival të karakterit të “Anibarit” (Foto: Agon Mehmeti)

Ka treguar se studentët gjithmonë i këshillon që të kenë parasysh se si veprojnë të tjerët dhe me çfarë e pasurojnë CV-në e tyre. Sipas saj, në ditët e sotme, mundësitë janë shumë më të mëdha. Bile, për këtë ka përmendur edhe gjendjen e krijuar nga pandemia.

“Një nga gjërat më të mira nga COVID-19 është se shumë studio angazhuan njerëz edhe nga jashtë Los Angeles, pasi e gjithë bota po punonte online. Këtu (në Kosovë v.j.) e keni talentin, edhe pse nuk keni shumë burime për animacion. Prej diçkaje të vogël e keni bërë këtë festival”, ka thënë ajo. Ka treguar se në ShBA është më lehtë të jesh në botën e animacionit komercial, pasi ashtu paguhesh.

“S’ka formë tjetër. Por në vende të tjera mund të bësh edhe gjëra të tjera”, ka thënë ajo.

Rrëfimeve të fëmijërisë u është kthyer pas pyetjes së KOHËS për fuqinë e animacionit si ndikim te shoqëria. Ka thënë se si fëmijë, tok me disa miq kanë shkuar për të parë filma të animuar.

“Aty e kam parë se animacioni është i komplikuar”, ka thënë ajo. E në këtë rast e ka çuar në shkallë sipërore formën e artit me të cilën merret.

“Animacioni është forma më superiore artistike”, ka thënë ajo. Këtë edhe e ka arsyetuar. Ka përmendur pikturën, skulpturën e forma të tjera të shprehjes artistike. Ka thënë se animacioni mundëson që krejt këto të shkrihen.

“Mund të bëni personazhe që këndojnë. Animacioni mund të tregojë histori që nuk i tregojnë format tjera të artit. Për shembull, kam ardhur këtu dhe tash di për Kosovën nëpërmjet këtij procesi”, ka thënë Keesling, e cila është drejtuese e “Animation Talent Development” në Bento Box Entertainment. Për dekada me radhë, ajo ka punuar si artiste në animacion dhe industrinë VFX, në produksion, edukim, si dhe zhvillimin e talenteve. Para se të bëhej pjesë e “Bento Box Entertainment”, ajo ka rekrutuar talente të animacionit për “Cartoon Network”, “Disney” dhe “Warner Bros”. Sipas biografisë së saj, Keesling ka fituar gradën e masterit në arte të bukura në CalArts, aty ku prodhoi filmin “Boobie Girl”, që fitoi në “Student Academy Awards” (SAA) në qershor të vitit 2001.

Është zëvendëspresidente e “ASIFA Hollywood”, anëtare e “Women in Animation”, në Bordin Këshillues të GLAS Animation Festival, kurse tani ligjëron në departamentin e animacionit të karaktereve në CalArts. Deri në diplomimin e saj në CalArts, Brooke ka punuar në efekte pamore praktike e minaturiale në filma të tillë si “Inception” (fitues i katër çmimeve “Oscar” më 2011 dhe një nominim për “Emmy” po të njëjtin vit), “Hugo” (fitues i pesë çmimeve në “Oscar” më 2012 dhe një nominim për “Emmy”), “The Dark Knight” (fitues i pesë çmimeve në “Oscar” më 2009 dhe një “Emmy” po atë vit) dhe “The Aviator” (fitues i pesë çmimeve në “Oscar” më 2005).

Keesling është një grua fort e zonja në animacion. E pikërisht animacioni është përdorur për të treguar histori të grave të suksesshme.

Dy orë para se Keesling të flasë për të pranishmit, pikërisht në kinemanë “Jusuf Gërvalla” është shfaqur një pjesë e serisë “Brazen”. Prodhimi i disa produksioneve përmban portrete të 30 grave nga e mbarë bota. Aty janë shfaqur histori të 10 grave. Janë prej atyre që kanë luftuar në shkatërrimin e paragjykimeve, luftëtare, aktore të zonja, astronaute, perandoresha, mjeke, atlete… Secila revolucionare në mënyrën e vet, këto gra, që shkruanin fatet e tyre, thuhet se ndryshuan botën dhe rrëzuan paragjykimet.

“Brazen” është adaptimi i animuar i romanit grafik më të shitur të Pénélope Bagieum, “Culottées”, i përkthyer në 17 gjuhë dhe i botuar në më shumë se 22 vende. Publiku i “Anibarit”, midis të tjerash, ka mësuar për historitë e Annette Kellerman, Nellie Bly, Tove Janssson, Giorgina reid e Mae Jemison. “Brazen” është dhënë në kuadër të programit special. Gjatë së enjtes, ditës së parafundit të festivalit, janë shfaqur dhjetë filma në tri kategori garuese.

Gjatë së premtes, tri kinema do të pushojnë. Publiku do të “izolohet”, sikurse vetë titulli i temës së sivjetme në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, për t’i parë dhjetë filmat që do të shfaqen. Në mbrëmje do të mbahet ceremonia përmbyllëse e festivalit dhe do të ndahen çmimet e do të zbardhet se kush do të triumfojë në “Izolim”. Nëse izolimi në këtë anë sa u përket vizave dhe pandemisë nuk do të jetë i pranishëm deri në edicionin e radhës së “Anibarit”, mbetet të shihet. I sigurt është vetëm edicioni i 13-të i festivalit. Gjasat janë që për të trembëdhjetin vit me radhë organizatorët të jenë tek ideja fillestare: të sjellin animacione në Kosovë, shkaku se nuk janë të lirë të udhëtojnë për t’i parë nëpër botë.

KOHA.net