September 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

“Jeta përmes metalit” në infinite provon bukurinë e artit – KOHA.net

4 min read

Imagjinata kineaste që te metali sheh potenciale mbinjerëzore, robotë e androidë, mund të mos e ketë përshkuar tejpërtej këtë botë. Fiksionalizmi shkencor mund të ketë folur shumëçka, por frymëzimi artistik te metalet ka një prirje për t’i bërë himn njerëzores. Në duart e skulptorit Naim Selmonaj, vrazhdësia e ftohtë e metalit nuk ekziston. As monumentalizmi, ky cen i mendjeve të vogla!

Imagjinoni një veglëri të tërë muzikore, prej notës së pentagramit e deri te një harpë: që të gjitha janë dëshmi se si metali i vihet në shërbim zotërisë, veçanërisht artistit.

Me 28 skulptura gjithfarësh është shpalosur të enjten pasdite ekspozita e artistit shqiptar që jeton në Bern, Naim Selmonaj, “Jeta përmes metalit”.

Në hapësirat e jashtme të kompanisë “Selmans Network” në “Rrugën B” në kryeqytet, përzgjedhja e veprave skulpturore e ka provuar bukurinë e artit në metal e me metalin.

Nga një varg sosh me motive muzikore, skulptura në formë të një note muzikore në pentagram veçohej për lëndën e latuar bukur dhe ndërthurjen përmes një “fontane” të gjallë uji që jepte vizualisht telat e harpës.

Image

Kjo lojë subtile me vepra të mjeshtëruara në metale dikur okuponte një pjesë të madhe të pasionit artistik të skulptorit shqiptar që jeton në Zvicër

E kjo lojë subtile me vegla muzikore të mjeshtëruara në metale dikur okuponte një pjesë të madhe të pasionit artistik të skulptorit shqiptar që jeton në Zvicër. Duke u maturuar si artist, edhe vizionet e tij janë më të gjera për të çikur tema të turlifarta, ndjesi e përfytyrime nga më të ndryshmet.

“Kam emocione, por është një ndjenjë shumë e mirë që po e mbaj këtë ekspozitë në Prishtinë”, ka thënë Selmonaj për KOHËN, duke e vënë në pah përjetimin ndryshe nga dhjetëra ekspozitat e mbajtura deri më tani në Zvicër.

Me 12 skulptura të përmasave të mëdha, ekspozita “Jeta përmes metalit” është vijuar edhe me të tjera të vogla, ku spikatnin edhe një që bënte bashkë drurin e metalin, një maçok kurrizpërpjetë, një stol që anash ka kokën e një dhie dybrirëshe.

“2008” është skulptura tjetër, një përvijëzim metalik që poshtë ka të gravuar datën 17 shkurt, kur Kosova u bë shtet. Afër saj është edhe tjetra që shpreh skajin tjetër të historisë “Hyjnesha në fron”, një artisticizim me anë të metalit i terakotës neolitike. Bash këto kanë qenë dhurata e zemrës në mendjen e artistit: ekspozita në Prishtinë kishte qenë ngacmim bukur tundues për t’u dhënë një dorë pasionante veprave më të reja.

“Me këto vepra, sidomos këto historike, jam munduar që të shpreh sadopak krenarinë time që jam shqiptar dhe motivet e kulturës dhe historisë sonë”, ka treguar Selmonaj.

Image

Me ekspozitën e cila do të qëndrojë e hapur tri ditë, artisti 48-vjeçar nuk ngurron të mendojë edhe për të ardhmen e ekspozitave: tash me synim jashtë Evropës

Me ekspozitën e cila do të qëndrojë e hapur tri ditë, artisti 48-vjeçar nuk ngurron të mendojë edhe për të ardhmen e ekspozitave: tash me synim jashtë Evropës.

I lindur më 1973, Naim Selmonaj nisi të spikasë me anën e tij artistike qysh gjatë shkollimit fillor. Vizatimet e portreteve dhe projektimet e fotografive me ndeshje ishin prologu i një ecejake të gjatë jetësore që do ta çonte në destinimin e zemrës.

Kur emigroi në Zvicër më 1991, ai nisi punën si mjeshtër metali. Këtu do ta kuptonte që kjo lëndë, përveçse për industrinë, mund të vihej edhe në shërbim të artit. Me kurse nga saldatori e deri te montuesi i artit, Selmonaj është përqendruar kryesisht te skulpturat e çelikta, ani pse as pikturat nuk janë jashtë interesimit të tij.

“Veprat e tij të artit pasqyrojnë identitetin e tij si artist, me një pasion të thellë për skulpturën”, është vlerësimi i tekstit kuratorial që i është ndajshtuar ekspozitës në Prishtinë.

Aty thuhet se Selmonaj ka lënë gjurmët e tij artistike kudo: përmes krijimit të objekteve dekorative për përdorim të brendshëm, skulptura të mëdha për përdorim në natyrë si dhe aso për shtëpi private e vende publike.

“Skulpturat e tij të mëdha prej çeliku ndërthurin gjeometrinë këndore me kthesat biometrike dhe shikojnë në shtëpi në oborret e vilave të banimit. Por, jo vetëm skulpturat, sidomos larmia e saj e ideve të shumta që gjetën shpejt artin e tyre të dashur”, thuhet në këtë tekst kuratorial.

Ndryshe, sipas faqes së tij zyrtare, veprimtaria e tij artistike tashmë ka pas vete një përvojë të gjerë komunikimi me publikun, kryesisht në Zvicër. Selmonaj ka ekspozuar te “Gigandet Muri”, Bartschihus Gumligen; Galeria e Arteve MAG Montreux; Skulpturum, Strasburg; Rruga e Artistëve, Zvicër; Galeria e Ekspozitave 2018 Biglen-Bern; Restorant Hardern PIntli Hardern – Lyss; Restorant Piceri Da Kell – Bern; Takimi i Ferrarit 2018 Aarburg; Galeria e Ekspozitave 2019 Otiswill – Grossafoltren; Kopshti i trëndafilave Menziken në Aargau; Restorant Zuribeck Reinach – Aargau; Harmonie Zolikofen; Zenith Sion; AIOLA al Porto Stansstad; Bella Vita Bern; Hotel Goldener Schlussel Bern; AIOLA Sarnen – Obwalden; Hotel Swiss Diamond, Lugano, si dhe te Galeria e Ekspozitave 2020, Pejë.

KOHA.net