September 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

“Souvenir Souvenir” çon në Francë trofeun e “Anibarit” të renesancës – KOHA.net

11 min read

Jo pak kanë hamendësuar në edicionin e kaluar, i cili u mbajt online, se pas një viti festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar”, mund të rikthehej sërish në formatin fizik. Madje, mbyllja pandemike e cila qe shkaktare e frymëzimeve e produktivitetit të animatorëve nuk mendohej që do të ishte moto e edicionit të 12-të – “Izolimi”.

Por, triumfi me çizolimin shënoi mbylljen e një kapitulli tjetër për këtë Festival, e kësaj radhe duke e bërë në rrethanat e një “normaliteti” të ri, pranisë fizike, mundësisë së socializimit, rikthimit të ndejave të bujshme e turmës në një vend.

E ëndrra u bë realitet dhe cak pati punën e kineastëve vendorë e ndërkombëtarë.

Kjo u ndje përmes gjallërimit kulturor që i fali “Anibar” qytetit të Pejës, e Kosovës në përgjithësi nëpërmjet filmave të animuar me përplot narracione kreative e mesazhe të fuqishme, diskutimeve që kanë ardhur si retrospektivë e izolimit, rrëfimeve inspiruese të animatorëve të cilët kishin bërë nam në botën e imazheve në lëvizjen e performancave muzikore që kumbuan plot gjallëri.

Si për ta kremtuar këtë të arrirë dhe për të dhënë edhe një herë mesazhin global se kultura mbijeton edhe atëherë kur dritat e gjendjeve emergjente ndizen, artdashës, kineastë, politikanë, organizatorë e vullnetarë u tubuan në ceremoninë përmbyllëse, të premten mbrëma, në hapësirën e hapur të Kino Liqenit në parkun “Karragaç”. Po aty ku nisi rrugëtimin një javë më parë.

Të pranishëm qenë edhe kryeministri, Albin Kurti, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, drejtoresha e Kulturës, Xhenet Syka-Kelmendi e shumë figura të tjera.

Gjithçka i ka ngjarë fillimit. Atmosfera gazmore si në hapje të edicionit të 12-të bashkë me lokacionin. Mirëpo, për dallim nga e premtja e 23 korrikut, ajo e një shtatë ditëve më vonë ishte me harenë e mbarëvajtjes dhe të qenit Festivali i parë, i cili organizohet në përmasa të tilla me përfshirjen e aq shumë njerëzve në periudhën postpandemike.

“Kino Liqeni” i ka shoqëruar muhabetet e njerëzve me notimin e peshqve të tij, nga një qoshe dëgjoheshin melodi të lehta, ndërkaq të pranishmit dalëngadalë kanë filluar të ulen përballë skenës.

E përderisa katër kinema të Pejës u ndriçuan nga ngjyrat e 300 filmave, ishte momenti kur kishte ardhur koha që të bëhen publike ata që nga juria ishin vlerësuar si më të mirët.

Një rrëfim mbi peshën e historisë

“Çdo mesjetë ka nga një renesancë”, ka thënë Kreshnik Berisha, moderatori i ceremonisë përmbyllëse, duke aluduar në fitoren postpandemike nëpërmjet “Anibarit”.

E “trofeun e renesancës”, sivjet në garën e filmave ndërkombëtarë e mori filmi “Souvenir, Souvenir” nën regji të Bastien Duboisit nga Franca, duke i lënë pas 31 filma të tjerë.

Me këtë film, Dobois i lindur më 1983, zbërthen temën e ndikimit psikologjik të ndërtimit të personalitetit tek individi, duke ngritur lart heronjtë e fëmijëve, gjyshërit. E kjo bëhet nëpërmjet suvenireve të tij, duke mos mbetur përgjatë narracionit vetëm në hallkën e një elementi të interierit shtëpiak, mirëpo duke shpalosur periudhën kur gjyshi i protagonistit kishte qenë ushtar francez gjatë Luftës së Algjerisë e që suveniret ishin që nga ajo kohë.

“Filmi ishte i kompletuar. Ai është treguar me zgjuarsi me ‘meta-layers’ që me të vërtetë kontribuojnë në mesazhin e historisë. Ka një strukturë të fortë dramaturgjike, ritëm të mirë, është i animuar mirë dhe stilet e zgjedhura rrisin ndikimin”, thuhet në vlerësimin e jurisë.

Përgjatë filmit prej 16 minutash, me bisedat që ka personazhi me motrën dhe terapistin, shihet se sa shumë gjurmë kanë lënë rrëfimet e dëgjuara nga gjyshi rreth luftës, te vetë regjisori i kësaj vepre.

E Bastien Dubois pavarësisht që ka pranuar se për dhjetë vjet e ka pasur në kokë realizimin e tij, sot ka një pikëpamje më ndryshe për filmin.

“Sot, nuk e di nëse mund të dëgjoj atë që ka thënë gjyshi për suveniret e luftës”, shkruan ai kur e përshkruan filmin.

E në po të njëjtën kategori, çmimin për “Vlerësimin e veçantë” e mori filmi “My Galactic Twin Galaction”, nën regji të Sasha Svirskyt. Filmi depërton në një botë ndryshe, atë të galaktikës, mirëpo në një rrafsh më personal, duke përfshirë edhe rrjetet sociale. Ekzistojnë binjakët galaktikë, e që njëri nga ta një ditë pranon një e-mail për të cilin kërkon ndihmë nga binjaku, Galaction. E përmes imagjinares, filmi trajton një botë aventureske mes të mirës e së keqes.

“Një film, që është fantastik në formën e tij dhe vërtet qesharak. Animacioni eksperimental nuk mund të bëhet më qesharak se kaq”, ka vlerësuar juria.

Yvonne van Ulden, anëtare e jurisë së Garës Ndërkombëtare, ka thënë për KOHËN se ka kaluar momente të veçanta në “Anibar”. Bashkë me të, në jurinë e kësaj kategorie kanë qenë edhe: Fabian Driehorst, Janni Männistö, Lori Malépart-Traversy dhe Mauro Carrarro.

“’Anibari’ ka reputacion të mirë dhe tashmë është bërë i njohur pas disa organizimeve të njëpasnjëshme”, ka thënë ajo.

Van Ulden i sheh ngjarjet që ndodhin nëpër botë si diçka që drejtpërdrejt transmetohen në film në mënyrë artistike.

“Rëndësia e këtij festivali është sepse ka adresuar tema. Çka ne i kemi dhënë rëndësi përgjatë vlerësimit ka qenë trajtimi i temave të forta”, ka thënë danezja Ulden, e njohur për botën e animacionit.

Image
Skenë nga animacioni “Souvenir, Souvenir” nën regji të Bastien Duboisit nga Franca, që ka marrë çmimin në Garën Ndërkombëtare

Plaga e Kosovës në imazhet e animuara

Se animacioni nuk është vetëm rivijëzim formash, elementesh e ngjyrash, u dëshmua edhe një herë. Madje, rëndësia e trajtimit të temave të fuqishme e historike në botën e lëvizshme të animacionit u ndje sërish. E kjo u arrit më së shumti nëpërmjet filmit “Kush mytet kapet për shkume”, të Urtina Hoxhës, e cila fitoi çmimin kryesor në Garën Ballkanike.

“Po ndihem shumë mirë për shkak që unë kam qenë në 2016-n pjesë e ‘Anibarit” në grupin e studentëve. Aty ka filluar dashuria ime për animacionin. Ndjenjë shumë e mirë ta marrë këtë çmim”, ka thënë për KOHËN regjisorja e re.

Me simbolikën e thënies së plakave pas çdo fatkeqësie, “Kush mytet kapet për shkume” sjell portretimin e kryeqytetit nëpërmjet një personazhi në periudhën e luftës.

“Filmi prek bombardimet e vitit ’99 dhe një grua, e cila ka jetuar në Prishtinë, por për shkak të rrethanave burri dhe djemtë detyrohen të dalin jashtë”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo tregoi se përveç ballafaqimit të përditshëm të një personazhi me policinë serbe, e cila është e thjeshtë dhe jo një protagonist heroik – si në dimensionet e tjera të paraqitjes së luftës – në film trajtohet edhe rrafshi i qëndrimit në këmbët e veta të një gruaje, qoftë edhe në kohëra të vështira.

“Thjeshtësia e stilit të artit me të vërtetë të lejon të fokusohesh në historinë dhe rrit ndikimin emocional. Duke treguar këtë histori përmes syve të një nëne, me një instinkt të fortë mbijetese, ju bën të lidheni me situatën stresuese që njerëzit ishin”, ka vlerësuar juria.

Ndërkaq në të njëjtën kategori, me Çmim special nga juria u vlerësua për “Elusiveness”, nën regji të regji nga Marija Vuliq dhe Isidora Vuliq, nga Serbia.

Dyshja sjell një film i cili bashkëdyzon imagjinatën e animacionit dhe përrallave, me mesazhin unik e të fuqishëm të vlerësimit të së brendshmes dhe jo mashtrimit pas bukurisë fizike.

“Në vlerësim të dizajnit, animacionit dhe mjeshtërisë së bukur të këtij filmi”, vlerësoi juria teksa shpalli këtë çmim për filmin nga Serbia.

Në Garën e filmave studentor, ishin 30 narracione të ndryshme, mirëpo ai që bindi jurinë për ta merituar çmimin kryesor u bë “Butterfly Jam”, nën regji të Shih-Yen Huang nga Franca. Relacioni midis vajzës e babait dhe raporti i këtij të fundit me kafshët e tij, shpalos kombinimin e imazheve me sekuenca lëvizëse.

“Vizualizimi i dhimbjes është shpesh një gjë e vështirë për t’u bërë, por ta bësh atë pa përdorimin e personazheve është edhe më mbresëlënëse”, ka vlerësuar juria.

Ndërkaq Çmimi për vlerësimin e veçantë iu dha filmit “Coffin”, nën regji të Yuanqing Cai, Nathan Crabot, Houzhi Huang, Mikolaj Janiw, Mandimby Lebon, Théo Tran Ngoc.

“Për një përshkrim mahnitës të ndjenjës së parehatisë në një qytet shumë të populluar me një qasje vizuale që është e pamundur të mos bashkëndjeni, vlerësim i veçantë për Student Competition shkon për ‘Coffin’”, ka qenë vlerësimi i jurisë.

Të drejtat e njeriut në sekuenca thellësie

Në kategorinë e cila iu bashkua vjetët e fundit “Anibarit”, ajo për të drejtat e njeriut, këtë vit garuan 22 filma. Më i miri u vlerësua filmi spanjoll “Where were you?” me skenar e regji të María Trénor CoIomerit.

Në pamje të ndryshme shfaqet një fenomen tashmë global, dhuna ndaj gruas. Përvoja ndaj kësaj dukurie shfaqet në forma të ndryshme në vende të ndryshme, duke pasur gjithmonë pikëtakim të keqen.

“Filmi tregon potencialin e fortë të animacionit për të diskutuar çështje të rëndësishme shoqërore dhe politike. Ai diskuton temën që është me rëndësi thelbësore në ditët e sotme dhe ndihmon që zërat e guximshëm të femrave të dëgjohen duke na treguar historitë e tyre të vërteta mbi dhunën”, është vlerësimi i jurisë.

Një vlerësim i veçantë shkoi për “We have one Heart” nga Katarzyna Warzecha, e cila ka thënë se pasi pa kategorinë e të drejtave të njeriut, Kosova do të ketë “një vend të veçantë” në zemrën e saj.

Filmi polak trajton një ambient familjar, me disa çrregullime, ku djali përballet me pamundësinë e njohjes së babait, deri te pika kulmore e filmit që ndërron rrjedhën e rrëfimit.

“Për mua ka qenë diçka e madhe për shkak që më preokupojnë animacionet dokumentuese”, ka thënë regjisorja. “Një kombinim i suksesshëm i qasjeve të animacionit dhe dokumentarit, bazuar në ngjarje të vërteta, një film që është në të njëjtën kohë personal dhe politik, na tregon një histori të rëndësishme për dashurinë dhe mënyrat për t’i kaluar kufijtë”, ka vlerësuar juria.

Ndërkaq në kategorinë e metrazhit të gjatë organizatorët kanë pranuar 5 filma, teksa fitues i sivjetëm është filmi “Kill it and Leave this Town”, nën regji të Wilczyński nga Polonia.

Juria kryesore e kategorizoi këtë film si “një perlë e stilizuar ashpër që zuri jurinë në befasi dhe i preku ata në një nivel emocional. Ky film është brutalisht i sinqertë dhe i dëlirë. Nuk ndalet nga turpi, ai merret me marrëdhëniet njerëzore në shumë nivele. Një film me muzikë të bukur, dialog të shkruar mirë dhe humor të mprehtë.”

Dy re në qiellin e kreativitetit

E për kombinimet e animacioneve me muzikën, ishin 41 video-muzikore të animuara ato të cilat përmes kreativitetit sollën një delikatesë e shije të hollë artistike.

Fituesi i kësaj kategorie ishte “A little too much”, nën regji të Martina Scarpellit nga Shtetet e Bashkuara.

“Animacion 2D bardhë e zi i ekzekutuar bukur që na jep një udhëtim frymëzues në botën e brendshme të një gruaje”, është vlerësimi i jurisë.

Ndërkaq video-animacioni, i cili ka qenë viral me tematikën e veçantë është “Kona”, e regjisorit Shpat Morina nga Kosova.

Pasqyrimi përmes një gote çaji, disa pika të kuqe në të e të cilat transformoheshin në atë që njihet në Ballkan si “kona”, e që është një traditë e lyerjes së duarve të nuses para martesës dhe dhimbja e fatit femëror në mentalitetin patriarkal arriti të fitojë vlerësimin e veçantë.

‘”Kona’ është një animacion konceptual me një ilustrim të vrazhdë të zakoneve të vështira tradicionale shqiptare që i trajtojnë gratë shumë ashpër dhe që fatkeqësisht ende zbatohen jo vetëm në rajone të ndryshme të Kosovës, por edhe në të gjithë botën”, vlerësoi juria.

Kurti: “Anibari” e ka ndërkombëtarizuar Pejën

Se ëndrrat janë realizuar në qytetin e Pejës përmes “Anibarit” ka thënë drejtoresha e Kulturës, Xhenet Cyka-Kelmendi. Me një mbështetje prej dhjetë mijë eurosh, e që është maksimumi i përkrahjes në nivel lokal, duket sikur udhëheqja atje beson në këtë qëllim që ka gjetur realizim 12 herë.

“Tashmë ‘Anibari’ nuk është ngjarje ballkanike, por edhe globale”, ka thënë drejtoresha e DKR-së.

Ka çmuar kontributin e vullnetarëve, të cilët ndihmuan për çkado që kishte nevojë në organizim.

E edhe kryeministri Albin Kurti ka fjalë të mira për qytetin e Istref Begollit e shumë emrave të tjerë të kulturës shqiptare. Në deklaratën e tij për KOHËN, ai e ka cilësuar këtë qytet si “vendi i artit e kulturës”.

“’Anibari’ e ka ndërkombëtarizuar edhe më shumë këtë qytet të bukur të njerëzve që krijojnë animacione”, tha kryeministri.

Ai ka thënë se e ka pasur të pamundur t’i ndjekë filmat e edicionit të sivjetmë, mirëpo ka premtuar se do t’i shikojë deri në edicionin e 13-të.

“Nuk është vetëm Festival por shkollë e animacionit. Është shkollë jashtë Festivalit, sepse këta djem e vajza që në mënyrë vullnetare e organizojnë ‘Anibarin’, e kanë bërë shkollë për të gjithë njerëzit”, ka thënë kryeministri Kurti.

Një rrugëtim që triumfoi me çizolimin

Pavarësisht pse është dukur e vështirë dhe shpesh edhe e paimagjinueshme, vullneti njerëzor depërtoi përtej mendimeve. Kjo u arrit përmes organizimit të njëjavshëm të edicionit të 12-të, i cili gjallëroi Pejën pas një mungese njëvjeçare.

Tashmë është ngritur drita jeshile dhe ndërkombëtar një ndër vendet e para që panë në periudhën postpandemike ishte Kosova, ndërkaq gjëja e parë me të cilën u ndeshën ishte bujaria shqiptare. E “Anibari” nuk do të mbetet një Festival, mirëpo një lokomotive krijuese e promovuese, e cila shkon më larg se bota e animacionit dhe hyn në gjallërimin ekonomik, social e rinor.

KOHA.net