September 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Hyrja në bibliotekë me certifikatë vaksinimi apo test për COVID-19 – KOHA.net

4 min read

Ulëset e zbrazëta të bibliotekave të vendit prej fillimit të javës kanë nisur të mbushen me lexues e shfrytëzues të sallave të leximit. Kjo, pas vendimit të fundit të Qeverisë për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, pas një periudhe 15-ditore të pezullimit të aktivitetit të tyre.

Vendimi është marrë në periudhën kur gastronomia po vazhdon funksionimin me shfrytëzimin e 70 për qind të hapësirës së hapur, me detyrimin e respektimit të distancës, vënies së maskës dhe dezinfektimit me alkool. Mirëpo masat janë më strikte në biblioteka. Të gjithë lexuesit detyrohen që në hyrje të bibliotekave të tregojnë dëshminë e vaksinimit me një apo dy doza, testin PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë ose testin e shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë.

Dafina Konjuhi është studente e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është shfrytëzuese e rregullt e sallave të leximit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Ajo e vlerëson rihapjen e bibliotekave, por edhe masat që po aplikohen.

“Është një hap shumë i madh që janë hapur bibliotekat”, thotë kjo studente e vitit të parë, që po përgatitet për provimet e afatit të shtatorit.

Konjuhi ka theksuar se është pro masave, sepse ato parandalojnë përhapjen e COVID-19. Ndërkaq periudhën e mbylljes së sallave të leximit e kujton prej vështirësive me të cilat është përballur.

“Në kushte shtëpiake ka qenë më e vështirë, sepse ambientet që ofrojnë bibliotekat janë shumë më të rehatshme dhe frymëzuese sesa ai në shtëpi, e sidomos gjatë verës”, ka thënë ajo.

Me vendimin e Qeverisë që hyri në fuqi prej të hënës “kinematë, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet e tjera të ngjashme vartëse të MKRS-ë apo të komunave, deri më datë 26 shtator 2021 pezullojnë aktivitetin e tyre”. Ndërkaq teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohen të organizojnë shfaqje online, pa prezencë të publikut, si dhe të mbajnë ushtrimet.

Bibliotekat dhe muzetë lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 30 për qind të kapacitetit të hapësirës. Por për shfrytëzuesit kriter është vaksinimi a testet përkatëse.

Hyrije Xhemajlaj – Thaçi, shefe e Departamentit të informacionit dhe shërbimit për qytetarë në Bibliotekën Kombëtare, ka thënë se puna po vazhdon me staf esencial dhe me mobilizim kundër COVID-19..

“Ky është një lajm i mirë nga vetë fakti që të rinjtë mund të kryejnë shërbim e lexuesit mund të shfletojnë”, ka thënë Xhemajlaj – Thaçi, teksa rikujton situatën shqetësuese me pandeminë dhe thekson se BKK-ja po vepron sipas vendimit qeveritar që kërkon të ketë edhe staf që mbikëqyr respektimin e masave.

“Biblioteka Kombëtare e Kosovës i ka marrë të gjitha preventivat që të respektohen në përpikëri masat e Qeverisë”, ka thënë ajo.

Në periudhën kur KOHA ka qëndruar në hapësirën e BKK-së numri i lexuesve ka qenë i vogël, teksa varionte prej dy deri në pesë shfrytëzues të sallave të leximit.

Ndërkaq gjendja ka qenë më ndryshe në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Ka qenë një numër dukshëm më i lartë i shfrytëzuesve të bibliotekës, shumica studentë. Mirëpo, e përbashkëta e dy institucioneve qëndron te respektimi i masave.

Edhe absolventja e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Bardha Osmani, ka pasur të njëjtën përvojë si kolegët e saj në BKK.

“Që në fillim sigurimi, kur vijmë në mëngjes ose në çfarëdo kohe, na kërkon certifikatë për dozën e vaksinimit ose testin PCR si dëshmi për të hyrë brenda”, ka thënë ajo. Maska dhe distanca janë dy gjëra esenciale dhe obliguese, të cilat i përmend Osmani e që hapjen e bibliotekave e ka mirëpritur.

“Në bibliotekë s’ka lëvizje, ka qetësi dhe është ambient ku mund të studiosh”, ka thënë ajo.

Se po bëhet çmos për të respektuar masat ka pohuar edhe drejtori i kësaj biblioteke, Munish Hyseni.

“Po punojmë me 30 për qind të hapësirave, fatmirësisht kemi një objekt me 3 hapësira të mëdha e që 80 deri në 90 lexues mund të vendosen duke respektuar distancën”, ka thënë Munishi, duke shtuar se

vendimi për hapjen e bibliotekave ka qenë i mirëseardhur dhe se lexuesit e kanë kërkuar këtë.

“Duke pasur mirëkuptimin dhe respektin e lexuesve dhe anëtarëve të këtij institucioni, puna është duke shkuar shumë mirë për respektimin e masave që janë paraparë. Kjo të bën të ndihesh mirë, sepse është një kulturë e sjelljes”, ka thënë ai. Munishi shton se tashmë për shkak të kufizimit të kapaciteteve të shfrytëzueshme numri i lexuesve obligativisht është ulur, teksa kujton edhe periudhën e mëhershme.

“Në fazën para pandemisë, sidomos gjatë afateve të provimeve, ka pasur pritje në radhë nga lexuesit”, ka thënë drejtori i institucionit bibliotekar, që brenda vitit ka 8 mijë lexues të regjistruar.

KOHA.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *