September 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Apeli kthen në rigjykim çështjen ndaj Osmanit e Gashit për “3-përqindëshin” – KOHA.net

2 min read

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, që vitin e shkuar ishin dënuar për shpërdorim të Fondit të 3-përqindëshit.

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, dhe Atdhe Gashi, dikur këshilltar i ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga tre vjet burgim. Ata ishin detyruar që buxhetit të Kosovës t’ia kthenin shumën prej 150 mijë eurove.

Megjithatë, siç ka njoftuar sot Apeli, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve është konstatuar se “aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, andaj edhe si i tillë duhet të anulohet dhe kjo çështje penale do t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”.

Fondi 3 për qind ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve ‘90.

Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil.

Isa Mustafa, ish-ministër i Financave i Qeverisë në ekzil, në vitin 2000, në televizionin publik, pati thënë se ky fondi kishte edhe 50 milionë marka gjermane.

Megjithatë, dënimi i shkallës së parë kundër Osmanit e Gashit nuk është marrë fare me dyshimet për keqpërdorim të këtij fondi në shpërndarjen e tij.

Akuzat për keqpërdorim në këtë akt akuzues kishin të bënin vetëm me pretendime për keqpërdorim në emër të shpenzimeve në organizatë.

KOHA.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *