September 23, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Përfaqësuesit e OJQ-ve thonë se pandemia i ka dëmtuar më së shumti gratë dhe fëmijët – KOHA.net

3 min read

Ndikimi i pandemisë në shëndetësi dhe mirëqenie sociale të kategorive më të cenueshme, sidomos fëmijëve dhe grave, ka qenë pjesë e diskutimit të institucioneve dhe shoqërisë civile në aktivitetet virtuale që u organizuan të mërkurën në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Teuta Halimi, përfaqësuese e UNICEF-it, ka bërë të ditur që Kosova është prej vendeve me vdekshmërinë më të lartë të fëmijëve në rajon.

“Nëse u referohemi të dhënave të vitit 2020, po flasim këtu për situatën parapandemike, ne e dimë që Kosova është një prej vendeve me shkallën më të lartë vdekshmërisë të fëmijëve në rajon. Kemi diku 16 fëmijë për 1 mijë lindje, të cilët vdesin para se të arrijnë moshën 5-vjeçare. Nëse këtë e marrim si bazë, gjendjen e rënduar shëndetësore me ndikimin e pandemisë, e dimë se pengesat në monitorimin e rregullt dhe sistematik shëndetësor për fëmijët është vlerësuar të ketë ndikim edhe në rritjen e vdekshmërisë në Kosovë, por njëkohësisht edhe në nivel global”, ka deklaruar Halimi në një konferencë virtuale që u mbajt të mërkurën.
Kurse, Donjeta Kelmendi nga Organizata për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka theksuar se masat kufizuese si kundërpërgjigje për pandeminë COVID-19, kanë prekur më së shumti te fëmijët, sidomos në aspektin e shëndetit mendor.

“Masat e izolimit fillimisht, pastaj ndërprerja e procesit mësimor, ndërprerja e marrjes së shërbimeve bazike sidomos për fëmijët e cenueshëm, kanë ndikuar jashtë mase në mënyrë negative duke marrë parasysh, përveç impaktit negativ që ka pasur pandemia, qoftë në procesin arsimor ose në aspektin fizik. Aspekti psikologjik i shëndetit mendor të fëmijëve konsiderohet që është rënduar shumë gjatë kohës së pandemisë”, ka thënë Kelmendi.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ndikimin negativ të pandemisë e ka parë si të dëmshëm sidomos te gratë. Ajo ka thënë se masat kufizuese kanë theksuar edhe më shumë dallimet gjinore mes burrit e gruas, duke thënë se e gjithë barra e shtëpisë ka rënë mbi supet e grave.

“Pandemia na ka prekur direkt neve grave, sidomos gratë që janë edhe nëna, sidomos me këto masat e fundit me mbylljen e kopshteve ku po duhet gjetur modalitete të ndryshme për të vepruar, por edhe për t’u kujdesur për fëmijë, barrë kjo që shoqëria ua ka dhënë grave, po që nuk do të duhej të ishte ashtu, duhet të ndahet mes burrave dhe grave pasi që të dy janë prindër”, ka deklaruar Berisha.

Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë e ka shënuar edhe Kuvendi i Kosovës.

Nënkryetarja e parë e Kuvendit, Saranda Bogujevci, përmes një video-mesazhi, është shprehur se gjatë viteve të fundit, Kuvendi ka bërë përparime të dukshme në zhvillimin e demokracisë. Por, ka theksuar edhe ndikimin negativ në demokracinë e vendit, pandemia COVID-19.

“Sundimi i ligjit, informimi i drejtë, transparenca, pjesëmarrja aktive, janë ndër përbërësit kryesorë për funksionimin e demokracisë. Gjatë viteve të fundit Kuvendi i Kosovës ka bërë përparim të rëndësishëm në zhvillimin dhe krijimin e masave që nxisin vlera demokratike, me hapjen parlamentare për të siguruar përfshirjen dhe qasjen e qytetarëve dhe të OJQ-ve në punët e Kuvendit”, ka thënë Bogujevci përmes një video-mesazhi.

Në vitin 2007, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, vendosi që 15 Shtatori të jetë Ditë simbolike e Demokracisë, me qëllim të promovimit dhe respektimit të parimeve të demokracisë anë e mbanë globit.

Sipas Kombeve të Bashkuara, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë jep një mundësi për ta rishikuar gjendjen e demokracisë në botë. Qëllimi i kësaj dite është që demokracia të mbizotërojë në të gjitha vendet e botës.

[embedded content]

KOHA.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *