22 Tetor, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Deri në 3,000 euro gjoba për institucionet që pengojnë qasjen në dokumente zyrtare – KOHA.net

3 min read

Secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të kërkojë qasje në dokumente zyrtare, ndërkohë që institucionet të cilat nuk përgjigjen në këto kërkesa brenda afatit ligjor prej 7 ditësh, dënohen me gjobë prej 1,000-3,000 euro, ka bërë të ditur Krenare Sogojeva- Dermaku, Komisioneve e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Sogojeva-Dermaku ka thënë se Agjencia, do të fillojë javën e informimit me moton “Tash më Lehtë”, duke nisur nga 28 shtatori, për të njoftuar përmes saj qytetarët lidhur me të drejtën e tyre për informim.

Ajo ka thënë në “60 minuta” të KTV-së se java do të shënohet me aktivitete në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës.

Duke folur për mosarritjen e mediave në shumë raste për të pasur qasje në informata, ajo ka thënë se çdo përgjigje e pjesshme nga institucione të caktuara, është bazë për të bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

“Çdo përgjigje e pjesshme është bazë për të bërë ankesën, çfarëdo mënyre, edhe nëse është një qasje e pjesshme, e drejta e kërkuesit për t’iu drejtuar agjencisë për dhënien e përgjigjes së plotë, brenda 7 ditëve nëse nuk marrin përgjigje ne jemi aty. Secilit person i garantohet e drejta për qasje në dokumente publike. Kufizimet janë të përcaktuara në ligj, kur është jeta e njeriut në pyetje, siguria e vendit apo kur ka interesa afariste”, është shprehur Sogojeva-Dermaku.

Sipas saj, në vitin 2021 ka pasur 57 ankesa në këtë drejtim, prej të cilave 30 janë mbyllur dhe të tjerat janë në procedurë, ndërkohë që institucionet që nuk përgjigjen brenda afatit ligjor, siç ka thënë, dënohen me gjobë deri në 1,000 euro.

“Për ato kërkesa të cilat institucionet nuk përgjigjen fare brenda afatit ligjor 7 ditor, janë 1,000 deri 3,000 euro për institucionin përgjegjës, ndërkaq për zyrtarin i cili e pengon e mohon, bën pengesa në dhënien e qasjen në dokumentin publik, zyrtari nuk dënohet me të holla, por pengimi në dhënien e informatave publike paraqet vepër penale. Për ato institucione që nuk heshtin por në vazhdimësi pengojnë dhënien e informatave publike, dënimi është 3,000-10,000 euro”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se edhe ata si OJQ përballen me probleme në qasjen në dokumente publike.

“Vetëm në vitin 2019 ne kemi dërguar 901 kërkesa për qasje në dokumente publike duke filluar nga Policia, inspektorati Policor, Këshilli gjyqësor e Prokurorial etj, nga këto kërkesa kemi marrë qasje pozitive vetëm për 45 % të kërkesave ndërkaq në 55 për qind nuk e kanë marrë as mundin që të na përgjigjen”, ka thënë Zekaj.

Ai ka kritikuar Prokuroritë dhe Gjykatat se janë selektive në ofrimin e qasjes në dokumente publike.

“Ne shohim në Prokuroritë dhe Gjykatat tonë që një numër i madh, kur bëjnë hedhjen e kallëzimeve penale apo pushimin e hetimeve janë shumë selektiv në ofrimin e qasjes në dokumente publike, në rastet kur fshehët një interes i caktuar, ne nuk na ofrohet qasja. Edhe në ato raste, ligji përcakton që institucionet publike duhet ta bëjnë testin e dëmit dhe të interesit publik dhe vetëm në ato raste kur dëmi është më i madh se interesi publik, vetëm në ato raste lejohet mosqasje në dokumente zyrtare”, ka shtuar Zekaj.

[embedded content]

KOHA.net