23 Tetor, 2021

KleaBe.Com

Të Gjitha Këtu për Ju

Drama për “nomadizmin” social, filmi më i mirë në “Otranto Film Festival” – KOHA.net

4 min read

“Galaktika e Andromedës”, drama për “nomadizmin” social, po vazhdon të shpërblehet në festivalet të cilat po i ka si pikë të ndaljes. Mëngjesi i së dielës për ekipin e filmit ka zbardhur me Çmimin e filmit më të mirë në “Otranto Film Festival”. Këtë vit edicioni i katërt ka ardhur në formatin hibrid dhe me titullin “Performancat dhe performuesit/Lidhja me botën” si përcjellje e misionit të Festivalit e që është absorbimi i perspektivave të ndryshme.

Filmi “Galaktika e Andromedës” i More Racës sjell të ekranizuar një sagë urbane “nomadësh”, atë soj njerëzish rrënjëshkulur që i shtyjnë ditët në përpjekje për mbijetesë. Kjo dramë gjen si personazhe një makinist 52-vjeçar me emrin Shpëtim Guri (i interpretuar nga Sunaj Raça) dhe të bijën e tij Zanën (e interpretuar nga Elda Jashari). Ky rrëfimi kosovar që prek tema universale ka triumfuar si më i miri në edicionin e sivjetmë të “Otranto Film Festival”, që shfaqi filmat e vet nga 19 deri më 24 shtator.

Drejtoresha artistike e Festivali, Stefania Rocca, ka thënë se Festivali është rikthyer pas një viti pauzë për shkak të pandemisë falë mbështetësve të tyre dhe artit që u mundëson të gjithëve që të shprehin veten e tyre dhe emocionet.

“Ne filluam në vitin 2018 me temën e komuniteteve, eksplorimin e kulturave dhe pozicionin tonë kundër dhunës; trajtuam përfshirjen e diversitetit në vitin 2019, dhe pas një viti pauzë të diktuar nga pandemia ne jemi këtu për të festuar artin që na lidh me vetveten dhe me të tjerët atë që krijon një urë që kalon detet dhe muret dhe kohën, e që na mëson vlerën e të përbashkëtës”, ka thënë drejtoresha e Festivalit italian.

Për regjisoren kosovare pikërisht fakti se filmi është shpërblyer në Itali ka një rëndësi të veçantë.

“Jam shumë e lumtur dhe është shumë me rëndësi për filmin, sepse është koproduksion mes Kosovës dhe Italisë, dhe ky vlerësim konfirmon edhe një herë vlerën e filmit dhe besimin e institucioneve italiane për financimin e këtij projekti”, ka thënë ajo për KOHËN, gjersa ka shtuar se filmi shumë shpejt do të nisë që të shfaqet edhe në kinema.

Regjisorja More Raça i është drejtuar publikut të Festivalit përmes një video-lidhjeje ku ka thënë se ky film u dedikohet prindërve, sfidave të tyre jetësore, problemeve me të cilat ata ballafaqohen, e në këtë rast për një prind të moshës së mesme të papunë, i cili sfidohet me padrejtësitë që ia bën shteti i korruptuar duke e lënë në mëshirën e fatit.

“Fati i këtij personazhi është fati i shumicës së popullit që vuan padrejtësinë që çdo ditë ja rendon jetën dhe e bën edhe me të varfër. Unë si autore do të vazhdoj të trajtoj tema sociale, tema nga realiteti i kësaj shoqërie”, ka thënë ajo.

“Galaktika e Andromedës” ngjall interesim përmes kërkimit dëshpërues të Shpëtimit për të gjetur punë, edhe pse në çdo vend ia përplasin derën e refuzimit, kryesisht për shkak të moshës. Ditët në vazhdim për Shpëtimin janë veçse rropatje e një “nomadi” që nuk ka një vend të caktuar për të jetuar. Strehë e tij është ruloti, shtëpia-rimorkio, që tërhiqet nga vetura e tij rrangallë.

Sado që zymtësia duket se po e asfikson rrëfimin, shfaqja e së bijës së Shpëtimit, Zanës, sjell tek audienca një tip shprese mikluese. Interpretimi i saj shquan me një origjinalitet befasues, sidomos fjalët e saj gjithnjë të shkurtra që i përgjigjen fort mirë një adoleshenteje që sapo ka lënë jetimoren dhe është bërë bashkë sërish me të atin. Një raport paralel është edhe ai me gruan që ofron shërbime seksuale, skena që zakonisht zënë vend gjatë natës. Shpëtimi pajtohet të punojë si shofer i prostitutës për te myshterinjtë e saj. Gjithnjë në buzë të mbijetesës, kryepersonazhi është i shtrënguar edhe të vjedhë karburante veturash e pastaj t’i shesë dorë pas dore në tregun e zi. Është kjo mpleksja kafkeske e rrethanave që Shpëtimin e degdisin te një trafikant, i cili e bind ta transplantojë veshkën përkundrejt 3 mijë eurove, aq shumë të nevojshme për fatkeqin.

“Galaktika e Andromedës”, pas debutimit që pati vitin e kaluar në Festivalin e Filmit të Sarajevës, solli premierën e vet kombëtare në gusht në kuadër të edicionit të 13-të të “PriFest”. Si filmi i parë debutues i regjisores Raça, atij nuk i kanë munguar sukseset: në Festivalin Ndërkombëtar të San Sebastianit në Spanjë u shpërblye me çmimin “Global in Progress”, kurse në shtator të vitit 2020 ishte në garë për “Zemrën e Sarajevës”.

KOHA.net

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *