December 8, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Thesari i monedhave dy mijë vjet të vjetra zbulohet në Izrael – KOHA.net

2 min read

Arkeologët nga Autoriteti i Izraelit për Antikitete (IAA) kanë gjetur një grumbull monedhash argjendi nga periudha Hasmoneane në Modiin-Maccabim-Reut të Izraelit.

Studiuesit po gërmonin një pronë bujqësore, kur zbuluan një çarje shkëmbore që përmbante thesarin e fshehur brenda të cilit kishte monedha argjendi.

Monedhat, të cilat janë prerë në Tirinin e lashtë në Libanin e sotëm, portretizojnë mbretin Antiochus VII, i cili sundoi perandorinë helenistike Seleukide – ose figura në to mund të jenë të vëllait të tij Demetrius II.

Avraham Tendler nga Autoriteti i Izraelit për Antikitete ka thënë se thesari është dëshmi bindëse se pronarët e pasurisë kursenin të ardhura për çdo muaj, por u larguan përfundimisht nga shtëpia për ndonjë arsye të panjohur.

“Ata i mblodhën paratë me shpresën se do të ktheheshin dhe do t’i merrnin, por për fat të keq nuk u kthyen më. Është emocionuese të mendosh se thesari i monedhave po priste këtu për më shumë se 2 mijë vjet derisa ne e gjetëm atë”, ka thënë ai.

Ekipi gjithashtu zbuloi shumë monedha bronzi të prera nga sundimtarët Hasmonean që përmendin emrat; Gjoni, Juda, Jonathani dhe Matthias – dhe titullin e tyre si kryeprift dhe kreu i komunitetit hebre.

Zbulimi i monedhave në vend të vulosura me datën “Viti i dytë” i revoltës dhe parulla “Liria e Sionit” sugjeron që banorët ishin mbështetës dhe ndoshta pjesëmarrës në revoltën e parë hebraike kundër romakëve në vitin 66 pas Krishtit.

Avraham Tendler ka thënë se gjatë gërmimit mund të shihnin se pak para kryengritjes banorët e atyshëm mbushën dhomat pranë perimetrit të ndërtesës me gurë të mëdhenj për të krijuar një barrierë të fortifikuar.

“Për më tepër, ne zbuluam fshehjen e shpellave të gdhendura nën dysheme. Këto komplekse ishin të ndërlidhura përmes një serie tunelesh, cisternash uji, gropa magazinimi dhe dhoma të fshehura. Në njërën nga zonat e gërmimit ngjitur doli në pah një hapje brenda që të çonte në një kompleks të fshehur e të gjerë që përmbante objekte të shumta që datojnë nga revolta e Bar Kokhbasit”.

Marrë nga “Heritagedaily”. Përktheu: Alberina Haxhijaj

KOHA.net