December 8, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Me barok e renesancë “DAM” fut publikun në udhëtim muzikor shumëngjyrësh – KOHA.net

4 min read

Edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar “DAM”, pas koncerteve me vepra të ndryshme muzikore, të martën mbrëma është ndalur në tingujt e barokut. Me repertorin e prezantuar ka bërë një lidhje edhe me epokën që i prin asaj – renesancën. Si ndalesë e parë janë përzgjedhur kompozimet e repertorit të pasur të kompozitorit anglez John Downland. Me notat që ndërtohen mbi tregime dashurie, sopranoja Kaltrina Miftari me pianisten Lirika Pula – Kasapollin kanë paralajmëruar udhëtimin muzikor shumëngjyrësh.

Me koncertin në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë kanë integruar edhe klaviçembalin, instrument i cili ishte në qendër të interpretimeve në barok. Tingujt e tij mjaftojnë për të risjellë epokën e krijimeve që prekin periudhën mes viteve 1600-1750, që kanë origjinën në Evropën Perëndimore. Kompozitorët e asaj kohe rrallë që kanë kompozuar pa e përfshirë klaviçembalin. Lirika Pula- Kasapolli, që rëndom për publikun prishtinas luan në piano, kësaj radhe e ka sfiduar veten në klaviçembal, instrument të cilin pianoja në shekullin e 18-të e la nën hije. Pianistes nga Kosova fillimisht i është dashur pak kohë vetëm për ta ambientuar instrumentin. Një përjetim të koncentruar nën tingujt e klaviçembalit ajo e ka sjellë nëpërmjet “Sarabdandes” nga “Suita në d-mol HwV 437” e kompozitorit gjerman që bëri karrierë në Londër, George Frederic Handel dhe “Les Sauvages” të Jean-Philippe Rameau.

“Është shumë interesant dhe më ndryshe se që jemi mësuar me pianon akustike. Patëm fatin që luajtëm një program që i përket kohës kur është përdorur klaviçembalo. Jam shumë e lumtur që e provova të luajmë një lloj interpretimi tjetër nga ato që jemi mësuar zakonisht. Ishte shumë këndshme”, ka thënë ajo për KOHËN. Pianistja programin e ka zbërthyer me partitura të pianos duke e përshtatur lojën. Ajo e sheh të nevojshme edhe studimin më të detajuar të këtij instrumenti dhe futjen e programit që e integron atë.

“Duhet ta pranojmë që instrumentistët që luajnë në klaviçembalo ata detyrohen ta studiojnë, ta bëjnë një master në studimin e këtij instrumenti, gjë që unë nuk e kam. Shpresoj të ketë pianist që në të ardhmen këtë instrument ta fusin në programin e tyre pasi që ka vepra shumë interesante që mund të luhen me të”, ka shtuar tutje Pula Kasapolli, pianistja korepetitore në katedrën e kantos dhe harqeve në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Sopranoja Kaltrina Miftari është goxha aktive në skenën e muzikës artistike në Kosovë e rajon. Me “DAM”-in edhe këtë vit po e vazhdon bashkëpunimin ashtu si vitin e kaluar. Dallimi për të, këtë vit ishte publiku. Sipas saj, ai është shumë i rëndësishëm si mbështetës në interpretim. Një përkrahje të tillë e ka ndier edhe gjatë interpretimit të së martës mbrëma. Miftari e cila është edhe anëtare e soliste e Filharmonisë së Kosovës aktualisht është e fokusuar në interpretimin e muzikës profesionale të epokës së renesancës dhe paraardhës së saj barokut. Për të këto vepra janë të ndjeshme e sfiduese. Për shkak të bashkëpunimit të gjatë me pianisten Pula-Kasapolli dhe afinitetit që kanë për periudhën e barokut kanë vendosur që këto vepra t’i përcjellin edhe te publiku.

“Janë vepra shumë të vështira që edhe në botë luhen shumë rrallë e veçmas te ne. Për këtë arsye kemi vendosur t’i sjellim në festivalin “DAM”. Këto vepra kërkojnë një dedikim të veçantë dhe ashtu jemi munduar t’i përcjellim”, ka thënë sopranoja Kaltrina Miftari për KOHËN.

Dyshja e ka përmbyllur mbrëmjen me tri pjesë nga një prej kompozitorëve të dalluar anglezë, Henry Purcell. “If music be the Food of Love”, “Thy hand Belinda…Whem I’m laide” dhe “Musi for a while” që shtjellojnë histori dashurie ku muzika e plotëson fuqinë e tregimit. Kompozitori Kushtrim Aliçkaj e ka përcjellë këtë mbrëmje teksa ka theksuar se festivali “DAM” po e vazhdon traditën për të sjellë mbrëmje të veçanta që prekin periudha të ndryshme muzikore. Ai vlerësoi harmoninë në interpretim të sopranos Miftari me instrumentisten Pula- Kasapollin.

“Mendoj që secila epokë e ka rëndësinë e vet, por secili instrumentist dhe publiku duhet t’i njohë veprat nga baza që të arrijë deri te veprat që kompozohen tani. Interpretimi ishte shumë i mirë dhe iu përshtat periudhës së cilës i takonin veprat”, ka thënë Aliçkaj.

Festivali “DAM” është drejt fundit të programin qendror të edicionit të 16-të. Këtë vit ky festival është fokusuar më shumë me rigjetjen, riformësimin dhe dëshirën për të ekzistuar për shkak të situatës së pazakontë pandemike. Në aspektin profesional festivali është fokusuar në interpretimin dhe promovimin e literaturës së Ballkanit. Edicioni i 16-të do të përmbyllet të enjten me koncertin recital të sopranos Adelina Paloja me pianisten Lule Elezi.

KOHA.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *