November 29, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Enët 3000-vjeçare afër Lipjanit, dëshmi e vazhdimësisë iliro-dardane – KOHA.net

5 min read

Shumica janë fragmente enësh, që si gjetje arkeologjike nuk janë të rralla sa i përket parahistorisë. Por ato që kanë dalë në pah në gërmimet që janë duke u zhvilluar rreth 6 kilometra në lindje të Lipjanit i takojnë një lokaliteti njështresor. Bëhet fjalë për periudhën e hekurit të hershëm. Arkeologët, gjetjet, por edhe periudha në tërësi datojnë midis viteve 1100 dhe 750 para erës sonë. Sa i përket rëndësisë shkencore tregojnë se ka pasur vazhdimësi të jetesës iliro-dardane në këto anë.

Në fshatin Dobratin të Komunës së Lipjanit tash e gati dy muaj ka zbarkuar një grup punëtorësh e arkeologësh, të cilët kanë hapur disa sonda. Indikacionet e para se bëhet fjalë për një lokalitet arkeologjik parahistorik datojnë qysh më 2015. Në fshatrat përreth është punuar në ato që njihen si gërmime me karakter shpëtimi gjatë mbikëqyrjes së ndërtimit të autostradës në drejtim të Hanit të Elezit. Ishin nxjerrë dëshmi të periudhës së bronzit.

Por në fshatin Dobratin, ku po punohet një udhëkryq i madh në kuadër të hyrjeve e daljeve për në autostradën drejt Gjilanit, është duke u punuar prej pjesës së parë të tetorit.

Arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Shafi Gashi, i cili iu prin punimeve, ka treguar se tash e gjashtë vjet janë duke vjelë material kulturor të rëndësishëm në këtë zonë, duke përfshirë fshatrat përreth.

“Është vërtet një kulturë materiale shumë e veçantë duke u nisur nga tasat me një e dy vegë, pjata të sheshta e objekte të tjera që janë karakteristike për periudhën e hekurit”, ka thënë ai. Ka marrë shembur një vorbë e cila, sipas tij, është karakteristikë tipike e periudhës së hekurit të vonë. “Është një enë e plotë që ka dalë gjatë procesit të gërmimit. Kjo enë duhet të jetë vendosur që të ruhet banesa e kësaj periudhe”, ka thënë ai. Ka shpjeguar se brenda saj janë gjetur kocka dhe se ka të bëjë me kultin e banorëve të kohës për mbrojtjen e banesave. Për këtë arsye banorët dardanë i kishin vendosur enët në dysheme.

“Elementet e dekorimit janë puro për këtë periudhë. Këtë element nuk e hasim më herët e as më vonë. Është karakteristikë e periudhës së hershme të hekurit”, ka thënë ai. Ena është restauruar nga restauruesi e konservuesi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Izri Gashi. Gashi ka thënë se nëpërmjet kulturës materiale arrihet të përcillet vazhdimësia e banimit në këto zona që nga periudha e bronzit të hershëm deri në periudhën kur Dardania hyn në burimet e shkruara.

“Dardanët kanë banuar në Rrafshin e Kosovës, Serbinë Jugore, gjegjësisht Pellgun e Moravës, atë të Shkupit e deri te Pellgu i Kukësit”, ka thënë Gashi. Bile sa i përket vazhdimësisë së banimit të dardanëve në këto anë, sipas tij, është provuar të bëhen hile.

Image

Ka thënë se arkeologët e mëhershëm të atij që në periudhën e ish-Jugosllavisë ka qenë Muzeu i Kosovës, por edhe institucioneve të tjera, si duket me qëllim kanë bërë një shkëputje. “Kanë thënë se ka vendbanime të vogla të bronzit të mesëm dhe pastaj ka shkëputje. Janë munduar të nxjerrin një teori se dardanët e më pas arbrit e shqiptarët kurrë nuk kanë qenë një njësi etnike në territorin e Kosovës”, ka thënë ai. Sipas Gashit, kjo hipotezë është ngritur edhe në botimin e katalogut të Institutit Arkeologjik në Beograd më 1998.

“Rezultatet tona në vitet e fundit tregojnë se ajo hipotezë bie poshtë dhe me plot gojën mund të themi se kemi një vazhdimësi iliro-dardane gjatë periudhë së bronzit dhe hekurit në këto troje”, ka thënë ai. Ka treguar se kultura materiale është e njëjtë si në Rrafshin e Dukagjinit dhe atë të Kosovës. Ka ardhur në përfundim se dallon në finesa, por bëhet fjalë me një grup të vetëm kulturor.

Në këtë kryqëzim të autostradës “R6” me lartësi mbidetare 570 metra është duke u skicuar secili detaj. Hapësira do të dokumentohet e gjetjet do të trajtohen e studiohen me punë kabinetike. Mbi sonda pas përfundimit të gërmimeve do të vendoset asfalti. Hapësira e mihur nga punonjësit e angazhuar është goxha e madhe. Në disa raste është dashur që të shkojnë në thellësi më të madhe. Edhe deri në dy metra. Grupi si me shaka vetëquhen “Shqipëria e vogël”, pasi janë të përfshirë arkeologë të rinj nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Arkeologu Berat Ademi ka treguar se është dashur të hapin disa gropa. “Dy prej tyre besojmë se kanë qenë puse ose rezervuare të ujit. Për njërën jemi të sigurt. Më vonë janë përdorur për hedhjen e materialeve të ndryshme. Disa gropa të tjera janë përdorur për marrjen e argjilës, e cila është shfrytëzuar për suvatim”, ka thënë ai. Materiali i gjetur do të zhvendoset në Muzeun e Kalasë së Prizrenit për studim të mëtejme.

Instituti Arkeologjik i Kosovës vazhdimisht ka bërë mbikëqyrje gjatë ndërtimit të autostradave. Në disa raste institucionet nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët. Para afro një dekade jo larg Prizrenit ishte zbuluar një stacion antik. Strukturat e periudhës romake tregonin se aty kishte kaluar një rrugë e asaj kohe dhe se bëhej fjalë për gjurmë të një lloj bujtine. Por me gjithë punën e arkeologëve, në një fundjavë kompania që po kryente punët e kishte rrafshuar lokalitetin. Gjurmët antike u mbuluan me asfalt. Në fshatin Rahovicë të Ferizajt më 2015 ishte hasur në gjurmë të një ndërtese të periudhës romake e po ashtu në struktura të një kishe mesjetare. Shteti kishte vendosur që të vazhdohej me ndërtimin e autostradës. Sa u përket gjetjeve parahistorike që zakonisht janë fragmente, sipas arkeologëve është e natyrshme që të dokumentohet hapësira dhe pas vjeljes së materialit arkeologjik të vazhdojnë punimet infrastrukturore.

Image
Gropat e hasura gjatë gërmimit janë dëshmi e puseve apo rezervuarve të ujit që datojnë 1100 deri në 750 vjet para erës sonë. Prej tyre ka edhe aso që janë përdorur për të nxjerrë argjile për suvatim

KOHA.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *