Ansambli “Çeta e Profetëve” merr çmimin kryesor në “Hasi Jehon” – KOHA.net

Ansambli “Çeta e Profetëve”, nga Kruma e Hasit të Shqipërisë ,është shpallur fitues i edicionit të 32-të të festivalit “Hasi Jehon” të mbajtur në Gjonaj të Prizrenit. Sipas njoftimit të Festivalit, programi i sivjetmë është mbyllur në natën e tretë me ndarjen e çmimeve tashmë tradicionale në këtë ngjarje kulturore.

Juria e përbërë nga Sami Piraj, kryetar, dhe anëtarët Asim Canolli, Hysen Dida, Dilaver Kryeziu dhe Muhamet Lushaj ka bërë ndarjen çmimeve tradicionale të festivalit. Sami Piraj, kryetar i Komisionit, ka thënë se festivali ka arritur që të trajtojë probleme më esenciale të vlerave të trashëgimisë shpirtërore dhe asaj muzikore, bëhet e ditur në njoftimin e Festivalit. Aty gjithashtu theksohet se kreu i jurisë ka veçuar edhe sfidat që ka sjellë pandemia dhe njëherësh ka uruar që Festivali të gëzojë mbrojtje ligjore nga shteti.

“Edhe ky edicion është spikatë me shumë karakteristika që e shenjëzojnë si një ngjarje të shënuar kulturore. Natyrisht, e ka pasur shumë vështirë të qëndrojë në ballë të problemeve të cilat janë praktikisht të pranishme në jetën tonë siç është Covid-19 dhe problemet e tjera. Megjithatë, ka shumë karakteristika që e shenjëzojnë si festivalin unikat tash për tash në Kosovë dhe ky eveniment, kjo ngjarje kulturore shpresoj që të jetë pjesë e ruajtjes institucionale të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale. E them për shumë arsye dhe njëra ndër to është organizimi kaq dinjitoz i ansamblit ‘Malësori’ si gjenerator, faktikisht realizues i këtij festivali në krye me kryetarin Haziz Hodaj” ka thënë Piraj.

Çmimin “Malësori” e fitoi ansambli “Çeta e Profetëve” nga Kruma e Hasit; çmimi “Malësorja” u nda për ansamblin “Deçani” nga Deçani; çmimi “Lahuta” iu nda ansamblit “Bresana” nga Bresana; çmimi “Nazmije Totaj” iu nda këngëtares Mamure Belaj nga Kaçaniku; rituali më objektiv ansamblit “Bresana” nga Bresana; grupi më i dalluar i rapsodëve “Hajvalia” nga Hajvalia; kostumet autoktone “Deçani” nga Deçani. Koreografia më e mirë ansambli “Bajram Curri”, Prishtinë; grupi më i mirë i valltarëve “Anamorava”, Viti, dyshja më e mirë e valltarëve ajo e ansamblit “Deçani” nga Deçani. Valltarja më e mirë u shpall Rilindë Gjonbalaj nga “Vuthaj”, Mal i Zi; valltari më i mirë Fahri Musa nga ansambli “Anamorava”, Viti; rapsodi më i dalluar Përparim Brati nga Kruma; orkestra më e dalluar “Bajram Curri”, Prishtinë, dhe Çmimi Instrumentisti i dalluar i takon Muharrem Dibrës nga Kruma e Shqipërisë”.

Edicioni i 32-të i festivalit folklorik “Hasi Jehon” që është hapur të enjten dhe është mbyllur të shtunën mbrëma sivjet ka mirëpritur nismën që ky organizim të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme, në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore. Propozimi për mbrojtjen ligjore të këtij festivali është paraqitur muaj më parë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, në bashkëpunim me drejtuesit e “Hasi Jehon”, në kuadër të shënimit të 45-vjetorit të ekzistencës së kësaj ngjarjeje kulturore.

Festivali folklorik “Hasi Jehon” sipas të dhënave të organizatorëve dhe të QRTK-së, si manifestim i përshpirtshëm kulturor, në skenën e festivalit sjell vlerat më autentike të trashëgimisë shpirtërore, është unik, më i vjetri dhe më i organizuari në veprimtarinë e këtij lloji në trevat e Ballkanit. Është themeluar në shtator të vitit 1976 nga SHKA “Malësori” dhe nga rinia e fshatit Gjonaj. Ka nisur veprimtarinë e vet me SHKA, grupet artistike të shkollave të Hasit, rapsodë, lojtarë të lojërave popullore, instrumentistë popullorë, me veshje unike kombëtare, për të arritur pas luftës në organizimin më të konsoliduar të kulturës e trashëgimisë në nivel kombëtar. Festivali folklorik “Hasi Jehon” bazohet në disa shtylla të veprimtarisë së vet dhe ato kanë bazë dhe ekskluzivitet trashëgiminë shpirtërore, por që identifikohet me folklor burimor, me vallet, këngët, lojërat, doket dhe zakonet e mbarë trevave shqiptare. Gjatë 45 vjetëve të ekzistencës është organizuar gjithseë 32 herë, përderisa prej vitit 2000 është organizuar në mënyrë të pandërprerë.

KOHA.net