Kurti tregon pse po shtrëngohen masat anti-Covid, përkundër që Kosova qëndron mirë në statistika | FM Images

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në facebook, i është përgjigjur disa pyetjeve, për të cilat tha se janë të shpeshta. Një ndër to është pse qeveria po ashpërson masat kundër Covid-19, përkundër që vendi me situatën epidemiologjike qëndron më së miri në rajon.

Kurti tha se nga valët e mëparshme ka mësuar se gjendja e shkëlqyeshme epidemiologjike mund të shndërrohet në gjendje të rëndë.

Andaj, qeveria ka vendosur të ndërmarrë cdo veprim brenda mundësive të veta për të ruajtur gjendjen aktuale epidemiologjike.

Më poshtë gjeni një nga përgjigjet e Kurtit:

Pse po shtrëngohen masat në një kohë kur gjendja epidemiologjike në Kosovë është më e mira jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimore por edhe në Evropë?

Kemi vërejtur në valët e mëparshme të kësaj pandemie se sa shpejt mund të kalojë një gjendje e shkëlqyeshme epidemiologjike në një gjendje të rëndë. Dalja jashtë kontrollit e situatës do të vinte me një çmim jashtëzakonisht të lartë, qoftë për jetën e shëndetin e qytetarëve, qoftë edhe për veprimtaritë ekonomike, kulturore dhe shoqërore të vendit, në rast të një mbylljeje eventuale. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të ndërmarrë çdo veprim brenda mundësive të veta për të ruajtur gjendjen e shkëlqyeshme epidemiologjike në vend, të cilën e kemi arritur bashkë si shoqëri. Për më tepër, ka edhe dy arsye të tjera për shtrëngimin e masave pikërisht në kufi. Së pari, gjatë javëve të fundit, rastet e COVID-19 janë rritur jashtëzakonisht shumë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se, për momentin, rreziku më i madh për një përhapje eventuale të COVID-19 në Kosovë vjen nga udhëtarët prej jashtë vendit. Së dyti, shfaqja e variantit Omicron, si dhe përhapja e tij në shumë vende evropiane brenda një periudhe të shkurtër, e ka detyruar Qeverinë që të veprojë me shpejtësi dhe vendosmëri në shtrëngimin e masave në kufi. Edhe më shqetësues është fakti se, sipas të dhënave paraprake, ky variant paraqet rrezik shumë më të lartë për grupmoshat e reja, sidomos për fëmijët nën moshën pesëvjeçare, në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Corona.a

FM Images