Racizëm i thellë në Akademinë ushtarake të Amerikës – KOHA.net

Tetë vjet pasi diplomoi në Akademinë Ushtarake të SHBA-së në West Point, Geoffrey Easterling, mbetet i habitur nga historia e Konfederatës që ende përkujtohet në kampusin e njohur të Akademisë, piktura gjashtë metra e gjatë e gjeneralit të Konfederatës, Robert E. Lee, në bibliotekë, konvikti i kazermës i emëruar për Lee si dhe Porta Lee e Rruga Lee.

Si student me ngjyrë në akademinë ushtarake, ai e kujton momentin kur u ndie “i shkatërruar” kur një shok klase vuri në dukje skllavin, i përshkruar në pikturën e Lee-së në madhësi reale. “Si është e mundur që i vetmi person me ngjyrë që u vendos në mur në tërë këtë shkollë të madhe, të jetë skllav?” mendonte ai.

Si një oficer pranimi i diversitetit, më vonë ai kishte udhëtuar nëpër vende për të rekrutuar studentë në West Point nga komunitetet e nënpërfaqësuara. “Ishte kaq e vështirë t’u thuash njerëzve fjalë si: “ Po, patjetër që mund t’i besoni ushtrisë” e pastaj fëmijët e tyre kërkojnë në Google dhe pyesin: “Pse ka një kazermë me emrin Lee?”, ka thënë ai.

Akademitë ushtarake të vendit ofrojnë një tubacion kyç në udhëheqjen e shërbimeve ushtarake dhe për një pjesë të mirë të dekadës së fundit, ata kanë mirëpritur studentë të racave të ndryshme çdo vit.

Në një raportim të Associated Press në fillim të këtij viti, anëtarët e tanishëm, ish-oficerët dhe oficerët në pothuajse çdo degë të shërbimeve ushtarake, përshkruan një kulturë të rrënjosur të racizmit dhe diskriminimit, që me kokëfortësi qëndron, pavarësisht përpjekjeve për ta larguar.

Vëmendja shtetërore

Pak rëndësi u është kushtuar institucioneve që prodhojnë pjesë të konsiderueshme të korpusit të oficerëve shërbyes, akademitë e ushtrisë së SHBA-së, forcave ajrore të SHBA-së, gardës bregdetare dhe marinës tregtare të SHBA-së.

Disa të diplomuar me ngjyrë nga shkollat më të larta, të cilët e përfunduan atë që ata e përshkruanin si mjedis armiqësor, kanë mbetur duke vënë në pikëpyetje parimin ushtarak, sipas të cilit të gjithë anëtarët e shërbimit që veshin uniformën e njëjtë janë të barabartë.

Këtu përfshihet Carlton Shelley II , i cili u rekrutua të luajë futboll për West Point nga shkolla e tij e mesme në Sarsota, Florida dhe hyri në akademi në vitin 2009. Në fushë, ai e përshkroi ekipin si një “vëllazëri”, ku ngjyra nuk ndikonte në mënyrën se si trajtohej. Mirëpo, jashtë fushës, ai ka treguar se ai dhe shokët e tjerë me ngjyrë trajtoheshin si stereotipi i njeriut të zemëruar me ngjyrë, një përjetim që e bënte me lot atëkohë.

“Kam qenë vazhdimisht në telashe, ose jam korrigjuar për shkelje, që në fakt nuk ishin shkelje”, ka thënë ai.

Xavier Bruce, i cili kishte diplomuar në Akademinë e forcave ajrore në vitin 1999 dhe u ngrit në gradën e nënkolonelit gjatë 24 viteve të detyrës së tij, ka shpjeguar se për të ishin injorimet e vazhdueshme ndaj tij, si njeri me ngjyrë ato që e lëndonin, më shumë sesa sjelljet e hapura raciste.

“Në thjesht e ndiejmë atë, e ndiejmë energjinë pas kësaj e kjo është ajo çka na shqetëson”.

Ajo çka disa studentë me ngjyrë e konsiderojnë si racizëm sistematik dhe diskriminim janë akademitë që kanë krijuar llogari në Instagram, të tilla si: “Black at West Point”, “Black at USAFA” dhe “ Black at USNA ”, për t’i rrëfyer përjetimet personale.

“Po ecja me një shok klase dhe që të dy ne po flisnim në gjuhën spanjolle, kur një burrë i bardhë, i klasës së lartë u kthye dhe na tha: “Flisni anglisht, kjo është Amerika”, ka shkruar në një postim një i diplomuar në vitin 2020 në Akademinë e forcave ajrore.

Në përgjigje të gjetjeve të AP-së, një zëdhënës për Departamentin e Mbrojtjes, Maj. Charlie Dietz ka sqaruar se shërbimet ushtarake kanë rregullore për ofrimin e mundësive të barabarta, pa marrë parasysh racën, ngjyrën, kombin, origjinën, religjionin, gjininë, identitetin gjinor apo orientimin seksual. Ai ka treguar që DOD ka formuar një ekip të veçantë në prill për ta avancuar përparimin në shumëllojshmëri, barazi dhe përfshirje në të gjithë departamentin, edhe atë të akademive.

Letra me dështimet

Pas vrasjes së George Floyd në vitin 2021, që ka ndezur protesta anembanë botës, një grup i njohur në West Point kishte publikuar një letër me 40 faqe, duke i kërkuar akademisë që të adresonte “dështimet e mëdha” në luftën kundër intolerancës dhe racizmit. “Megjithëse jemi të shqetësuar thellë, ne mbajmë fort shpresën se Alma Mater do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur vlerat që ajo i përkrah”, thuhet në letër.

Një shtojcë ofronte edhe dëshmi të grumbulluara nga viti i kaluar nga kadetët e West Point , që bënin fjalë për incidentet që sipas tyre nuk adresoheshin në zyrtarët e shkollës. “Kisha një shok dhome racist, i cili vazhdimisht më thërriste me fjalën zezak dhe më pështynte”, ka shkruar një kadet. “I tregova oficerit taktik të regjimentit të 4-të rreth kësaj, por nuk ndërmorën asgjë”.

Shelley e pranon se West Point është bërë më i larmishëm sa u përket racave, mirëpo ka thënë se akademia ka shumë punë të rëndësishme për të bërë për t’i mbështetur studentët me ngjyrë. Nga klasa e tij ai ka vlerësuar rreth 35 studentë me ngjyrë që kanë diplomuar, “një numër çmendurisht i ulët”, ka spikatur ai.

“Kështu, filluam ta rrisim numrin më shumë”.

Në njëfarë mënyre, homazhet ndaj Leesë, të cilat ende e mbulojnë kampusin e West Point, ilustrojnë dikotominë e akademisë. Kadetët që kanë studiuar për historinë ushtarake u është mësuar që luftëtarët e Konfederates nuk ishin heronj, e megjithëkëtë, referencat për Lee-në, një i diplomuar në West Point, i cili më vonë u bë mbikëqyrës i akademisë, mbetën ende.

Projektligji i fundit vjetor i shpenzimeve të mbrojtjes urdhëroi që Departamenti i Mbrojtjes të shqyrtojë të gjitha pronat e veta ushtarake për referenca ose simbole që mund të përkujtojnë Konfederatën, përfshirë edhe West Point, të cilin komisioni që mbikëqyr punën, e zgjodhi si vendin e tij të parë për ta vizituar në fillim të këtij viti. Mirëpo, afati për të vepruar sipas çdo rekomandimi është më shumë se dy vjet larg.

Forcat e armatosura të SHBA-së qëndronin të ndara deri nga mesi i viteve të ’50, kur u nevojit një fluks luftëtarësh për Luftën Koreane. Tash, shërbimet e bashkuara duartrokasin vetën për 200 vjet si “forca më e madhe ushtarake në histori”, duke tërhequr burra e gra, që përfaqësojnë të gjitha besimet, racat, etnitetet dhe orientimet seksuale.

Nëpër akademi, integriteti ka ndodhur shumë më herët, pas heqjes së skllavërisë. Gjatë muajit të historisë së njerëzve me ngjyrë në West Point, një nderim iu dha Henry O. Flipper, një burrë, dikur i skllavëruar që u bë i diplomuari i parë me ngjyrë në vitin 1877. Por, West Pointi që ndoqi Flipper, ishte i mbushur me paragjykime: Shokët e tij të bardhë të klasës dhe profesorët refuzuan ta pranojnë prezencën e tij.

Sot, akademitë janë rrugës për ngritje të numrit të statuseve të oficerëve për kadetët me ngjyrë, shfaqin të dhënat e 2019-ës nga nënsekretari i Mbrojtjes, me rreth 13% të oficerëve aktivë me ngjyrë që mbikëqyrin pesë institucione, krahasuar me 19% të oficerëve të bardhë aktivë.

Shumica e studentëve që regjistrohen, rreth 60-70%, emërohen nga senatorët amerikanë ose nga përfaqësues nga shtetet e tyre të origjinës, si pjesë e një sistemi të krijuar gjatë viteve ’40 për të ndërtuar një trupë oficerësh të ndryshëm politikisht dhe gjeografikisht. Mirëpo sot, demografia e larmishme e SHBA-së do të thotë se sistemi u jep ndikim joproporcional distrikteve kongresiale rurale që priren të jenë më të bardhë, ka gjetur AP.

Vetëm 6% e emërimeve në ushtri, forcat ajrore dhe detare, të bëra nga anëtarët aktualë të Kongresit, shkuan për kandidatët me ngjyrë, megjithëse 15% e popullsisë së moshës 18-24 janë me ngjyrë, sipas një raporti nga shërbimet e akademisë, që u publikua në mars nga Qendra ligjore e Veteranëve të Konektikatit. 8% e emërimeve të Kongresit shkuan për studentët hispanikë, edhe pse ata përbëjnë 22% të të rinjve në moshë madhore, thuhet në raport.

Shumëllojshmëria e nominimeve është përmirësuar pak në 25 vjetët e fundit, mirëpo raporti vuri në dukje që 49 anëtarë të Kongresit nuk emëruan asnjë student me ngjyrë gjatë kohës së tyre në zyrë dhe 31 të tjerë nuk emëruan asnjë kandidat hispanik.

KOHA.net