January 27, 2022

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Rijetësimi i muzeve të Gjirokastrës, kapitull i ri për turizëm kulturor – KOHA.net

2 min read

Qeveria e Shqipërisë është e vendosur që për Gjirokastrën të hapë një kapitull të ri me investimet që po bëhen aty. Kjo, sipas autoriteteve shqiptare, do të ndikojë në rritjen e ofertës turistike për këtë qytet.

“Muzetë janë kujtesa jonë, ndaj dhe duhet t’i mbajmë gjallë, t’i kthejmë në institucione që i rrëfejnë të gjitha brezave”, ka thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, të premten, derisa ka përcjellë nga afër njërin nga projektet në zbatim. Sipas saj, rrjeti i muzeve të Gjirokastrës është ndër më interesantët që po rijetësohet, duke folur me publikun me gjuhën e kohës.

Gjirokastra, me kalanë, rrugët me kalldrëm, muret dhe çatitë prej guri dhe ballkonet e drunjta është thesar i arkitekturës unike. Aktualisht po restaurohen katër objekte, duke ndërthurur simbiozën e së vjetrës me të renë në ruajtjen e karakteristikave historike, raportojnë mediat në Shqipëri. Duke qenë se objektet janë amortizuar përgjatë viteve, ndërhyrjet konsistojnë në restaurim e rindërtim kalldrëmi, mureve anësore, ndriçim estetik e të tjera.

Aktualisht vazhdon restaurimi i kalldrëmeve në rrugën “Sado Meleqi”, si dhe rrugën “Ramadan Mane”, ndërsa paralelisht po punohet dhe për restaurimin e mureve prej guri.

Ndërkohë në muzeun “Ismail Kadare” kanë përfunduar punimet për shtrirjen e rrjeteve të ndriçimit, internetit, mbrojtjes nga zjarri, kamerave, ngrohjes e të tjera. Shtëpia u ndërtua në 1799 dhe është shpallur monument kulture në 1991. Shtëpia-muze e Kadaresë është hapur për publikun në 28 janar 2018, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Shtëpia e Kadaresë është në mes të lagjes historike “Palorto” dhe brenda saj ka ende disa objekte origjinale që i përkasin familjes, siç është një sënduk, disa foto e të tjera artefakte.

Në projektet, ku po investohet në Gjirokastër, përfshihet edhe Muzeu Etnografik, ku po vazhdojnë ndërhyrjet në muret prej guri, si dhe punime të rikonstruksionit të çatisë.

“Muzeu Etnografik është në 40 për qind të punës tashmë. Këtu kemi edhe pjesë të pllakave me shkrime nga Edward Lear, të cilat do të jenë pjesë e shesheve ku do jetë i gjithë itinerari i Edward Lear”, ka thënë Margariti.

Si një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike dhe kulturore nëpërmjet këtyre investimeve synohet të ruhen vlerat e objekteve historike, si atraksione në shërbim të turistëve.

Si një qytet-muze me trashëgimi kulturore të pasur, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vizitohet nga rreth 80 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në vit.

KOHA.net