January 20, 2022

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Kryeministri Kurti priti në takim Kampionin Mbarëkombëtar Absolut në Bodybuilding Profesionist, Marin Meksi

3 min read

16:04 / E Premte, 14 Janar 2022 / A. M.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, priti në takim Kampionin Absolut Mbarëkombëtar në Bodybuilding dhe Fitness, Marin Meksi, njëherit diplomat me përvojë në misione diplomatike të Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Kurti e përgëzoi z.Meksi për të arriturat e tij në karrierën sportive e diplomatike në afirmimin e kombit shqiptar. Në veçanti Kryeministri uroji për medaljen e artë të fituar në “IFBB Pro Diamond Cup” në kategorinë “Men’s Classic Bodybuilding up to 180cm”, garë e zhvilluar në muajin nëntor 2021 në Portugali.

Z.Meksi falënderoi Kryeministrin Kurti për këtë pritje, që pason dekorimin nga Presidenti Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Ai përgëzoi kryeministrin për punën, siç tha ai të jashtëzakonshme që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës. 

Gjatë takimit u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe sukseset e përbashkëta të federatave të Bodybuilding dhe Fitness të Shqipërisë dhe Kosovës dhe angazhimit në promovimin e sportit.

Poashtu, Kryeministri Kurti shpalosi përkushtimin e qeverisë për zhvillimin e sportit në vend. Z.Kurti potencoi: “Përveç përkushtimit për konsolidimin e rezultateve sportive në arenën ndërkombëtare, me theks të veçantë jemi duke punuar në zhvillimin e konceptit të sportit për të gjithë”.

Për më tepër, ai shtoi: “Me dinamikën e jetesës në ditët e sotme, dhe zhvillimin e ndikimin e teknologjisë, sporti është aktiviteti përmes së cilës do të mundësojmë dhe sigurojmë zhvillimin e mirëqenies fizike, emocionale dhe mentale të shoqërisë tonë. Këtë synojmë ta bëjmë përmes ndërlidhjes së sportit me sistemin e arsimit në vendin tonë”.

U vlerësua bashkëpunimi ndërmjet Federatës së Bodybuilding dhe Fitnesit të Kosovës me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe u theksua potenciali për arritje të sukseseve të reja në sport.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, bëri të ditur se së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës, po punohet drejt funksionalizimit të strukturave të anti-dopingut në Kosovë, një autoritet i cili i mungon sistemit të sportit në vendin tonë.

Në këtë takim të përbashkët morën pjesë edhe z.Arthur Bushati, Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, z.Rando Kukeli, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Bodybuilding të Republikës së Shqipërisë,  z. Esat Lata, President i Federatës së Bodybuilding dhe Fitness të Kosovës,  z.Sabri Dragusha, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Bodybuilding dhe Fitness të Kosovës, z.Bedri Cahani, ish President i Federatës së Bodybuildingut të Kosovës dhe bashkëthemelues i Federatës së Shqipërisë si dhe z.Alban Hoti, bashkëpunëtor i Federatës së Bodybuilding dhe Fitness të Kosovës.

Indeksonline.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *