May 25, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Gjykata merr vendim për Bujar Demajn që dyshohet se vrau dy vëllezërit Puka në vitin 2012 – Sinjali

2 min read

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Bujar Demajt, të dyshuarit për vrasjen e vëllezërve Puka, në vitin 2012, në Junik.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se “më datë 16.05.2012, rreth orës 14:25, me dashje dhe për motive të ulëta ka privuar nga jeta të ndjerët B.P dhe V.P, e po ashtu ka plagosur rëndë viktimën N.P, në atë mënyrë qe deri te vrasja kishte ardhur pas një konflikti që kishin me herët këto dy familje.

Me çka i pandehuri B.D kishte për të kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 147 pika 9 dhe 11 të KPK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 328 par.2 të KPK-së.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se ndaj Bujar Demajt është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji, raporton Sinjali.

I dyshuari që nga data e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale dhe i njejti është arrestuar dhe është ekstraduar vetëm pas bashkëpunimit juridik – ndërkombëtar në mes të autoriteteve kosovare me autoritetet belge andaj, gjykata vlerëson se po qe se i pandehuri gjendet në liri ekziston rreziku që i njejti të arratiset përsëri e me këtë të pengoj rrjedhën normale të procedurës. Gjithashtu, duke e pas parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së vrasjes gjykata ka vlerësuar se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku real që i njëjti të përfundoj veprën e nisur në dëm të viktimës N.P ose të kryejë vepër të re penale.”

Bujar Demaj është arrestuar nga autoritetet belge dhe dje është ekstraduar për Kosovë.

Ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës më 10 janar të vitit 2020, ndërkaq ndaj tij kishte edhe një fletarrest ndërkombëtar të shpallur nga 30 prilli i vitit 2014.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/

Gazeta Sinjali